Zhgënjimi i artistëve

  • 20 November 2017 - 09:34
Zhgënjimi i artistëve

PRITJE TË PAKTA TË KOMUNITETIT ARTISTIK PËR DREJTUESIT E RINJ TË KOMUNAVE KOSOVARE 

Që nga dita e sotme komunat kosovare do të bëhen me udhëheqësi të re në nivelin politik edhe për katër vjetët e ardhshëm. Shumë prej tyre bëhen me figura të reja udhëheqëse, por të pakta janë pritjet e komunitetit artistik nëpër komunat kosovare. Gjithë ky 'zhgënjim' i komunitetit artistik kosovar me drejtuesit e rinj vjen pasi, siç kanë thënë ata, gjatë gjithë fushatës zgjedhore, debateve të ndryshme asnjë prej pretendentëve për të marrë postet drejtuese nëpër komunat kosovare, nuk u tha ndonjë fjalë për kulturën dhe zhvillimet kulturore. Gjithçka, sipas tyre, ishte vetëm fushatë dhe nuk është parë ndonjë projekt, qoftë në infrastrukturë ose diçka tjetër për të shtyrë zhvillimet kulturore, qoftë në Prishtinës apo komunat e tjera në vend. 

Skepticizëm për zhvillimet kulturore në vend

Shkrimtari gjilanas Zeqir Fazliu, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur mjaft skeptik rreth punës që mund të bëjnë drejtuesit e rinj të komunave kosovare për zhvillimet kulturore. "Unë s'di gjë, ose s'më kujtohet që ata kanë dhënë ndonjë ide, apo ndonjë propozim të mirë për kulturën. Ata po flasin për ndonjë trotuar, për ndonjë parking, për ndonjë çerdhe", ka thënë Fazliu. Ndërsa ka thënë se është interesante se askush s'ka folur për punësimin e njerëzve, apo eventualisht për ndonjë fabrikë. Sipas tij, askush s'ka folur për përmirësimin e jetës në Kosovë, që të mos ikin njerëzit tanë jashtë, por kanë folur për gjëra sekondare e të parëndësishme, e jo për jetën dhe standardin e njerëzve tanë. Edhe Ilir Muharremi, kritik arti dhe profesor në UP, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se së pari kandidatët premtojnë, për shkak marrjes së votave dhe është e vështire që disa kandidatë të pakulturuar të premtojnë për kulturë. 

Vështirë të dilet nga ky ferr kulturor

Më tej, ai ka thënë se në debatet e zhvilluar gjatë fushatës nuk është folur fare për kulturën. "Pyetjet që do t'iu bëja kandidatëve është se cila është shfaqja e fundit që kanë parë? Libri i fundit që kanë lexuar? Ekspozita e fundit që kanë parë? Besoj që nuk do t'iu kujtohet kjo. Me siguri nëpër muret e shtëpive të tyre nuk ka asnjë pikturë ose bibliotekë të rrejshme, ku asnjë libër nuk e kanë lexuar", ka pohuar Muharremi, duke shtuar se nga ky ferr kulturor vështirë të dilet, derisa udhëhiqemi nga të pakulturuarit. Muahrremi ka thënë se vetë qytetarët duhet të vetëdijesohen edhe duke vlerësuar kulturën, duke e shijuar atë dhe që në të ardhmen të mos i votojnë ata që nuk e meritojnë të udhëheqin institucionet. Edhe shkrimtari kryeqytetas, Dan Ibrahimi ka thënë se kultura po mbetet ende në fund të listës së atyre që kërkojnë votën e qytetarëve. Bile, ka thënë ai, edhe më keq, ata po tregohen si njerëz që nuk dinë për kulturën dhe si të tillë edhe kur flasin për të japin premtime shkel e shko. "Premtime jo të qëlluara, sepse kanë dëshmuar që nuk e njohin kulturën dhe problemet themelore rreth saj. Edhe po t'i realizojnë premtimet, përsëri del se nuk i kanë ndihmuar as do t'i ndihmojnë kulturës", ka thënë Ibrahimi, duke shtuar se kultura aq shumë është lëne prapa, sa së pari ka nevojë për korniza bazike zhvillimore.

(Kosova Sot)