PËRPLASJET RRETH MONUMENTIT TË "LUFTËTARËVE TË RAMË"

  • 11 November 2017 - 11:16
PËRPLASJET RRETH MONUMENTIT TË

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

 

Duke mos qenë monument i realizuar në mënyrë soc-realiste, sikur ishin shumë monumente të tjera, bashkë me disa obelisqe abstrakte, popullatës nuk i pengonte ky monument.
 Herë pas herë ka pasur përplasje në shoqërinë kosovare rreth të kaluarës dhe trashëgimisë kulturore-historike, të krijuar fill pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht nën regjimin e Federatës së Jugosllavisë. E dini rastin e para pak kohësh rreth përmendores për ish- liderin komunist, Fadil Hoxha, në Gjakovë, për të cilin ishin mospajtimet e atyre që thirreshin si mbrojtës të çështjes kombëtare nga ana e Shaban Polluzhës, sipas të cilëve, nderimi i Hoxhës me bust ishte amnisti për vrasjen e Polluzhës! Përkrahësit e bustit për Hoxhën emërtoheshin "titistë, jugo-nostalgjikë, kozmopolitë të rremë...", e kështu me radhë. Po ashtu, para pak vjetësh, filloi një rrënim tjetër i monumenteve, obelisqeve dhe ndonjë gjëje tjetër që përfaqësonte Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Jugosllavi. Më kujtohet se edhe monumenti për të cilin do të bëjmë fjalë tani në Gjilan - pasi ka marrë debati jehonë mbarëshoqërore, e veçanërisht në rrjetet sociale - para pak vjetësh, ishte rrethuar nga policia e Kosovës, nga frika se dikush do të mund ta dëmtonte, nga një lloj 'deja vu'-je e trazirave të marsit 2004. Mirëpo, përpjekje apo edhe një iniciativë e vetme reale, nuk ishte bërë deri më tash për ta dëmtuar atë monument. Mbaj në mend se, pas përfundimit të luftës, në qendër të qytetit në Gjilan, përballë objektit të Teatrit të Qytetit, qindra shqiptarë, deshën ta shkatërronin dhe ta largonin bustin e Car Lazarit të vendosur nga jugosllavët. Por me heqjen e Car Lazarit, nuk u pajtuan serbët e rrugës së Varoshit (apo rrugës së Prishtinës), por as KFOR-i në fillim. Sapo u rrëzua, kemi ikur vrap me shpejtësi sepse ishte pasiguri e madhe, dëgjoheshin edhe krisma armësh dhe KFOR-i e vendosi sërish bustin e Car Lazarit, si dhe më pastaj, u bind edhe trupa shumëkombëshe se duhej ta hiqte, e mori me helikopter dhe sot e asaj dite është zhvendosur në një fshat me shumicë serbe në Gjilan. Pra, busti i Car Lazarit u largua nga qendra e qytetit të Gjilanit pas luftës së fundit në Kosovë, duke u parë si heqje edhe simbolikisht e regjimit të dhunshëm jugosllav dhe përpjekjes së tyre që gjithçka ta serbizonin në hapësirën publike shqiptare. Por atëbotë, monumenti "Luftëtarëve të ramë", nuk ishte vënë në objektivin e qytetarëve të entuziazmuar nga liria e çlirimi, për ta rrëzuar. Popullata disi u pajtua me të, sepse kurrë nuk mund ta lexonin qartë, sakaq i vunë emra të ndryshëm. Këdo që e pyesni, o thotë "Luftëtari i panjohur", o "Luftëtari i plagosur", o "Luftëtari i plagosur me fëmijë në duar", o "Luftëtari i rënë", o "Luftëtarëve të ramë"... Duke mos qenë monument i realizuar në mënyrë soc-realiste, sikur ishin shumë monumente të tjera, bashkë me disa obelisqe abstrakte, popullatës nuk i pengonte ky monument. Nuk i pengonte sepse nuk i kushtohej ndonjë luftëtari me emër e mbiemër, as luftëtarëve serbë me emër sllav, por luftë- tarëve në shumës, luftëtarëve çlirimtarë, qofshin të aluduar për luftëtarë antifashistë dhe nacional-çlirimtarë. Sidoqoftë, tani një pjesë e komunitetit të artistëve vizualë, të rinj e të reja aktive në komunën e Gjilanit, duke marrë solidaritet nga shumë organizata e individë që njihen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore historike - herë pas herë në sferën publike - kanë organizuar po ashtu një protestë, në ditën kur botohet kolumna në "Kosova Sot", për të rikthyer monumentin "Luftëtarëve të ramë" aty ku ishte për mbi pesë dekada, përballë Teatrit të Qytetit, në anën e kundërt të rrugës. Ky monument gjendej gati në vijë paralele, por në anën e kundërt të rrugës, me monumentin e Agim Ramadanit. Shoqata e historianëve "Ali Hadri", me degën në Gjilan, kanë përkrahur zhvendosjen e monumentit "Luftëtarëve të ramë", madje kanë kërkuar edhe në rast të vendosjes së sërishme diku tjetër, t'i vendoset një pllakë shtesë për të treguar se në çfarë rrethanash okupuese ishte vendosur ky monument dhe ç'përfaqëson ky monument.

QËNDRIMI I LIDHJES SË HISTORIANËVE TË KOSOVËS

 Grupi i historianëve gjilanas, kanë shkruar dy shkrime lidhur me qëndrimin e tyre pajtues për zhvendosjen e monumentit "Luftëtarëve të ramë". Në shkrimin e parë, që merret kryesisht me historikun e këtij monumenti dhe është më me rëndësi, grupi i historianëve gjilanas, thotë ndër të tjerash: "Luftëtari i plagosur mban në dorë një fëmijë", është simbolika e përmendores në qendër të qytetit të Gjilanit, e ngritur më 16 nëntor 1963 me rastin e 19 vjetorit të "çlirimit" të Gjilanit dhe 20- vjetorit të formimit të Batalioneve të Kosovës në "Serbinë Jugore"... Pra, kjo përmendore përfaqëson "dëshmorët" e rënë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe është ngritur me motive të një politike të re të forcimit të vëllazërimit e bashkimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe atyre të Gjilanit e rrethinës në veçanti...Të shtunën e 16 nëntorit të vitit 1963 në qytetin e Gjilanit, nën kujdesin e organeve të atëhershme qeverisëse dhe drejtuesve politikë të Kosovës, në një miting të madh dhe nën shoqërimin e flamujve jugosllavë, në sheshin "Mareshali Tito" në Gjilan, kishin marrë pjesë: Raja Nedelkoviq, kryetar i shoqatave të Lidhjes së Luftëtarëve të Serbisë, Dushan Mugosha, sekretar i Komitetit Krahinor... Me këtë rast u veçua rëndësia e 650 "luftëtarëve e dëshmorëve" të rënë për "çlirimin" e Gjilanit e rrethinës, Bujanocit, Preshevës, "Serbisë së Jugut", Kosovës e Podujevës." (shih komunikatën e Lidhjes së Historianëve të Kosovës "Ali Hadri" - dega në Gjilan, të botuar në shumicën e medieve lokale gjilanase). Në librin "Pomoravlja e Kosovës në revolucion 1941-1945", Bogomir Stankoviq, duke e ilustruar me fotografi monumentin "Luftëtarëve të ramë", shkruan se inaugurimi ishte bërë në vitin 1964, e jo në vitin 1963, por mos të ndalemi më shumë se cila është datë e saktë, sepse nuk është tepër e rëndësishme. Po sipas të njëjtit burim komunikate, u citua edhe kjo gjë nga kjo shoqatë historianësh: "Të gjithë dëshmorët e kësaj ane - martirë të Revolucionit - për ngadhënjimin e tij, sot më 16 nëntor… thuajse u përtërinë. U ringjallën. Përmendorja e tyre në sheshin "Mareshali Tito" u tha ditën e inaugurimit të kësaj përmendoreje. Këtë përmendore e kishte skalitur skulptori nga Beogradi, Ante Gërzhentiq. Në këtë përmendore u hodhën kurora lulesh, ndërsa pamja e saj llogaritej se e "stolisi qytetin".Si e tillë, kjo përmendore nuk përfaqëson të vërtetën historike të popullit shqiptar në Gjilan e rrethinë, sepse 16 nëntori i vitit 1944 në Gjilan, për shqiptarët nuk konsiderohet si ditë çlirimi, por si ditë ripushtimi, e përcjellë me vrasje e masakra ndaj popullit shqiptar."(po aty)

DISA DILEMA MBI MONUMENTIN

1. Nëse është zhvendosur monumenti "Luftëtarëve të ramë" për shkak se përfaqëson periudhën e 'titistëve', 'nacional- çlirimtarëve dhe antifashistëve', atëherë shumica e shkollave fillore dhe të mesme në Gjilan mbajnë emrat e "Abaz Ajetit", i cili kishte mbajtur Titon mbi supe; shkolla fillore "Selami Hallaçi", shkolla e mesme "Zenel Hajdini", emra që janë përmendur se ishin edhe partizanë komunistë e antifashistë, të dekoruar edhe me tituj të asaj kohe, "heronj të luftës". Kjo do të thotë se duhet të ndërrohen dhe korrektohen edhe dëftesat e dhjetëra gjeneratave që mbajnë edhe emrat e këtyre heronjve komunistë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 2. Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin pjesë e bashkëpunimit me okupatorë të ndryshëm italianë, gjermanë, jugosllavë, etj. Një nga akuzat më të mëdha që na janë bërë, por edhe ka dëshmi historike që kanë ekzistuar, janë brigadat naziste "SS SKËNDERBEGU", të cilat na rreshtojnë kah forcat e së keqes dhe gjenocidit ndaj hebrenjve, ndonëse për shqiptarët, ishte hera e parë që nën okupim, ndiheshin sikur ishin bashkërisht për pak kohë, Kosova dhe Shqipëria. Monumentet antifashiste, janë dëshmi simbolike-kulturore, të cilat mund të na ndihmojnë të themi se "edhe ishim nazistë", por në mesin tonë kishim edhe "komunistë antifashistë", e "antinazistë". Një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, qoftë në rreshtime të gabuara historike, qoftë nën trysninë e ushtrive më të mëdha, qoftë në kryqëzimet historike të cilat është vështirë popujt e vegjël të kuptojnë drejt rreshtimet; qoftë nga lloj-lloj interesash individuale, grupore, nacionaliste, rajonale e globale, etj. Shumë shqiptarë janë mbytur nga komunistët jugosllavë, herë në emër të ideologjisë komuniste, herë në emër të ideologjisë nacionaliste. Shumë shqiptarë po ashtu janë vrarë me njëri-tjetrin, varësisht nga cili rreshtim ideologjik kanë qenë: me Fadil Hoxhën apo Shaban Polluzhën?!

3. Nëse monumenti sikur thotë kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës, është përfaqësim i vëllazërim-bashkimit, dikush mund të thotë se nuk po e mbron "Boron", por vetëm "Ramizin"; nuk po e mbrojmë monumentin në tërësi, por vetëm 'gjysmën shqiptare' të përfaqësuar në këtë monument. Pastaj mbetet ndër të rrallat monumente ku mund të ketë pajtime ndëretnike, sepse për Car Lazarin janë vetëm serbët; për Agim Ramadanin, vetëm shqiptarët, ndërsa për monumentin e "BoroRamizit", të gjitha kombet e pakicat!

4. Referenca dhe memoria kolektive është edhe vendndodhje e caktuar gjeografike. Nëse ishin në qendër të qytetit, shumica e udhëtarëve gjilanas kur e thërrisnin taksistin lokal, kërkonin një 'taksi te përmendorja'. Pavarësisht se ka monument edhe Agim Ramadani, qytetarët gjilanas e dinë se është fjala për ish monumentin e zhvendosur "Luftëtarëve të ramë". Shumica e taksistëve e kanë pasur si referencë kulturore-gjeografike apo si pikë orientuese, monumentin për të cilin po shkruajmë.

5. Mbi gjithçka tjetër, shumica e artistëve të cilët i njoh unë, po e mbrojnë monumentin vetëm për shkak se është ndër monumentet më artistike në nivel vendi. Nëse shohim monumentet e pasluftës, apo edhe ato të kohës së Jugosllavisë, zakonisht iu kanë përshtatur shumë prej tyre realizmit socialist. Monumenti "Luftëtarët e ramë" është i veçantë në kontekstin e kohës për nga vlerat artistike, përbërja prej betoni apo edhe bronzi, me detajet jo krejt të theksueshme, të cilat bien ndesh me socrealizmin jugosllav. Ky monument përfaqëson një 'devijim artistik bashkëkohor dhe desidencë estetike', në kontekst të kohës.

 6 Shumica e suvenireve në Gjilan, dikur ishin me monumentin "Luftëtarëve të ramë", prandaj ky monument ishte bërë simbol, profil dhe identitet i qytetit të Gjilanit.

7. Disa e shohin si zhvendosje e bërë me qëllime të fshehura politike. Sipas këtij perceptimi, Idriz Seferi duke qenë nga ana e Karadakut dhe përqendrimit të familjarëve në fshatin Zhegër, atëherë, qëllimi politik ka qenë përvetësimi i ndjenjave të zhegrasve në zgjedhjet elektorale, pasi që është ndër fshatrat më të mëdha në komunën e Gjilanit. I kishin premtuar gati se të gjithë, se do ta bënin komunë dhe nuk e bënë, prandaj duhej kompensuar premtim e parealizuar, duke e vendosur një monument gjigant të Idriz Seferit në vend të monumentit antifashist jugosllav.

8.Masakra e Gjilanit është ndër përvojat më të dhimbshme në Gjilan, prandaj kjo është ana më e pandritshme e Luftës së Dytë Botërore. Kjo masakër, për shumë njerëz, godet indirekt edhe vlerat që përfaqëson vetë monumenti i "Luftëtarëve të ramë".

(Kosova Sot)