Kreu i kryeqytetit dështoi në ndërtimin e infrastrukturës kulturore - Kulturë - Kosova Sot
Kreu i kryeqytetit dështoi në ndërtimin e infrastrukturës kulturore

Kreu i kryeqytetit dështoi në ndërtimin e infrastrukturës kulturore

KOMUNA E PRISHTINËS NUK KA BËRË NDONJË INVESTIM NË SEKTORIN E KULTURËS 

Komuna e Prishtinës ka dështuar në bërjen e kryeqytetit me infrastrukturë të nevojshme për zhvillimin e kulturës. Përjashto institucionet kombëtare që janë në menaxhim të Qeverisë, Komuna nuk ka bërë ndonjë investim në këtë sektor, aq më keq ajo ka lënë jashtë dore fatet e projekteve që janë përfolur nga vitet e kaluar, si salla universale, objekti i ri për Teatrin 'Dodona', apo edhe funksionimi tij sipas ligjit. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" krijues dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, autoritetet komunale të Prishtinës jo vetëm që nuk kanë arritur t'u ofrojnë artistëve kryeqytetas një infrastrukturë të domosdoshme për aktivitete të kulturës, por shumë herë lanë pa përkrahje edhe aktivitetet e rëndësishme për vetë komunën. Ata kanë thënë se janë të paka, për të mos thënë fare, aktivitetet elitare kulturore që janë mbajtur nën patronazhin e të parit të Prishtinës. 

Neglizhencë e pashoqe

Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesi Reshat Sahitaj, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikës Shqiptare, ka thënë se Komuna e Prishtinës ka dështuar rrënjësisht në zhvillimin e aktiviteteve kulturore jo vetëm në ato që nuk u mbajtën nën patronazhin e tyre, por buxhetin e destinuar për këto ngjarje komuna e Prishtinës nuk i bëri publik dhe nuk e vendosi deri në fundin e gjashtëmujorit të parë të vitit të kaluar. Sahitaj ka thënë se të gjitha projektet e shoqatave kulturore mbetën të ngrira, pa e ditur a po përkrahen apo jo. "Asnjë shoqatë nuk ishte në gjendje të planifikonte ngjarjet kulturore, e madje tradicionale, sepse subvencionimet nuk bëheshin publike. Është për t'u habitur se si Shpend Ahmeti i refuzonte projektet e mirëfillta kulturore, siç ishte refuzimi i përkrahjes se aktiviteteve për çmimin NOBEL 2017 të kandidatëve Demaçi dhe Qosja, e në anën tjetër vraponte me buxhetin e Prishtinës të shikonte ndeshje futbollistike. Po ashtu bënte shëtitje të tjera me familje e nuk e përkrahte zhvillimin e kulturës në kryeqytet", ka thënë Sahitaj në një prononcim për "Kosova Sot". Edhe krijuesi Imer Raçi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se është për t'u ndier keq se sa herë po u atribohemi aktiviteteve kulturore në Prishtinë flasim për aktivitete të zbehta, të dështuara apo edhe të parealizuara fare. Si duket, ka shtuar ai, prijësit e Komunës, e në veçanti Departamenti, divizioni, sektori apo dhe zyra e kulturës nuk e vlerëson në nivelin e duhur kulturën, si diçka e cila duhet të ruhet dhe përkrahet me zili, ose më e keqja ata që janë caktuar aty nuk marrin vesh rreth saj. 

Emin Sahiti: Ansambli kryeqytetas "Bajram Curri" nuk ka ku të kryejë ushtrimet

Kurse Emin Sahiti, performues dhe menaxher shumëvjeçar i Ansamblit kryeqytetas "Bajram Curri", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se sa i përket kulturës së mirëfilltë shqiptare dhe trashëgimisë së këngës dhe valles, të gjitha qeveritë komunale të Prishtinës deri më sot kanë dështuar në çdo aspekt, si të mbështetjes së festivaleve apo financimin e ansambleve. Qyteti i Prishtinës, ka shtuar ai, e ka një ansambël mbi 52 vjet që punon."Ansambli 'Bajram Curri' nga Prishtina sot e 12 vjet nuk ka hapësirë për të zhvilluar ushtrimet, e mos pyet për financim. Unë mendoj dhe jam i bindur që në të tjera vende nuk bëhen këso lloj diskriminimesh ndaj kulturës shekullore shqiptare, sikur te ne e sidomos pas luftës së fundit", ka thënë Sahiti për "Kosova Sot". Sipas tij, po të ekzistonte ndërgjegjja tek organet komunale nga kryetari e deri te drejtoria e kulturës do të kishin marrë ndonjë hap ma pozitiv, pasi siç ka thënë ai më mirë është që fëmijët tanë të merren me kulturë sesa me drogë dhe punë të pista e deri tek vrasjet. Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer dje përgjigje në pyetjet e dërguara të gazetës.

(Kosova Sot)

9 orë e 29 minuta më parë
19/04/18