Bashkëpunime sa për të marrë ndonjë mëditje

  • 23 November 2017 - 08:51
Bashkëpunime sa për të marrë ndonjë mëditje

SHKËMBIMET KULTURORE TË KOSOVËS ME INSTITUCIONET E LUGINËS SË PRESHEVËS

Rudaku: Bashkëpunimet nuk kanë dhënë as botime librash cilësorë, as film të mirë artistik

"Institucionet tona mbase nuk kanë bërë gjë për kulturën brenda Kosovës, andaj është absurde se këto institucione me energjinë kulturore që kanë mund ta ndihmojnë Luginën e Preshevës", ka thënë Mahir Musliu

I nstitucionet shtetërore dhe kulturore kosovare që nga pas lufta vazhdojnë t' i injorojnë bashkëpunimet kulturore me Luginën e Preshevës. Pavarësisht pohimeve të liderëve të të dyja anëve, se në krye të agjendës janë shqiptarët e Luginës dhe ruajtja e etnisë në atë pjesë shqiptare. Me pak përjashtime, në shumë raste për përfitim të ndonjë çmimi apo mëditjeje, që nga pas lufta nuk është shënuar ndonjë bashkëpunim kulturor që do të linte gjurmë në mes institucioneve kosovare dhe atyre të Luginës. Për njohësit e zhvillimeve kulturore në vend, mungesa e bashkëpunimeve të mirë- fillta në mes të institucioneve kulturore të Kosovës dhe Luginës së Preshevës pothuajse nuk ekzistojnë. Edhe atëherë kur flitet për ndonjë aktivitet, kryesisht nga Kosova për në Luginë më shumë kemi të bëjmë me lidhje miqësore të organizatorëve, ose me ndonjë interes te veçantë, kur premtimet për një çmim del të jenë ndarë për motive të ndryshme.

Politika institucionale kulturore nuk ka bërë asgjë

Në një prononcim për "Kosova Sot", Avni Rudaku, ekspert në çështjet socio-kulturore, ka thënë se bashkëpunimet në mes të Kosovës dhe Luginës së Preshevës janë kryesisht me lidhje miqësore të organizatorëve. Sipas tij, bën që të mos qarkullojnë vlerat më të larta artistike-kulturore, por kryesisht armiqësore-kulturore! E kjo shihet mjaft qartë, duke përmendur fushën e librit , filmit, apo edhe arteve prioritare. "Bashkëpunimet nuk kanë dhënë as botime librash cilësore, as film të mirë artistik, as shfaqje baleti a opere, as shfaqje kushedi se çfarë artistike, etj. Bashkëpunimet bëhen në mënyrë jo sistematike e të krijimit të një tradite të fuqishme", ka thënë Rudaku për "Kosova Sot". Ndërsa, regjisori Mahir Musliu ka qenë më i ashpër në vlerësimin e tij rreth bashkëpunimeve kulturore në mes të Luginës dhe Kosovës. Bile, ai ka thënë se trajtimi dhe politika institucionale kulturore në vend nuk kanë bërë asgjë për Kosovën dhe, siç ka thënë ai, si të tilla nuk mund të pritet ndonjë ndryshim në raporte me Luginën. "Po mendoj që institucionet tona mbase nuk kanë bërë gjë për kulturën brenda Kosovës, andaj është absurde se këto institucione me energjinë kulturore që kanë mund ta ndihmojnë Luginën e Preshevës", ka thënë Musliu.

Politikat shtetërore

Sipas Musliut, shqiptarët atje që një kohë përdoren si kartë patriotike nga parti të ndryshme politike, kurse nga atje çdo ditë shpërngulen njerëz që kanë synim Kosovën, Shqipërinë ose Evropën, kjo edhe është politikë shtetërore e Serbisë që të dëbohen sa më shumë shqiptarë nga ajo pjesë. Pra, dikush, ka thënë ai, mund të thotë se nuk ka lidhje kultura me politikën, nëpër shtetet e Ballkanit thuaja gjithçka lidhet ose varet nga politika, sepse ajo ka kontroll mbi financat. "Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të pavarura, duhet hartuar politika shtetërore përmes së cilave duhet ta dëshmojnë përkujdesjen ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë hapësirave administrative të këtyre dy shteteve", ka pohuar regjisori Musliu, duke shtuar se ky përkushtim duhet bërë në konsultim me qeverisjet lokale në komunat përkatëse në Luginë. Andaj, ajo ndihmë duhet të jetë e përvitshme dhe e pandërprerë në të gjithë sferat kulturore e shoqërore. "Por, kur mendoj që politika neglizhon kulturën tek ne pritjet janë të vogla se një gjë do të ndodhë jashtë kufijve të tjerë ku jetojnë shqiptarët", ka thënë Rudaku. 

(Kosova Sot)