Pushtetarët nuk e ndërtojnë dot një objekt të Operës

  • 09 December 2017 - 08:56
Pushtetarët nuk e ndërtojnë dot një objekt të Operës

PREMTIMET E INSTITUCIONEVE, PA NDONJË VEPRIM KONKRET

"Publiku ynë, i cili është në rritje dhe dashamirës i muzikës elitare artistike, po privohet nga përjetimi i shfaqjeve teatrore muzikore, siç janë operat e format e tjetra muzikore skenike. Ne duhet të bëjmë hapat seriozë për të shtyrë përpara zhvillimet kulturore dhe konsolidimet në artin muzikor skenik, që nga niveli i ulët i shkollimit muzikor deri tek ai universitar", ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" drejtori Jashari

Shteti i Kosovës mbetet i vetmi vend në Evropë pa institucionin më të lartë elitar të muzikës artistike, Operën. Për vite me radhë, që nga përfundimi i luftës, institucionet kanë neglizhuar themelimin dhe konsolidimin e Operës si institucion kulturor, edhe pse ligjërisht ekziston. Për më keq, institucionet vazhdojnë të premtojnë, pa bërë ndonjë veprim, për çdo vit se do të investohet në ndërtimin e objektit adekuat për Operën. Duke u treguar aspak serioze, jo vetëm me komunitetin kulturor, por edhe me qytetarët, duke i privuar nga përjetimi i artit operistik. Për më keq, institucionet, konkretisht Ministria e Kulturës, si institucion bartës, nuk është duke treguar ndonjë veprim konkret, të paktën publikisht nëse është duke u marrë seriozisht me çështjen e themelimin fizik të institucionit të Operës. Këtë nuk pritet ta bëjë as ne viti 2018. Gazeta ka kërkuar një përgjigje nga ana e zyrtarëve të MKRS-së nëse kjo Ministri do të merret me këtë çështje, por ka qenë e pamundur, pasi zyrtarët përgjegjës për medie dhe publikun janë duke përcjellë ministrin e Kulturës në takime që po zhvillon në Hungari, në kuadër të takimit të Samitit të Pronësisë Intelektuale Pan-Evropiane, prandaj edhe nuk kanë kthyer përgjigje. Përderisa për komunitetin artistik në vend, një situatë e tillë, me çështjen e Operës, është për të ardhur keq. 

FILARMONIA KA REALIZUAR DISA VEPRA OPERISTIKE NË KUSHTE IMPROVIZUESE

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës Baki Jashari, institucion i cili bart barrën edhe të organizimeve operistike, deri në themelimin fizik të Operës, ka thënë për "Kosova Sot", se janë dy probleme, të cilat pamundë- sojnë shfaqjen e veprave operistike në vend. E para, ka thënë ai, është krijimi i institucionit të Operës, i cili ende nuk është themeluar, një institucion të kompletuar sipas ligjit, ku përfshihen orkestra simfonike, kori operistike dhe grupi i solistëve vokalë. "Pra, aspekti kadrovik që kërkon një institucion Opere. Ligji eksiton, por institucioni nuk ekziston dhe unë druaj se ky do të jetë një problem shumë i madh, pasi për të themeluar Operën si institucion duhet një numër i madh i profesionistëve muzicientë, vokalë e instrumentalë", ka thënë ai, duke shtuar se një pengesë tjetër, që pamundë- son organizimin shfaqjeve operistike, është mungesa e një objekti adekuat për shfaqje operistike. Sipas tij, nëse do të kihet një objekt adekuat, Filarmonia do të mund të luajë rolin kalimtar si institucion dhe të realizojë vepra operistike. Në vitin e kaluar, ka shtuar ai, Filarmonia ka realizuar disa vepra operistike në kushte improvizuese, në Prishtinë në Teatrin Kombëtar dhe në Gjakovë. Por, ka shtuar Jashari, këto tentativa kanë rezultuar me evidentimin e shumë problemeve në realizimin skenik të operave dhe për një kohë të gjatë ne do të kemi mungesës të shfaqjeve operistike në Kosovë, si pasojë e dy mungesave. "Po të kishte objekt adekuat, Filarmonia mund të luajë një rol kalimtar deri në konsolidimin plotë të institucionit të Operës, e cila kërkon një infrastrukturë të veçantë, publiku mund të shijonte shfaqje operistike", ka thënë ai për "Kosova Sot" 

MOSFUNKSIONIMI I INSTITUCIONIT TË OPERËS I JEP IMAZH TË KEQ SHTETIT 

Më tej Jashari ka thënë se mungesa e këtij institucioni elitar kulturor, por edhe mungesave të tjera kulturore, Kosovën e lë mbrapa a zhvillimeve kulturore evropiane, por fatkeqësisht edhe atyre rajonale. "Publiku ynë, i cili është në rritje dhe dashamirës i muzikës elitare artistike, po privohet nga përjetimi i shfaqjeve teatrore muzikore, siç janë operat e format e tjetra muzikore skenike. Ne duhet të bëjmë hapat seriozë për të shtyrë përpara zhvillimet kulturore dhe konsolidimet në artin muzikor skenik, që nga niveli i ulët i shkollimit muzikor deri tek ai universitar", ka pohuar drejtori Jashari, për "Kosova Sot". Ndërsa, koreografi Dilaver Kryeziu, duke folur rreth trajtimit që shteti i bën problemit të pazgjidhur të Operës si institucion elitar, ka thënë për "Kosova Sot", se institucionet dhe zyrtarët, që kanë për obligim të merren me zbatueshmërinë e ligjeve, konkretisht me themelimin e Operës, nuk e dinë rëndësinë e operës apo edhe baletit, duke i lënë pa mbështetje institucionet elitare të muzikës artistike. "Ka shumë arsye që deri më sot, institucionet nuk arritën të funksionalizojnë institucionin e Operës, apo edhe qoftë ndërtimin e objektit dedikuar këtij institucion dhe baletit, që nga inatet e deri tek keqpërdorimet", ka thënë Kryeziu, për "Kosova Sot", duke shtuar se mosfunksionimi i këtij institucioni i jep imazh të keq shtetit, por edhe zhvlerëson kulturën në vend, duke e lënë jashtë rrjedhave evropiane kulturore. 

(Kosova Sot)