Rolet më sfiduese të aktorëve

  • 17 November 2017 - 17:09
Rolet më sfiduese të aktorëve

DICAPRIO U DETYRUA TË HANTE MËLÇI TË PAPJEKUR

Anne Hathaway e donte rolin e Fantines, saqë mbajti një dietë të pashëndetshme për tëhumbur peshë

Derisa ka aktorë që marrin vetëm role të lehta, duke bërë pikën e sefasë dhe duke përfituar nga pamja e tyre e bukur, ka edhe të tillë që e sfidojnë veten me role të vështira, për t'iu treguar shikuesve se nga çka janë bërë

HUGH GLASS (THE REVENANT) - LEONARDO DICAPRIO

Aktori Leonardo DiCaprio ka qenë pjesë e elitës së Hollivudit për një kohë të gjatë, që nga koha kur ishte fëmijë. Por, përkundër kësaj, ai nuk arriti të bëhej me Oskar deri në vitin 2016, kur e mori këtë shpërblim në kategorinë e aktorit më të mirë, për rolin e tij në filmin "The Revenant". Ky nuk ishte film i lehtë për të, meqë ishte bërë në Alberta të Kanadasë, në muajt më të ftohtë të vitit. "Çdo ditë ishte betejë e re për veten time dhe për të tjerët, që të mos binim në hipotermi", thotë aktori, i cili që nga viti 1992 ishte vegjetarian, por që në skenë u detyrua që të hante mëlçi të papjekur. 

RON WOODROOF (DALLAS BUYERS CLUB) - MATTHEW MCCONAUGHEY

Secili rol i ka sfidat e veta, por asnjëra sfidë nuk është e pakapërcyeshme për aktorin Matthew McConaughey. Në vitin 2012, McConaughey ishte paraqitur në rolin e Ron Woodroofit në filmin "Dallas Buyers Club", ku personazhi i tij vuante nga sida. Për shkak të kësaj, McConaughey u detyrua që të humbte rreth 20 kile, me qëllim që të përshtatej me rolin e një të sëmuri nga sida, në etapën përfundimtare të saj. 

DR. RYAN STONE (GRAVITY) - SANDRA BULLOCK

Në vitin 2013, Sandra Bullock mori rolin e Dr. Ryan Stone, në filmin e fantazisë shkencore, "Gravity". Përkundër aktrimit tepër të suksesshëm të Bullock-ut në këtë film, para saj për këtë rol ishin paraparë shumë aktore të tjera, si Natalie Portman, Blake Lively, Scarlett Johansson, Marion Cotillard dhe Angelina Jolie. Por, aktoret në fjalë e kishin refuzuar këtë rol, për shkak se ai ishte i komplikuar. Mirëpo, Bullock nuk ishte frikësuar nga sfida. "Ishte një kuti e vogël në të cilën ngrihesha në një platformë. Më pas kisha edhe një parzmore të hekurt në bel", përshkruan aktorja vetëm disa prej peripecive të saj në këtë film. 

FANTINE (LES MISÉRABLES) - ANNE HATHAWAY

Nuk është aspak sekret fakti që aktorët nuk hezitojnë të bëjnë të pamundurën që ta marrin rolin që e duan. Dhe, mund të thoni çka të doni për Anne Hathaway si njeri, por kur flitet për aftësitë e saj për aktrim, atëherë ajo është e përkryer. Rolin e Fantines ajo e donte aq shumë, sa që nuk hezitoi as ta mbante një dietë të pashëndetshme, për të humbur peshë, në mënyrë që të përshtatej sa më shumë me rolin. Për më tepër, ajo preu edhe flokët dhe bëri kërkime të shumta rreth prostitucionit, krejt për hatër të rolit.

HANNIBAL LECTER (THE SILENCE OF THE LAMBS) - SIR ANTHONY HOPKINS

Sir Anthony Hopkins është nga ata aktorët që kurrë nuk dështojnë në film. Megjithatë, ai u ballafaqua me disa vështirësi gjatë bërjes së filmit "The Silence Of The Lambs". Hopkins, i cili në këtë film u paraqit në rolin e Hannibal Lecter, më pas mori Oskarin për këtë rol, por ky shpërblim e pati koston e tij. Në mënyrë që ta luante rolin sa më mirë, Hopkins u detyrua që të hynte në mendjen e një vrasësi serik të shndërruar në kanibal, gjë që ishte shumë shqetësuese. Për më tepër, ai e luajti këtë rol jo një, por tri herë. Kur iu afrua mundësia që të paraqitej me këtë rol edhe herën e katërt, ai u dorëzua, nuk pranoi. 

PATSEY (12 YEARS A SLAVE) - LUPITA NYONG'O

Lupita Nyong'o mund të mos jetë aktorja më e njohur në Hollivud, por është vetëm çështje kohe para se të bëhet e tillë. Me rolin e saj, si Patsey, në filmin e vitit 2013, "12 Years a Slave", ajo i tregoi botës se sa e guximshme dhe e talentuar mund të jetë. Ky nuk ishte një rol i lehtë, meqë Patsey ishte një punë- tore e abuzuar e plantacionit. Aktorja tregon se, gjatë bërjes së këtij filmi, kishte problem me pagjumësinë, por meqë kjo ishte paraqitja e saj e parë në film, punën e bënte me zell dhe dëshirë e pasion të madh. 

(Kosova Sot)