Aktori që e mposhti frikën nga dështim

  • 16 November 2017 - 20:02
Aktori që e mposhti frikën nga dështim

RRËFEHET AKTORI JAMES FRANCO

E mbante veten vazhdimisht të zënë, nuk i duhej që ta shikonte veten, apo jetën e tij

"Kishte një periudhë, dhjetë vjet më parë, kur unë nuk isha ai James Franco të cilin, papritmas, e njihnin të gjithë, duke i bërë të gjitha këto gjëra. Është sikur kur ndonjë maskë të ngjitet në fytyrë, të cilën nuk mund ta heqësh pa marrë parasysh a je duke bërë shaka, apo je serioz", shprehet aktori James Franco

James Franco gati ka mbërritur në majë të kodrës. Në një pasdite, tash vonë, në Los Anxheles, derisa ngjitet një rruge të rrëpirë që çon deri te Observatori "Griffith", ai fillon që të mendojë rreth jetës së tij. "Po shoh, James, ke mbushur të 40-tat", thotë aktori, i cili në fakt ka 39 vjet. "I kam arritur të gjitha gjërat për të cilat kisha ëndërruar kur isha më i ri. Por, kam kuptuar se këto gjëra nuk do ta mbushin boshllëkun". Derisa i afrohet kulmit të karrierës së tij, ai thotë se nuk frikësohet që të ngadalësojë dhe të përqendrohet, pasi që, gjatë pjesës më të madhe të jetës, kishte 'kërcyer' nga njëri, te projekti tjetër. "Bëj më pak gjëra dhe, bëji ato gjëra që të pëlqejnë, që i do me të vërtetë, duke ua përkushtuar vëmendjen që e meritojnë".

"As që i dëgjoj kritikat"

Për Francon, gjendja e një eksitimi të vazhdueshëm ishte mburojë që e mbronte nga dështimi. "Ishte mekanizëm mbrojtës", thotë ai. "Nëse bëj shumë gjëra dhe, njëra prej tyre del se nuk i pëlqen popullit, tanimë jam duke bërë gjënë tjetër. As që i dëgjoj kritikat. Por, kjo është edhe një ikje", thotë ai duke bërë pauzë. "Nëse e mbaja veten vazhdimisht të zënë, nuk më duhej që ta shikoja veten, apo jetën time". Tani për tani, Franco e ka hequr këmbën nga pedali i gazit dhe, veprat e tij më të reja, tregojnë se ai është i gatshëm që ta marrim më seriozisht si regjisor dhe aktor. Këtë vit ka aktruar vetëm dy javë gjithsej, në filmin e vëllezërve Coen, "The Ballad of Buster Scruggs", i cili do të fillojë që të shfaqet në vitin 2018 në "Netflix". Ai ka bërë regjinë dhe luan në filmin e ardhshëm "The Disaster Artist", i cili do të fillojë që të shfaqet në kinema më 1 dhjetor. Dhe, seria e tij në HBO, "The Deuce", në të cilën ai luan rolin e binjakëve, është përzgjedhur për një sezon të dytë. "Personi im publik është kjo pjesa e çuditshme e imja, por nuk është pjesë e imja", thotë ai. "Kishte një periudhë, dhjetë vjet më parë, kur unë nuk isha ai James Franco të cilin, papritmas, e njihnin të gjithë, duke i bërë të gjitha këto gjëra. Është sikur kur ndonjë maskë të ngjitet në fytyrë, të cilën nuk mund ta heqësh pa marrë parasysh a je duke bërë shaka, apo je serioz". Franco, i cili u bë i famshëm në industrinë e filmit si hamshor i shkollës së mesme, në serinë e vitit 1999, "Freaks and Geeks", ka përshkuar njërën prej trajektoreve më intriguese, ndonjëherë edhe skizofrenike, në Hollivud. Karriera e tij sikur përbëhet nga shumë karriera të vogla. Por, tani Franco-ja i ri dëshiron që të punojë më shumë në raportet e tij personale. 

Pëlqen rrëfimet e vjetra hollivudiane

Ai ka bërë edhe ndryshime të tjera, psh duke e mbyllur "Instagramin", gjë që, sipas tij, e ka bërë të ndihet shumë më i lirë. Ngjarja e filmit "The Disaster Artist" ishte si e bërë për Francon, i cili pëlqen rrëfimet e vjetra hollivudiane. Në këtë film ai luan rolin e një aktori dhe regjisori nga jeta reale, Tommy Wiseau, i cili ishte 'krijues' i atij që me të madhe konsiderohet filmi më i keq që është bërë ndonjëherë, filmi i vitit 2003, "The Room". Filmi "The Room" ka një ngjarje të ndërlikuar dhe flet rreth një njeriu (Wiseau), i cili zbulon se shoku i tij më i mirë (Sestero) e kishte tradhtuar, duke ia marrë të dashurën. Me rastin e premierës së filmit "The Room", shikuesit qeshnin në momente tërësisht të gabueshme. Por, në vend se të zhdukej përjetë, Wiseau filloi ta shfaqte filmin e tij në mesnatë, ku shikues ishin studentët. Ata e shikonin filmin vetëm që të mund të talleshin me të. Por, Wiseau thotë se filmi i tij ka zemër, sikur të ishte qenie njerëzore. Franco mahnitet nga aftësia e Wiseau't që ta bëjë një kthesë drastike prej 360 shkallësh, duke tejkaluar talljet që ia bënin të tjerët, dhe duke u shtirë kinse ai ishte ai që tallej me të tjerët. Franco kështu, u mësua edhe vet sesi ta tejkalonte frikën nga dështimi. 

(Kosova Sot)