PRIN KALAJA E PRIZRENIT

  • 25 November 2017 - 08:49
PRIN KALAJA E PRIZRENIT

INTERESIM PËR T'I VIZITUAR MONUMENTET E TRASHËGIMISË KOSOVARE

Kalaja e Prizrenit është monumenti më i vizituar në vend. Ky monument apo lokalitet mjaft me peshë i trashëgiminë kulturore i është nënshtruar një renovimi dhe promovimi të rëndësishëm, i cili edhe ka sjellë një pamje të mrekullueshme, duke e rritur interesimin e vizitorëve. Në fakt, vendndodhja e mrekullueshme e Kalasë nga e cila shihet si në pëllëmbë të dorës qyteti i Prizrenit, e bën atë një atraksion të parezistueshëm për vizitorë që ia mësyjnë për vizitë Prizrenit. Drejtues të institucioneve kulturore që merren me trashëgiminë kanë pohuar se interesimi i turistëve është gjithë në rritje për të parë trashëgiminë kulturore. Sipas tyre, këtë vit fluksi ka qenë më i kënaqshëm. Megjithatë, institucionet tona nuk kanë një matës të saktë të statistikave lidhur me vizitat që realizohen nga turistët në asetet e trashëgimisë kulturore në vend. 

FLUKSI ËSHTË I MADH NË DITËT E PRANVERËS DHE TË VJESHTËS

Në prononcim për "Kosova Sot", arkeologu Shafi Gashi, kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore, institucione më i lartë në vend sa i përket trashëgimisë, ka thënë se Kalaja e Prizrenit është monumenti më i vizituar në vend. Ndërsa nuk mbesin mbrapa edhe Kompleksi i Lidhjes Shqiptare, Muzeu Etnologjikë, Ulpiana Antike. "Aktualisht, monumenti më i vizituar në Kosovë është Kalaja e Prizrenit, ku mesatarisht 800 deri 1000 vizitorë kemi në 360 ditët e vitit. Fluksi është i madh në ditët e pranverës dhe të vjeshtës. Ndërsa Kalaja gjatë ditëve të vapës vizitohet shumë edhe nga bashkatdhetarët tanë që kthehen në Kosovë", ka thënë ai. Pastaj, ka shtuar se më pas vjen Ulpiana, Harilaqi, Novobërda etj. Ndërsa duke folur për statistikave të sakta, lidhur me numrin e vizitorëve që frekuentojnë monumentet apo trashëgiminë kulturore në vend, Gashi ka thënë se nuk ka të tilla, por, sipas tij, për Kalanë në Prizren janë bërë 20 ditë statistika, gjatë verës dhe është plotësuar një pyetë- sor mbi kërkesat dhe opinionet e vizitorëve. "Besojmë që shumë shpejt do të përfundohen planet e menaxhimit ku specifikohen mirë obligimet ndaj monumentit dhe do të ndikohen dukshëm në rritjen e vizitorëve, konkretisht rritjen e promovimit të trashëgimisë kulturore", ka pohuar arkeologu Gashi.

VIJNË TË ORGANIZUAR DHE INDIVIDUALISHT

Edhe Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se trendi i vizitave nga turistë në lokalitetet arkeologjike në vend është në rritje. Sipas tij, kërkesat e turistëve këtë vit janë në nivelin e duhur apo thënë, shkëlqyeshëm për vizita në lokalitete historike, arkeologjike-arkitektonike të shtetit tonë . "Mund të themi me plot kuptim se, vitin e kaluar dhe këtë vit kemi regjistruar numrin e vizitorëve dhe këtë fillimisht për lokalitetin Ulpiana. Deri tani, janar - nëntor 2017, kemi mbi 20,000,00 mijë vizitorë. Po ashtu, vizita me numër prej dhjetëra mijë vizitorëve kemi edhe në lokalitetin Kështjella (Kalaja) e Prizrenit", ka thënë ai, duke shtuar se këto dy vitet e fundit vizita ka pasur edhe në shumë lokalitete, si: Kështjella e Novobërdës (Artanës), Lokaliteti arkeologjik Dresnik të Klinë. Pastaj Kështjella e Harilaqit dhe të tjera që vizitohen pandërprerë, por që nuk kemi numër të regjistruar të vizitorëve. Rexha ka thënë se duke u krahasuar me dy apo tre vjet më herët, tani Instituti Arkeologjik (Ministria e Kulturës) është tejet i kënaqur me zhvillimin e vizitave, rritjen e numrit të vizitorëve, të cilët vijnë të organizuar dhe individualisht. "Shpresojmë që me rregullimin infrastrukturor që jemi duke e zhvilluar vitet e fundit dhe tani, të arrijmë numër shumë më të madh të vizitorëve vendorë e ndërkombë- tarë", ka thënë Enver Rexha, drejtor i IAK-së.

(Kosova Sot)