Më i fituar i shëtituri se i dituri

  • 03 December 2017 - 21:21
Më i fituar i shëtituri se i dituri

TREGIM HUMORISTIK ME TITULL "SYZET" (2)

SHKRUAN: FATMIR LOHJA

-Kaq të vogël e keni pagën?- ndërpreu Astriti. -Pagën shtetërore e kam pak a shumë si të tjerët dhe jam mësuar ta planifikoj për të mbyllur muajin. Shpenzimet e trajnimit u përballuan nga shteti mikpritës,ndërsa ato për vizën "Shengen", noterizime, përkthime dokumentesh, më the e të thash, që i kërkonte ambasada, sepse sipas saj nuk kalohej ndryshe kufiri, do t'i përballonim me forcat tona. Kjo punë jo vetëm ma gllabëroi kohën, por ma rrëmbeu pagën mujore me shumë bujari e fisnikëri. I nevojitej babait edhe ndonjë para xhepi, se drejtori na e bëri më se të qartë, përpara se të vendosnim të merrnim pjesë në trajnim: "Dietën prej 13 euro në ditë, do ta merrni kur të vini në atdhe dhe të dorëzoni urdhër-shërbimet,ku do të përputhen ekzaktësisht datat e nisjes dhe ardhjes me biletat e avionëve."Ju mund të më pyesni pse pranova të nisesha kur ishin kaq shumë shpenzime? Ne si popull e kemi të trashëguar shprehjen:" Më i fituar i shëtituri se i dituri."Kam humbur shumë kohë mbi libra dhe nuk kam fituar gjë. Po shkoja në Evropë dhe do të prekje me dorë ëndrrën që shohim në vazhdimësi prej njëzet viteve, kjo qe arsyeja që familja ime pranoi të sakrifikojë. Ma humbët fillin. Ku e lamë?- na drejtohet Iliri. -Mjeku i eurozonës është duke të tundur një palë syze përpara hundëve?- ia kujtoj unë. "Janë prodhim bashkëkohor,"- u mundua të më bindte evropiani.-" Kanë skelet fin. Janë të prodhuara nga brinjë kafshësh afrikane ndërsa lentet janë nga Azia e largët. Unë habitem se sa të pakujdesshëm janë njerëzit jashtë eurozonës Paguajnë 400 euro në vit për të parë kanalet e Super Sportit,dhe nuk duan të shpenzojnë para për dritën e shikimit, pa të cilën nuk mund të shijojnë sportet aspak."- Me që të pëlqejnë, të ndihmoj unë"-ndërhyri komshiu i mirë. Djalë trim. I pagoi paratë pa iu dridhur dora aspak. Dola nga klinika shatra-parta. Kur erdha në vete,nga ajo zallamahi mendore e shpirtërore, që më kaploi atje brenda,i shpreha mirënjohjen mikut. 9 - "Pse me thua faleminderit. Nuk bëra ndonjë gjë të madhe. Kisha ndërmend të jepja ca para që t'ia çoje prindërve të mi. Kur të arrini në atdhe ia jepni. Unë e di që ju i njihni mirë të mitë"-më sqaroi ai krejt i qetë. -Mjeku eurozonës a kishte infermiere përbri?- e ngacmoi Artani. -Jo. Më pas,komshiu, më shpjegoi se po të ishte infermieria në punë, vetëm vizita do të më kushtonte 300 euro. Ky ishte favori që u bë nga ndërmjetësia e tij dhe ma kërkoi disa herë t'i shprehja mirënjohjen. - Po pagesën si e zgjidhe?-e pyeti Astriti. -Sot kemi bankat. Mora një kredi konsumatore me 20 % kamat dhe shkova tek prindërit e komshiut menjëherë dhe pagova euro më euro, me shumë dhimbje. -Ka kohë kjo ngjarje?-kërkoi shpjegime Artani. - Kanë kaluar mbi dy vjet. -E paske larë kredinë. Nuk ka qenë ndonjë shumë e madhe- u mundua ta qetësonte Astriti. -Atë po,por tani kam një tjetër më të rëndë mbi shpinë dhe sapo kam filluar ta shlyej,-na turbulloi përsëri Iliri. - Me gjithë këto që tregove,përsëri të ka shkuar ndërmend të vizitohesh!?- e pyeti me habi Artani. -Për dritën e syve unë e kam merakun vazhdimisht. Nuk u bishtnoj këshillave të mjekëve. Një shok imi, që vuante nga zemra,pse nuk i dëgjoi ata, sot ka ndërruar jetë. -Po ku je vizituar përsëri?- i doli nga shpirti Astritit. -Para tre muajsh qeshë në SHBA. Për të mos i rënë gjatë, me miqësi,bëra një vizitë mjekësore për sytë. Borxhin e Komunitetit Evropian e kisha larë. Shkova i gëzuar tek mjeku amerikan, sepse m'u premtua shumë dhe vetë kalamenda shumë variante dhe hesapet nuk më dilnin keq. Ai, pasi më vizitoi, nxori nga kasaforta, e cila komandohej me telekomandë, këto syzet që kam në sy .-"Kushtojnë 2 mijë dollarë."- ma tha me shumë qetësi.- Përnjëmend e ke?- më doli nga gjoksi si klithëm apo si gjëme, ende edhe sot nuk mund ta shpjegoj,sepse më rrëshqiti nga thellësia e shpirtit. Arsyetimi im, nga mosshëtitja në botë,nuk mund ta konceptonte aspak se në atë vlerë mund të kushtonte një mall, që lehtësisht kacavaret mbi hundë dhe nuk quhet aspak bizhuteri grash.- "Asnjë cent më pak."- e vulosi përfundimisht. Kur më iku trandja psikologjike,dhe kujtova se e mora veten, për t'i treguar doktorit se nuk më nevojiteshin syze të tjera,me trimëri nxjerr kutinë estetike të blerë në Evropë. Ai ma bëri me shenjë që t'ia jepja në dorë. Mua , a pse Perëndia m'i mori mend,apo pse ende nuk isha kthyer në normalitet, ia dhashë me duart e mia të djersira. E hapi dhe pas tridhjetë sekondave,me një shikim neveritës,sikur po shihte ndonjë mi kanalesh,e theu në shtatëqind copa mallin e Komunitetit Evropian."Evropianët nuk dinë të bëjnë syze,"-më tha dhe i hodhi syzet me gjithë kuti në koshin e plehrave amerikan,pa iu dridhur mustaqja e gjatë aspak.- Xhamat janë aziatikë,- i them i trullosur.-"Aziatikët ende nuk e dinë sa miliard janë e do bëkan lente!?"-ma kthen.-Skeleti është i punuar artizanalisht nga brinjë kafshësh ekzotike afrikane,- vazhdova i turbulluar.- "Mos i qaj më ato që shkuan,se nuk ka mjeshtër në glob që iu bën derman,"- dhe nuk më foli më. Edhe unë,prej inatit tij,me një ndjenjë krejtësisht të papërcaktuar, e kyça gojën me shtatë dryna. - E çfarë bërë më pas?- e pyeti i habitur Artani. -Kur e mora veten, veprova identik si në Evropë. Pagoi miku im atje i qetë, pagova unë këtu i trazuar,përsëri me kredinë konsumatore. -Po dëmi ekonomik që të shkaktoi ai me atë veprim brutal?- kërkoi sqarime Astriti. -Ku ke parë e ku dëgjuar që superfuqitë të paguajnë dëm ekonomik vendeve në zhvillim,-u përgjigj Iliri pa i lëvizur syri aspak.- U zgjata pak, por do ju tregoj diçka në afirmitet. Në punë e në shtëpi lexoj e shkruaj me syzet që më ka dhuruar shoku i fëmijërisë,se shoh mirë. Syzet e okulistit të lagjes,që kur bleva ato të Komunitetin Evropian, nuk e di asnjë në familje se çfarë rrënze kanë zënë në shtëpi. Amerikanët i mbaj gjithmonë me vete. -E pse?- ndërpreu Astrit.-Ju thatë që iu kanë ekzaminuar me plus dy,pra keni probleme me shikimin afër. -I mbaj për t'u dukur e për t'u thënë shefave se i bie prapa syve dhe ju lutem mos më largoni nga puna. -Seriozisht ,nuk iu pengojnë?- e pyeta unë. -Nuk kanë bërë fare kot 2000 dollarë,- ma ktheu.-Mos harroni se janë amerikane! Poshtë më shërbejnë për të lexuar,sipër për të parë tepër larg, shkëlqimin e diellit e hijezojnë,ndërsa errësirën e natës e dritësojnë. -Do të vizitohesh prapë?- e ngacmoi Artani. -Po. Më sëmbon në vazhdimësi në tru,por tani mendoj se jam më i sigurt?- ia ktheu Iliri. -E pse?- më doli mua. -Jam i bindur, që me mallin MADE IN USA,i cili është i stamposur qartë në bishtat e syzeve, që janë kërleshur me veshët e mi,nuk mund të bëjë kush shaka. Dikush mund të thotë se janë Kuba e dy-tre shtete të tjera,por mua nuk ma do mendja se e kam kësmet të shkoj atje. Edhe po e solli rasti të udhëtoj në këto vende,nuk do t'i marr syzet me vete. U dogja një herë dhe familja ,me të drejtë, nuk ma fal më. Për të qenë i sigurt fare,kam bërë para fëmijëve një betim solemn:" Babi,megjithëse dridhërohet për dritën e syve, pa larë borxhin amerikan, nuk do të takojë as kalimithi ndonjë okulist, pavarësisht nëse është vendas apo i huaj." Koha vrapoi me ritmin e sprintierëve. U dëgjua kënga e parë e gjelave, kur u ngritëm të ngarkuar me gaz e birra të shumta.

(Kosova Sot)