KTHIMI I PAKTHIM I ARTEFAKTEVE APO KOPJET E TYRE SI KADASTRA?!

  • 18 November 2017 - 08:45
KTHIMI I PAKTHIM I ARTEFAKTEVE APO KOPJET E TYRE SI KADASTRA?!

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Serbia tregon se ajo po ngulmon në përvetësimin e këtyre artefakteve si serbe dhe nga Kosova, duke e përdorur këtë trashëgimi madje për të drejtën pronësore ndaj Kosovës për shumë shekuj! Sidoqoftë, në Kosovë nuk u krijua debat i mirëfilltë për këtë temë, duke thirrur përfaqësuesit e Muzeut Etnologjik dhe muzeve të tjera të Kosovës.

Duket qesharake kur politikanët në Kosovë thonë se do të kthehen artefaktet arkeologjike dhe etnologjike, ndërsa në anën tjetër, ne kemi lajmin për ekspozitën me artefaktet e marra nga Kosova gjatë luftës së fundit, në kryeqytetin serb. Atje ato nuk janë prezantuar as si trashëgimi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Kosovës, aq më pak, si trashëgimi e shqiptarëve, por vetëm si trashëgimi kulturore-historike, për të mbrojtur qëndrimin e kamotshëm se Kosova është "Jerusalemi i Serbisë", madje me emërtimin si "oborr kishtar". Nga disa medie që kemi përcjellë nga Serbia, jemi informuar se interesimi për këtë ekspozitë, ka qenë jashtëzakonisht i lartë, duke u përmendur edhe shifra me "mijëra", apo edhe "një mijë vizitorë në ditë". Këtë e lajm e kanë transmetuar edhe disa nga mediet shqiptare nga ato serbe. Sipas një medias serbe, ekspozita ishte hapur prej 27 shtatorit e deri më 12 nëntor. Ndërsa sipas transmetimeve të medieve shqiptare, ekspozita për shkak të interesimit, do të jetë e hapur deri më 26 nëntor, ndonëse kjo nuk është aq e rëndësishme në kuptimin e përgjithshëm. Ekspozita është kumtuar se është mbajtur nën titullin: "Trashëgimia artistike serbe në Kosovë dhe Metohi: Identiteti, rëndësia dhe rrezikimi". Që në titull është serbizuar çdo artefakt dhe eksponate arkeologjike dhe etnologjike, ndonëse kanë dominuar afreskat e kishave, katedraleve apo manastireve ortodokse, si në Suharekë, Deçan, etj. Po ashtu, nga vetë titulli është bërë për të treguar propagandën se vazhdon rrezikimi i trashëgimisë 'kulturore-serbe' në Kosovë, prej luftës së fundit nga pala shqiptare, duke vënë në pah gjithmonë trazirat e marsit 2004. Kjo ekspozitë, sipas burimeve serbe, është mbajtur në bashkëpunim të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Kishës Ortodokse Serbe, Muzeut Kombëtar në Beograd, etj. Imagjinoni po ashtu një ekspozitë të organizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Bashkësia Islame e Kosovës - ndonëse një katalog nga kjo e fundit, ka qenë shumë i rëndësishëm për të dokumentuar dëmtimet e trashëgimisë islame në Kosovë gjatë luftës 1997-1999 - dhe sa do të fetarizohej këndvështrimi mbi të kaluarën, por në Serbi roli i Kishës Ortodokse vazhdon sikur në luftë, sikur në paqe, të mbetet shumë i fuqishëm! Disa citime që gjetëm nga organizatorët e kësaj ekspozite, ndër të tjerash, me parafrazim, thoshin se, nuk duhet të lejojmë zhdukjen e asaj që na përcakton vetë qenien tonë, duke aluduar në akuzat ndaj shqiptarëve me falsifikim të identitetit të tyre dhe se Kosova (Kosovo e Metohi sipas fjalorit të tyre!) ka qenë dhe mbetet djepi i identitetit të serbëve. Ndërsa nga një burim tjetër mediatik, thuhet si në vijim: "Duke i lejuar Kosovës që t'i bashkohet UNESKO-s, trashëgimia kulturore serbe do të vuante edhe më shumë sesa nëpërmjet shkatërrimit të organizuar, të cilin e kujtojmë nga viti 1999 dhe 2004."

 RRENAT E KULLUARA PËR 'VETËDIJESIMIN' E POPULLIT SERB

Duke lexuar edhe disa medie të tjera se si e pasqyronin ekspozitën e mbajtur në Beograd me artefaktet e marra të Kosovës, dhunshëm nga Serbia, thuheshin edhe këto gjëra, nëse parafrazojmë se: Pjesa e parë e ekspozitës ka për qëllim për të ndihmuar me ekspozitat e përzgjedhura, që paraqesin një identitet të veçantë kulturor të trashëgimisë serbe artistike dhe shpirtërore në Kosovë, e cila ishte krijuar dhe zhvilluar prej shekullit XII e deri në shekullin e XX. Kjo sipas tyre, ka lindur si një përgjigje ndaj nevojave të shtetit dhe kishës, për t'i dhënë vëmendje të veçantë arritjeve të themeluesit dhe donatorit për të krijuar një identitet dhe profilizim. Po sipas të njëjtit burim informacioni, pjesa e dytë e ekspozitës kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për identitetin e qartë dhe dobësinë e kësaj trashëgimie kulturore. Po ashtu, thoshin se, me ndihmën e materialit dokumentues, ekspozita do të paraqiste forma të ndryshme të rrezikut dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë nga shqiptarët! Nga këto burime, thuhej se kishte ekspozim të ikonave, kopje afreskash, bizhuteri, gurë, plastikë, fragmente afreskash, mbishkrime dhe eksponate të tjera. Në fund të këtyre shkrimeve në mediet serbe, thuhej se me rastin e kësaj ekspozitë ishin bërë edhe tri botime mbështetëse apo katalogë, si në gjuhën serbe dhe në atë angleze. Pra, ndër të tjerash, qoftë edhe e zakonshme, por nga gjuha propaganduese shihet se qëllimi është për të krijuar përshtypjen se shqiptarët kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore-serbe në Kosovë, të mos anë- tarësohet Kosova në UNESCO, se artefaktet janë serbe dhe nga Kosova, por në asnjë mënyrë shqiptare dhe nga Kosova, apo pasuri kulturore e të gjithë qytetarëve të Kosovës, si trashëgimi e përbashkët. Në një burim po ashtu tjetër serb mediatik, gjetëm se nga kjo ekspozitë ka pasur edhe mbishkrime nga shekulli X, duke na dhënë edhe neve informacione se çfarë mund të ketë në artefaktet e marra nga Kosova gjatë luftës së fundit, si brez i ri që nuk e dimë saktësisht se çfarë mund të ishin këto artefakte! Po në një kanal informimi serb, thuhej se që nga viti 1999, në territorin e 'krahinës jugore serbe' janë shkatërruar ose dëmtuar pjesërisht, më shumë se 150 kisha dhe manastire ortodokse. Mediet serbe kanë raportuar se me shkas këtë ekspozitë, do të bëhet edhe një grumbullim i donacioneve për të rindërtuar e rinovuar kishat dhe manastiret serbe në Kosovë. Një citim nga një zyrtar serb, duke e parafrazuar, thoshte se fëmijët tanë serbë në Serbi duhet ta dinë se në Patrikanën në Deçan, aty ishte edhe afreska ku ishte varri i perandorit Dushan. Ky citim i parafrazuar nga një zyrtar serb tregonte se si kjo ekspozitë ishte për të 'vetëdijesuar' popullin serb për rëndësinë që ka Kosova për identitetin serb, dhe sikur jepte njëfarë nënkuptimi, sipas opinionit tonë, se 'rinia e Beogradit nuk e njeh mirë historinë e Kosovës dhe duhet t'ia mësojmë atyre atë"!

STRATEGJIA KOMBËTARE PËR TRASHËGIMINË KULTURORE 2017-2027 NGA MKRS-JA

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka publikuar para pak kohësh një dokument me titull mjaft bombastik: "Strategjia Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2017-2027", duke pretenduar se ka strategji madje për një dekadë. Le të ndalemi në strategjinë për vitin 2017- 2018 dhe nëse nuk veprohet me shumë strategji të tjera të vërteta, do të kalojmë edhe shumë kohë, për të dëgjuar lajme se artefaktet e marra me zor nga Serbia, do të ekspozohen në Beograd! Le të ndalemi në një pikë të rëndësishme të këtij dokumenti: "[1.1.3] Zbatimi efektiv i legjislacionit dhe politikave për trashëgiminë kulturore - Vendosja e mekanizmave të monitorimit dhe zbatimit, - Menaxhimi i zbatimit, - Themelimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, * - Kthimi i thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës dhe i dokumentacionit arkivor të trashëgimisë kulturore nga Serbia; Qeveria / MKRS / Institucionet vartëse (2017-2018)" (Shih dokumentin nga MKRS-ja, me titull: "Strategjia Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2017-2027", f.47) Çfarë mund të thotë MKRS-ja për ekspozitën në Beograd? Imagjinoni edhe paradoksin tjetër, ministri për kulturë sikur të shkonte si vizitor në këtë ekspozitë! (Nuk do të duhej kurrë të shkonte, por po e themi në mënyrën më cinike!) Në rregull, të mos paragjykojmë edhe në këtë rast e ta presim efikasitetin e strategjisë për të kthyer artefaktet në vitin 2018!

PROPOZIMI GJITHËPËRFSHIRËS PËR MARRËVESHJEN PËR STATUSIN E KOSOVËS

Sërish duhet t'i rikthehemi një dokumenti tjetër bazë të shpalljes së deklaratës së pavarësisë së Kosovës! Le të lexojmë edhe për të satën herë dhe ta shkruajmë në këtë kolumne, nenin 6": "Kthimi i Artefakteve Arkeologjike dhe Etnologjike 6.1 Republika e Serbisë brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, do t'i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999." (shih dokumentin e Ahtisaarit, viti 2007, f.44) Jemi në vitin 2017, sikur e kemi përsëritur edhe herë të tjera në artikujt rreth kësaj teme dhe po bëhen 10 vjet nga dokumenti i Ahtisaarit dhe po ashtu, nëse marrim parasysh 120 ditë pas hyrjes në fuqi, i bie që para dhjetë vjetësh ta kishim thesarin arkeologjik dhe etnologjik në Kosovë! Ndërsa paradoksi është se në vitin 2017 dëgjojmë lajmin se artefaktet e Kosovës janë ekspozuar në Beograd! Ky lajm, cinikët do të bënin humor me politikanët shqiptarë, duke thënë: "Arsyeja pse e kanë bërë serbët këtë ekspozitë, është fakti se do të na kthejnë dhe ka qenë ekspozitë lamtumirëse me artefaktet e Kosovës!"Të tjerë mund të thonë se "kjo vetëm dëshmon se sa të rëndësishme për Serbinë janë këto artefakte dhe me këtë ekspozitë, vetëm e kanë rritur fuqinë negociuese në të ardhmen, nëse diskutohet për këto çështje!" Po ashtu, të tjerë mund të thonë se "ngjashëm me kopjet e kadastrës, Serbia do të pranon vetëm t'i printojmë në fleta apo do t'i marrim kopjet e artefakteve!" Sidoqoftë, Serbia tregon se ajo po ngulmon në përvetësimin e këtyre artefakteve si serbe dhe nga Kosova, duke e përdorur këtë trashëgimi madje për të drejtën pronësore ndaj Kosovës për shumë shekuj! Sidoqoftë, në Kosovë nuk u krijua debat i mirëfilltë për këtë temë, duke thirrur përfaqësuesit e Muzeut Etnologjik dhe muzeve të tjera të Kosovës, ministrin për kulturë, rini dhe sport, zyrtarë ndërkombëtarë, negociatorë kosovarë në bisedimet me Serbinë, etj., në mënyrë që të kuptohet ecuria e bisedimeve rreth kthimit të artefakteve arkeologjike dhe etnologjike, të cilat janë pranuar edhe në dokumente ndërkombëtare si Pako e Ahtisaarit, se do të ktheheshin pas 120 ditësh!!!

(Kosova Sot)