Kodi romanor për gjeniun lazgushian - Kulturë - Kosova Sot
Kodi romanor për gjeniun lazgushian

Kodi romanor për gjeniun lazgushian

Shkruan: Prend Buzhala 

KRITIKË E LIBRIT TË VELI VELIUT "GJENIU I LAZGUSHIT", ROMAN PËR TË RINJ

Një profesor i shquar shuhet, por në horizont është një gjeni tjetër, i ri

"Gjeniu i Lazgushit" vjen pas tri romaneve të përparshëm: "Koka e shtrenjtë e majorit", "Gruaja e drejtorit" dhe "Miku i panjohur"

Autor i mbi dyzet veprave, Veli Veliu është afirmuar në radhët e publikut lexues shqiptar si shkrimtar për fëmijë. Janë të shumta vëllimet poetike për fëmijë, ashtu sikundër dhe veprat në zhanrin e dramës për të vegjlit, të cilat kanë zënë të botohen që nga viti 1982. Ndërkaq, më vonë ai ka zënë ta botojë dhe dramën për të rritur dhe romanin, po ashtu, për të rritur e për të rinj. "Gjeniu i Lazgushit" vjen pas tri romaneve të përparshëm: "Koka e shtrenjtë e majorit", "Gruaja e drejtorit" dhe "Miku i panjohur". 1. Meqenëse Veli Veliu vjen në letrat shqipe në Kosovë, si zë i realizuar artistik nga trojet etnike nën Serbinë, nga Bujanoci, edhe këtë krijues e ka përcjellë po ai fat i shumë bujanovasve, të shpërngulur këndej, në Kosovë. Së këndejmi, edhe tema kryesore e romanit është rrugëtimi i një familjeje nga ato anë, për t'u vendosur në afërsi të Prishtinës, me etjet e pashuara për jetë më të qetë, për dije, shkollim, përparim dhe emancipim kombëtar. Këtë rravgim të këtyre familjeve autori e njeh mjaft mirë, prandaj ai rrëfen sigurt, përzgjedh momente e situata që zhvillohen vetvetishëm në sfondin e përgjithshëm narrativ. Romani përbëhet nga dy tekste në fillim e në fund, që mbajnë titujt "Parafillimi" dhe "Kapitulli i pambarimit", kursye në brendi vepra ndahet në njëzetekatër kapituj. Ndonëse dy tekstet e larttheksuara karakterizohen dhe si paratekste romanore dhe si metatekste për zbërthimin e çështjeve tematike që ndërthuren në vepër; megjithatë ato pleksen natyrshëm si trajta rrëfimore plotësuese që e përgatisin lexuesi n për fatin e bëmat e personazheve. Perspektivat narrative, nga të cilat i zhdrivillon fijet rrëfimtari i gjithëdijshëm (rrëfimi ndodh në veten e tretë), janë ato të para luftës së Kosovës, kur shtypja kombëtare e regjimit serb po ngritje gjithnjë e më tepër në sistem represiv. Teksti i parafillimit romanor dëshiron të na fusë menjëherë në përplasjet e dy mentaliteteve dhe kundërthënieve të kohës, mbi të cilën edhe ndërtohet rrëfimi: mostrajtimi i femrës njësoj si mashkulli. Familja e Lushit plak pëson krisjet e këtij mentaliteti, nën trysninë e zhvillimeve të reja: djemtë Betimi e Bekimi janë të martuar. Ata kanë krijuar familje dhe u kanë lindur fillimisht vetëm vajza. Betimi, që ka studiuar ekonominë, është shpërngulur në Prishtinë, e shet hisen e tokës që i takonte dhe të njëjtën gjë dëshiron ta bëjë dhe Bekimi. I lidhur fort për familjen e tokën,plaku dëshiron të ketë trashëgimtarë të familjes e pasurisë shtëpiake. Vajzat nuk mund të jenë trashëgimtare! Njësoj dhe plaka: "Shtëpia pa fëmijë plakës i duket e shkretë". Porse, ndryshe nga Lush plaku, ajo i pret me gëzim tri vajzat e Betimit që vijnë në fshat. Në këtë hulli rrëfimi, autori dëshiron që, nëpërmes gjeneratës së re, veprës t'i japë dhe karakter emancipues: trajtimin e barabartë të femrës, shkollimin e saj, çlirimin nga paragjykimet qofshin ato patriarkale apo religjioze që shtypin lirinë e saj, përqafimin e së resë dhe të një mënyre tjetër të jetesës në qytet etj. Po ashtu, përpos kësaj barre, kjo gjeneratë e re ka dhe një synim tjetër: formimin e vetëdijes kombëtare në kushtet e zhvillimeve të reja, zënien e hapit me kombet tjera moderne. Ky ishte parashtrimi i sfondit tematik. Bekimit dhe Vesës u lind djali, Driloni, pas katër vajzave. Bekimi nuk ka kryer studime, por e di arsimin. Lindja e djalit përshkruhet me lëndën etnografike shqiptare (petullat, krismat e pushkës në shenjë gëzimi të lindjes së djalit trashëgimtar, përgëzimet tradicionale etj). I vogli quhet Drilon (trashë- gon emrin e dajës së tij). Ishte koha kur kjo gjeneratë po e rikthente mendësinë etnike shqiptare edhe nëpërmes pagëzimit me emra shqip të të lindurve, duke i mënjanuar emrat e huaj, të ardhur nëpërmes religjioneve. 2. Driloni është personazhi kryesor i veprës. Autori e përcjell jetën e tij që nga lindja e fëmijëria, kur bëhet nxënësi më i mirë i shkollës, në fshat dhe tutje, nga jeta e tij në qytet. Prindi ëndërron të ketë një djalë trim i kombit që ua kalon të gjithëve në fshat, me dije! Bekimi nuk dëshiron që fëmijët ta kenë fatin e ti, e as vetë gruaja e tij. Tashmë ai dëshiron që fëmija i tij të shkollohet në qytet dhe atje t'i tregojë prirjet e aftësitë e tij. Ai e quan djalin e tij gjeni, i cili e reciton poezinë e Lazgush Poradecit "Gjeniu i anijes". Prej këtij momenti artistik, e merr titullin edhe romani "Gjeniu i Lazgushit", semantemë romanore që përdegëzohet në disa kahe: shënjon njeriun e veçantë, me prirje të veçanta, të dalluara; përgjithësisht njeriun që mësohet në jetë të çajë përpara me dijen e zotësinë e tij; sintetizon prirjet kolektive të një populli: se rrugëzgjidhjet e shpëtimit në ngushtica, i gjen te emancipimi, iluminizmi dhe dija Ambientet e jetesës alternohen, sipas dinamikës së jetës: nga ai fshat i humbur diku në rrethinat e Bujanocit, tash kjo familje jeton në Sofali afër Prishtinës, kurse djali mëson tash në shkollën qytetëse, ku ka kritere të forta për mësim, prandaj dhe në vitin e parë të mësimit atje, ai nuk kalon shkëlqyeshëm. Vijnë kërkesa motivuese të reja për mësim, dije e punë. Me një dhi që e ruan në fshatin periferik të Prishtinës, djali ka takuar profesor Lazgushin, i njohur kudo e i cili, fshehurazi, e përgatit Drilonin në mësime. Ai edhe njëherë arrin të shpallet nxënësi më i mirë i shkollës, tash në shkollën e qytetit, "sulmues i kështjellës së dijes apo përvetësues i dijeve të shumta." Në kapitullin e fundit, vepra mbyllet me vdekjen e profesorit, me nderimet e kujtimet më të mira për të, si dhe lindjen e një dashurie rinore, të Drilonit me një vajzë të re, Delvinën. Një profesor i shquar shuhet, por në horizont është një gjeni tjetër, i ri. Dija vazhdon hallkat e veta të arta të trashëgimisë tek një gjeneratë tjetër. 3. Ndryshe, romani na sugjeron shtegun e një vetëdije të re, të krijuar me mund: një komb ecën përpara: me vlerat që ai ia jep vetes me dinjitetin dhe me të vërtetën për t'u bërë komb gjithnjë e më i lirë...për t'u bërë njerëz gjithnjë e më të lirë. Kjo vetëdije, e plazmuar te protagonisti i profesor Lazgushit, kryevepër e të cilit është Gjeniu i Ri, Driloni, pason një tjetër shteg kërkimi: na e ndriçon një udhë për tek forcimi i ndërgjegjes për vetveten, tek krijimi i një VETËDIJE TË RE për vetveten, për identitetin njerëzor e kombëtar... gjithnjë me premisën e ndryshimit të kësaj vetëdijeje. E pra, kryeveprat nuk na janë vetëm ato poetike, si Gjeniu i Anijes te poeti Lazgush, por paradigma zbret në kohën tonë, në një rrafsh tjetër, në atë të dijes e të vetëdije-formimit të vlerave. Gjeniu poetik i Lazgushit, zbret te Gjeniu i Dijes së profesor Lazgushit në kohën tonë. Anticipimi i dikurshëm lazgushian, bëhet realitet i prekshëm! Paralelizëm i bukur figurativ. Gjetje e bukur tematike e romanit! Thurja e tillë, e veprës si zhanër, lëviz kah "romani edukativ" i shekujve pararendës. Në këtë mënyrë i përafrohemi veçorive komplekse dhe modelit të hapur të kësaj vepre. Romani për të rinj "Gjeniu i Lazgushit", ngjall tek kjo moshë frymëzimet e larta për të çarë përpara në shtigjet e vështira të arritjes tek suksesi dhe dija, tek vetvetja. Rrugët e shpëtimit u gjetën tek dija e vetënjohja. Strukturimi i tij thuret sipas parimit të romanit realist, kurse faktura tekstore e poetikës së frymëzimit të lartë dhe harmonisë artistike-kuptimore, është plotësisht moderne. 

(Kosova Sot) 

14 orë e 23 minuta më parë
20/04/18