Paratë derdhen vetëm në asfalt, kultura mbetet pa investime kapitale

  • 16 November 2017 - 12:33
Paratë derdhen vetëm në asfalt, kultura mbetet pa investime kapitale

Që nga pas lufta, Ministria e Kulturës ka marrë dhjetëra milionë euro për zhvillimet kulturore për çdo vit. Në kuadër të këtij buxheti edhe për investime në infrastrukturën kulturore, dhe në kuadër të politikave të MKRS-së të paktën 12 vjetët e fundit për çdo vit janë premtuar investime kapitale në kulturë. Por, përjashto renovimet e institucioneve, ku jo pak janë përcjellë me akuza për devijime, deri më sot nuk u panë investime kapitale. Edhe kur po i afrohemi dekadës së dytë pas çlirimit, shteti po mbetet pa infrastrukturën e nevojshme për zhvillimet kulturore në kryeqytet. Veçmas për artet elitare, si Operën dhe Baletin, dhe investime për ndërtimin e objektit për to pothuajse u harruan. Duke e lënë kryeqytetin mandej pa një sallë universale, etj, etj. Ndërsa, për komunat as që flitet. Edhe ato premtime që po bëhen, nuk po sjellin shumë entuziazëm, për shkak të sezonit të zgjedhjeve, ku politikës i lejohet gjithçka për të joshur votuesit. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim lidhur me investimet kapitale për kulturë që MKRS-ja parasheh për vitin 2018 dhe vitet në vazhdim. Përderisa për komunitetin artistike nevojat e kulturës janë të mëdha.

Musliu: Me këtë kastë politike nuk mendoj se do të ndodhë diçka e mirë për një të ardhme të afërme

Në një prononcim për "Kosova Sot", regjisori Mahir Musliu ka thënë se tani pas kalimit të fazës emergjente, shteti duhet të kthejë vëmendjen kah kultura dhe infrastruktura kulturore. Pra, sipas tij, duhet të përfundojë odiseada e autostradave dhe asfaltit kot. "Këto mjete tani duhet investuar nëpër kinema e teatro të reja, përkrahje e parezervë për shkrimtarë e artistë. Kësaj shtrese shoqërore duhet përmirësuar kushtet, në mënyrë që ata të krijojnë si të pavarur dhe pa ngarkesa",ka pohuar Musliu, duke shtuar se më mirë të promovohet një kinema diku në një komunë sesa një autostradë Dragash - Kamenicë. Sepse, siç ka thënë ai, edhe ashtu nocioni mbi autostrada është lidhja midis dy shteteve, kurse tani pushtetet këtu nga mosdija se ku të investojnë e kanë bërë trend këtë punë. "Pra, klima dhe atmosfera për të pasur ngritje kulturoreshoqërore është kur shteti do ta shikojë kulturën si diçka ekzistenciale, si ruajtje e qenies shoqërore e shpirtërore. Me këtë kastë politike nuk mendoj se kjo do të ndodhë për një të ardhme të afërme", ka potencuar ai. Ndërsa koreografi Dilaver Kryeziu, është shprehur se, përveç qytetit të Gjakovës, që pak a shumë i plotëson disa nevoja të aktivitete të kufizuara, qytetet e tjera s' kanë as për së afërmi infrastrukturë kulturore.

Rezultate të dobëta në punën artistike

Ndërsa, shkrimtari Ismet Tahiraj konsideron se pa infrastrukturë kultura mbetet tejet e varfër. Sipas tij, me ndërtimin e shtëpive të kulturës doemos edhe komuniteti artistik merr frymën më lirshëm, ngase ka ku e tregon kreativitetin e vet krijues dhe atë potencial. Tahiraj ka vazhduar më tej se me objektet aktuale që janë në shërbim të institucioneve dhe aktiviteteve kulturore, të ngushta jo të mundshme për punë jepen rezultatet të dobëta në punën artistike. " Mungojnë sallat akustike dhe shumë herë gardëroba, sidomos kjo ndodh nëpër komunat me nivel të ulët të zhvillimit rural dhe në mungesë të këtyre hapësirave humbet dhe potenciali i të rinjve për punë të mëtejme", ka potencuar ai, duke shtuar se krejt kjo do të ishte në dobi të kulturës, sikurse buxheti të derdhet në këto hapësira kulture për t' i treguar spektatorëve dhe komunitetit të jashtëm për vlerat tona reale dhe atyre burimore. E, për shkrimtarin Zeqir Fazliu kultura në ditën e sotme po përballet me një sërë të këqijash. "Tash për tash unë nuk po shoh gjëra të mira sa i përket kulturës në Kosovë. Të shpresojmë të bëhet mirë pas zgjedhjeve. Edhe institucionet e kulturës janë kapur nga shteti. Shpallin formalisht konkurse,por çmimet caktohen që më parë. Këto dukuri negative po bëhen haptazi e askush nuk ua prish qetësinë. Të gjithë po heshtim. Nuk është në rregull kjo", ka pohuar ai.

(Kosova Sot)