Botimet e reja çlirojnë serbët nga mitologjia e rreme për Kosovën

  • 15 November 2017 - 09:08
Botimet e reja çlirojnë serbët nga mitologjia e rreme për Kosovën

RAPORTET SHQIPTARO-SERBE PËRMES HISTORISË

Rudaku: Këto botime ndihmojnë në ndriçimin e së kaluarës pa britma, qarje e dhembje

"Më herët ishin dy-tri personalitete nga Serbia që pohonin të vërtetën dhe përdornin argumentet lidhur me marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve. Ndërsa tash ka plot zëra në Serbi, deri në Akademinë e Shkencave, të cilët e pranojnë se shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë në të vërtetën e tyre dhe po ashtu edhe në të drejtën për pavarësi. Pra, edhe truri i shkencës serbe ka filluar të shkrihet", ka thënë Frrok Kristaj

Pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj prej fuqive të mëdha ka bërë që edhe shumë prej intelektualëve serbë të 'trimërohen' dhe të dalin hapur në opinion e tyre se tashmë Kosova është e pavarur dhe shqiptarët e Kosovës kishin të drejtë në kauzën e tyre. Madje kjo po bëhet edhe përmes shumë botimeve nga serbë dhe shqiptarë, të cilat jo vetëm që flasin për marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve, raportet mes tyre, konfliktin, por edhe po ndikojnë deri diku në relaksimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, në këtë rast shqiptarëve të Kosovës. Pavarësisht se politika dhe shumë prej institucioneve shtetërore, akademike e kishtare, në Serbi 'vjellin' helm ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, njohësit e zhvillimeve socio-kulturore në vend, me botimet e ndryshme që kanë filluar të botohen, si nga autorë shqiptarë ashtu edhe serbë, në mënyrë të drejtë trajtojnë raportet në mes të shqiptarëve dhe serbëve për shekuj me radhë dhe ato kanë filluar të luajnë një rol në relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve me hasmëri më të gjatë në Ballkan. Në fakt, për këto raporte nuk është se nuk është shkruar, madje ishin serbët ata që kishin sjellë shumë konkludime të drejta sa u përket shqiptarëve dhe të kauzës së drejtë të tyre. E të tilla kanë filluar të shtohen, bile edhe shumë prej atyre që vetëm pak vite më parë ishin në ballë të kauzave serbe kundër shqiptarëve.
Rast për audiencën serbe për t'u përballur me të vërtetën

Në një prononcim për "Kosova Sot", Frrok Kristaj, etnolog dhe njohës i zhvillimeve dhe raporteve serboshqiptare, ka thënë se vitet e fundit ngjallja e vetëdijes te serbët po ndikon në relaksimin e dy popujve. Pasi tashmë kohët e fundit shumë prej personaliteteve serbe, madje edhe nga bota akademike, po pohojnë publikisht që Kosova është e pavarur. E të tillët, sipas tij, po shtohen vazhdimisht. Po botohen libra dhe po shpërndahen duke i dhënë rast edhe vetë audiencës serbe për t'u përballur me të vërtetën."Më herët ishin dy-tri personalitete nga Serbia që pohonin të vërtetën dhe përdornin argumentet lidhur me marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve. Ndërsa tash ka plot zëra në Serbi, deri në Akademinë e Shkencave, të cilët e pranojnë se shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë në të vërtetën e tyre dhe po ashtu edhe në të drejtën për pavarësi. Pra, edhe truri i shkencës serbe ka filluar të shkrihet", ka thënë Kristaj, duke shtuar se në këtë aspekt mund të lidhim shtimin e botimeve me këtë temë.

Propaganda antifqinjësore 

Edhe Avni Rudaku, njohës i çështje socio-kulturore, ka thënë se botimet që trajtojnë marrëdhëniet shqiptaroserbe nga autorë qoftë shqiptarë apo serbë, e çlirojnë rajonin nga mitologjia e rreme, nacionalisteromantike, me propagandë antifqinjësore. Kjo, ka thënë ai, lehtëson komunikimet tona, na mëson për historinë jo vetëm me luftëra dhe brenda popullit serb ka pasur forca diversive politike, që nuk kanë menduar gjithmonë njësoj për shqiptarët, se atje ka pasur socialdemokratë, që kanë qenë kundër fashizmit serb ndaj shqiptarëve. "Këto botime jo vetëm na relaksojnë, por edhe ndihmojnë ndriçimin e së kaluarës pa britma, qarje e dhembje. Botimet lehtësojnë raportet Kosovë-Serbi dhe ndihmohet procesi i njohjes reciproke në dimensione të reja", ka thënë Rudaku.

(Kosova Sot)