RRËFIMI PËR GRUAN E TRISHTUAR

  • 03 December 2017 - 15:59
RRËFIMI PËR GRUAN E TRISHTUAR

KRITIKË E FILMIT 'WONDER WHEEL'

Ky film sjell rrëfimin rreth një gruaje të palumtur dhe të dëshpëruar, por të martuar, afera e së cilës me një Romeo lokal del nga binarët, pasi që ai ia ven syrin thjeshtrës së saj, e cila ka gjinjtë e bukur sikur pjeshkë. Zemrës i pëlqen ajo që i pëlqen, sikur që kishte thënë dikur vet regjisori Allen, derisa përpiqej që ta arsyetonte aferën e tij me atë që tani është gruaja e tij, Soon-Yi, e cila ishte vajzë e adoptuar e gruas së tij të atëhershme, Mia Farrow. Filmi "Wonder Wheel" e kthen aktorin dhe regjisorin Allen në ishullin Koni, shtëpinë e fëmijërisë së alter egos së tij, Alvy Singer, narratorit të filmit "Annie Hall". Në filmin "Wonder Wheel", gruaja e trishtuar, Ginny (Kate Winslet), jeton në një apartament i cili ka pamje kah rrota e një parku të lojërave. Ginny nuk është edhe për t'u hedhur, përkundër mënyrës jo fort të hijshme, me të cilën shpesh paraqitet. Nuk është habi pse ajo është e shqetësuar. Ajo bën një punë të rëndë dhe të pakëndshme, derisa kur të kthehet në shtëpi, i duhet që të merret me burrin e saj harbut, Humpty (Jim Belushi) dhe me të birin e saj, Richie (Jack Gore). Sikur edhe Alvy e re në filmin "Annie Hall", Richie është leshkuq. Por, derisa Alvy gjendet në depresion për shkak të universit, Richie duket më i shqetësuar rreth jetës së tij familjare, kryesisht në lidhje me nënën e tij të mjerë. Kështu, kur Mickey (Justin Timberlake), një romantik i vetëquajtur, ia bën me sy Ginny-t, ajo mezi pret t'i hidhet në përqafim.

RRJEDHJA VIZUALE

 Filmi "Wonder Wheel" pak a shumë bëhet rrëfim rreth Ginny-t, por ajo nuk di si ta marrë atë. Filmi rrëfehet nga Mickey, i cili herë paraqitet, e herë zhduket, duke ia ngulur sytë drejt kamerës. Ai ka ambiciet e tij dhe i pëlqen që të na i rikujtojë ato. Për një kohë të caktuar, Mickey i ofron Ginny-t një ndryshim nga jeta e saj e mërzitshme, të paktën derisa paraqitet Carolina (Juno Temple), e bija e Humpty't nga një martesë paraprake. Ajo është duke ikur nga burri i saj gangster. "E di ku janë të varrosur të gjithë trupat", thotë Carolina. Woody Allen shpesh ka sjellë në filmat e tij elemente nga filmat paraprakë. Mickey përmendë Eugene O'Neill-in, një referencë e cila sugjeron se na pret një- farë drame midis Ginny-t dhe Humpty-t. Dialogët e personazheve të filmit të Allenit po ashtu herë pas here na sjellin në mend personazhin Budd Schulberg ("I coulda been a contender") dhe imituesin Clifford Odets. Në disa skena, gati sa nuk prisni që Belushi, i cili luan me gjithë zemër, të fillojë të ulëritë rreth dikujt të quajtur Lefty. Sikur që thotë edhe vet titulli i filmit, "Wonder Wheel" (rrota e mrekullisë) vazhdon që të sillet, edhe derisa nuk shkon askund. Ky është filmi i dytë i Allen-it me kinematografin Vittorio Storaro, i cili ia jep rrëfimit një rrjedhje vizuale, edhe derisa personazhet gjenden në një ambient klaustrofobik. Regjisori Allen nuk ka dyshim se na mban të angazhuar me tërë këto ngjyra, tone, influenca, komplikime, stereotipa dhe teatricitet, por në fund nuk është se sjell ndonjë gjë të madhe. Sikur që ndodh përherë në filmat e tij, aktorët duket se sjellin aktrimin me të cilin kishin ardhur në xhirime, pa sjell diçka të re.

I AKUZUAR SE KISHTE NGACMUAR TË BIJËN E TIJ

Ginny, e cila është në kërkim të diçkaje më të mirë sesa brutaliteti dhe e cila ndëshkohet në mënyrë brutale për epshin e saj, mundet lehtësisht të ishte bërë një klishe e thjeshtë. Por, aktorja Winslet ia jep këtij personazhi një jetë të fortë. Me një shikim të vetëm, ajo bën më shumë përshtypje sesa teksti i filmit, apo ngjyrat që sjell Storaro. Në një moment, pasi që Ginny është shndërruar në Blanche DuBois, ajo thotë: "Kur vjen puna te dashuria, shpesh shohim se ajo është armiku ynë më i keq". Dhe, nuk është hera e parë që e pyesni veten se çka mendon se është duke bërë këtu Allen, i cili për një kohë të gjatë ka përzier realitetin me trillimin. Ai sikur dëshiron që në shtyp të lakohet emri i tij, për shkak të situatës aktuale rreth keqtrajtimit seksual në Hollivud. Në vitin 1993, ai ishte akuzuar se kishte ngacmuar të bijën e tij, Dylan Farrow. Ai ia doli që ta ruante pafajësinë dhe kurrë nuk është përndjekur, edhe pse këto akuza i kanë qëndruar si shpatë përmbi kokë. Kritikët shpesh kanë bërë përpjekje për ta harruar këtë ngjarje, por vet ai duket se është aq pervers, sa të na e përkujtojë atë herë pas here.

(Kosova Sot)