Kriza nuk ka të ndalur - Kulturë - Kosova Sot
Kriza nuk ka tė ndalur

Kriza nuk ka tė ndalur

TEATROT KOSOVARE ME PROBLEME TË SHUMTA

Kriza në skenën teatrore në vend që nga pas lufta nuk ka të ndalur. Pavarësisht investimeve dhe mbështetjes financiare që jep shteti për teatrot gjithandej, kjo fushë vazhdon të përballet me probleme të shumta. Ligji aktual nuk ka arritur të zgjidhë problemet dhe në disa raste edhe konsiderohet si një prej burimeve të problemeve që përballen sot teatrot në vend. Pavarësisht faktit se ndër hartuesit e tij, kryesorë kanë qenë vetë njerëzit e teatrit. E, për të dalë nga situata nuk ka edhe shumë zgjedhje. Ekspertë, regjisorë dhe krijues të kësaj fushe kanë thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se për të pasur një zhvillim normal të skenës teatrore në vend duhet një përgjegjësi nga 'pronarët' e teatrove, konkretisht MKRS-ja, komunat përkatëse dhe menaxhmentet e tyre, pasi nuk qëndron i gjithë problemi te ligji, por te moszbatueshmëria e tij. Sipas tyre, duhet një mbështetje, nëse ka nevojë edhe amendamentim të ligjit për teatrot, aty ku konsiderohet se nevojitet përmirësim.  

Mbështetja financiare, e domosdoshme

Avni Rudaku, krijues dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se mbështetja nga ana e MKSR-së edhe për teatrot e komunave është e domosdoshme. Ndërsa ka thënë se nëse shihet e nevojshme duhet bërë edhe amendamentimin e Ligjit për teatro, sidomos në ato nene ku lihen pikëpyetje, siç ka thënë ai, ligji duhet rishikuar në paqartësitë 'mund' dhe 'duhet' të ketë aq e kaq numër rezidentë! Ai ka thënë se premtimet e ministrit dhënë artistëve teatrorë shihen si një rast i mirë për të dalë nga problemet,duke kërkuare dhe seriozitet nga komuna me teatrot e tyre. "Ministri Gashi, nëse nuk e ka bërë shkel e shko dhe realizon premtimet me TKK-në dhe aktorët e teatrove të qyteteve, do të japë shenja shprese pas dy dekadash, ndonëse tepër vështirë t'i besohet politikanëve dhe në vend të besimit të presim rezultate konkrete! Teatrot e qyteteve do të mund të ishin nën komunat nëse rriten financat e drejtorive lokale për kulturë", ka thënë Rudaku. 

Një Ligj të ri për teatrot

Ndërsa Mahir Musliu, regjisor, ka thënë për "Kosova Sot", se nuk do të kishte gjë të keqe nëse teatrot komunale kthehen nën mbikëqyrjen e MKRS-së, nëse kjo e fundit merr përsipër financimin. Megjithatë, ka thënë ai këto mendoj se duhet rregulluar me një ligj të ri për teatrin. "Një gjë e di se aktorët dhe trupat rezidente nëpër të gjithë teatrot u duhet financim i përhershëm në mënyrë që të garantohen kushte për punë dhe krijimtari të pavarur. Duhet rregulluar puna e financimit të projekteve teatrore dhe po ashtu pagat për aktorë dhe stazhi e sigurimi në punë", ka thënë ai, duke shtuar se këto nuk janë ndonjë luks i tepruar, por janë kushte elementare dhe qenësore për ekzistencën e këtyre institucioneve. Sipas tij, pas ndërtimit të kësaj infrastrukture duhet pritur rezultatet, përgjegjësitë dhe llogaridhënien. E, si janë duke funksionuar tani, sipas tij, këto kushte janë mjeruese e fyese për ata që merren më teatër, paga të vogla ose hiç fare, pa sigurime e stazhin e punës, pa financim të sigurt, i cili shpeshherë i vë në rrezik edhe realizimet e projekteve teatrore. "Pra, nuk shkohet me kontratë mbi vepër, ngaqë puna në teatër nuk është e përkohshme, ajo duhet të vijojë si elementi ekzistencial i mbajtjes gjallë të kulturës kolektive dhe moralit shoqëror", ka pohuar Musliu. 

Të përkrahen edhe amatorët

Kurse, Xhemail Luta, themelues dhe drejtuesi i Teatrit të të Rinjve të Prishtinës, ka thënë për "Kosova Sot", se institucionet duhet të kenë një kujdes më të madh ndaj skenës teatrore në vend, si ndaj asaj profesioniste, ashtu edhe asaj amatore. "Mendoj se duhen më shumë financa dhe përgjegjësi ndaj teatrove profesioniste, por po ashtu edhe përkrahje amatorëve. Nuk shkon që teatrot profesioniste të kenë vetëm mbështetje nga subvencionet, por duhet te forcohet në krijimtari fisnike dhe afatgjate, të qëndrueshme", ka thënë Luta për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

1 orë e 39 minuta më parë
18/01/18
aaaaaaaa