Mitologjia dhe bota bashkëkohore, të ndërthurura me finesë

  • 18 November 2017 - 15:31
Mitologjia dhe bota bashkëkohore, të ndërthurura me finesë

SHKRUAN: ARMEND PRETENI

KRITIKË LIBRIT "LOTËT E BABAIT TIM", SHKRUAR NGA JOHN UPDIKE

Në artin e të shkruarit, John Updike vlerësohet si një ndër novelistët më të shquar, krijimtaria e tij shprehet përmes një stili të sofistikuar, pavarësisht që përshkrimet herë- herë dalin nga binarët e vrojtimit, megjithatë në brendi përmbajnë ngjyrë vetëjetëshkrimore, që çdonjëri mund ta gjejë veten.

J ohn Updike (1932 - 2009), ishte mjeshtër i rrëfimit, në veprat e të cilit gërshetohen mitologjia dhe bota bashkëkohore, të ndërthurura me finesë. Fillet e Updike-s në Letërsinë amerikane, zyrtarisht datojnë nga viti 1955, kur ai fillon t'i botojë poezitë e tregimet e para në revistën "The New Yorker".Për të vazhduar me botimin e romaneve: "Rabbit Run", "The Cenaur", dhe novelave: "Music School", "Bech:A Book" e të tjera. Libri me novela i titulluar: "Lotët e Babait tim", përbëhet prej pesë novelave: "Përhershmëria e Dëshirimit", "I dashur Aleksandros", "Bashkëshortet Brishtake", "Si ishte, në të vërtetë" dhe "Lotët e Babait tim", në të cilat autori trajton disa tema me prioritet, siç janë: prindërit, fëmijët, bashkëshortët, duke e ndërlidhur të kaluarën me të tashmen. Rrëfimi te "Lotët e Babait tim" na zgjon emocion dhe nostalgji për prindërit tanë, pasi çdonjëri nga ne e ka një tregim që ndërlidhet me ta ndër vite. Në këtë rast, edhe autori ndan me ne historinë e tij, kur në stacionin e trenit në Alton (qytet industrial), e kishte parë duke qarë babanë e tij për herë të parë.

 MOMENTI PREKËS, PËRSHËNDETJA ME PRINDËRIT NË STACION

 Atëbotë si student i vitit të dytë, i priste me padurim ditët e pushimit, që të shkonte në vendlindje për t'i takuar prindërit, ku mu në stacionin e trenit në Alton e kishte blerë dhe pakon e parë të cigareve, dhe kishte filluar ta konsumonte, sipas tij për t'u barazuar me moshatarët më të shquar. Edhe nëna ishte një lexuese e pasionuar, dhe kishte lidhje me stacionin, pasi ishte i vetmi vend në qytet ku bliheshin revistat e tilla, si: "The American Mercury", gjithashtu dhe biblioteka "Caregie" që gjendej aty pranë të ofronte një qetësi shpirtërore. Kjo qytezë, padyshim ia kujton dhe kohën kur ai si nxënës dhe i ati si mësimdhënës shkonin në shkollë, respektivisht punë, me vetura të stërvjetruara që mezi ndizeshin. Moment prekës ishte përshëndetja me prindërit në stacion, gjersa Xhimi merrte rrugën për në Boston South Station, vendin ku studionte dhe e priste e dashura Debi që ta përqafonte. Në vitet kur sapo ishin martuar, dhe ende nuk kishin fëmijë, Xhimi dhe Debi e kalonin nga një muaj vere tek çdonjëri çift i prindërve, për t'u çmallur me ta. Babai i saj ishte një prift protestant, me të cilin nuk ishte mësuar, gjersa babai i tij kishte shkathtësi të mjaftueshme mbijetimi. Rasti i vetëm kur ai e kishte shikuar vjehrrin si njeri të shenjët, ka qenë rasti kur ai ju kishte folur me butësi tri bijave të tij. Ndoshta kjo për faktin se ai vuante nga sëmundja e Alzhamerit e cila ja kishte kapluar trurin, pasi në shërbesën përkujtimore të gruas së tij, e cila kishte vdekur nga kanceri, ai nuk ishte i vetëdijshëm që po e përkujtonin atë. Fatkeqësisht, pas vdekjes së saj, shëndeti i tij u përkeqësua edhe më, saqë kur e dërguam në spital ai po dëneste dhe ishte Xhimi që po e ndihmonte, pavarë- sisht se po e kalonte një krizë në martesën e tij. Pas sfidës, ai bashkë me Debin marrin rrugën për në Alton, gjatë kësaj kohe u lind edhe vajza e parë Kërthrina, e cila solli gëzimin në familje. Vitet kalonin me vrull, tani ata ishin vendosur në Masaçusets ku dhe ishin takuar, tashmë edhe tre fëmijë tjerë ju kishin lindur. Një nga pjesët më me emocion është kur ai fluturon nga Bostoni për në Nju- Jork me aeroplan dhe magjepset nga ujëvarat e Konektikatit, jo vetëm me lumenjtë, por edhe me pellgjet, të cilat për disa sekonda hodhën dritë të argjendtë drejt qiellit për të. Lotët e Babit, e kishin mbajtur dritën për një moment.

LAUREAT I DISA ÇMIMEVE PRESTIGJIOZE

Derisa ai dhe Debi ndodheshin në Itali, duke u përpjekur ta shpëtonin martesën, e cila po kalonte një "krizë", babai i tij z.Werley, ishte sëmurë rëndë nga një goditje në zemër dhe urgjentisht ishte shtruar në spital. Në këtë gjendje, ata arrinin t'i sigurojnë biletat për në Filadelfi, bënë një fluturim drejt Londrës, dhe me të arritur në hotel Xhimi e thërret të ëmën për ta pyetur për babanë, i cili tashmë kishte ndërruar jetë. Lajmin e hidhur ia kumton edhe Debit, edhe pse nuk qanë në ato çaste, siç e thotë edhe vetë: Lotët e babit tim i kishin shterur të mitë. Pas vdekjes së tij, ai dhe Debi u shkurorëzuan, mirëpo Xhimi u martua me Silvinë, e cila kishte afërsi më të madhe me shoqërinë e shkollës së mesme, me të cilët Xhimi takohej me raste, nga të cilat veçon rastin kur sekretarja e klasës Ann Mahhom, tashmë e zbardhur merr mikrofonin për ta parashtruar një pyetësor kujtese nga ditët e dikurshme. Ata nuk ishin vetëm shokët e tij të klasës, por edhe nxënësit e babait të tij, emri i të cilit u përmend disa herë z.Werley. Gjatë karrierës së tij prej shkrimtari, John Updike ishte laureat i disa çmimeve prestigjioze si: Çmimit të librit kombëtar për veprën "Kentauri" (1963), Çmimit letrar "Pulicer" (1982, 1991), i dekoruar me "Medaljen Kombëtare të Arteve" nga Presidenti Xhorxh H.U Bush (1989), gjithashtu fitues i çmimit "Kepi i Shpresës së mirë: Fahredin Gunga" (2007), ku në letrën e tij Updike, shpreh kënaqësinë e tij për rrëmbimin e këtij çmimi nga Republika e Kosovës, ndër të tjera shkruan, citoj: Çmimi letrar "Kepi i Shpresës së mirë", pikërisht me emrin e vet frymëzon një shpresë të mirë me rastin e këtij manifestimi të lumtur, ku një shtet i ri, i jep një qytetari të një shteti të vjetër që me vete ndihet akoma i ri. Ju keni mirënjohjen time dhe përmatanë oqeanit, përshëndetjet e mia, kishte shkruar John Updike.

(Kosova Sot)