Për herë të parë, tërë jeta e Muhammed Ali-së në një libër

  • 09 December 2017 - 15:19
Për herë të parë, tërë jeta e Muhammed Ali-së në një libër

KRITIKË E LIBRIT "ALI - A LIFE", TË AUTORIT JONATHAN EIG

Jeta e Muhammed Alisë ishte ep i një jete, po ashtu edhe libri "Ali: A Life" është ep i biografive

Sikur që kishte thënë Herman Melville, për ta shkruar një libër të fuqishëm (madh), duhet ta zgjedhësh një temë të fuqishme. Në kulturën e sporteve amerikane asnjë individ nuk ka ngjallë më shumë komente, sesa Muhammed Ali: ekzistojnë të paktën 50 libra rreth këtij kampioni më të famshëm amerikan të peshave të rënda, duke përfshirë edhe librin e Norman Mailer'it, "The Fight" (1975); atë të Thomas Hauser'it, "Muhammad Ali: His Life and Times" (1991); dhe librin e David Remnick'ut, "King of the World: Muhammad Ali and the Rise of an American Hero" (1998). Tani vjen libri i autorit Jonathan Eig "Ali: A Life", që është biografia e parë e tërë jetës së Alisë, i përpiluar menjëherë pas vdekjes së sportistit, në qershor të vitit 2016, në moshën 74 vjeçe. 

REZISTENCA E GUXIMSHME

Ky portretizim i detajuar, simpatik i një figure kontroverse, nuk do të mund të vinte në një kohë më të përshtatshme në historinë amerikane. Çështjet e brutalitetit të policisë (së bardhë) kundër qytetarëve të zi, vazhdojnë që të shihen në titujt ditorë të lajmeve dhe ato kanë marrë një rëndësi të ndjeshme e të rrezikshme politike. Sikur në kohën kur kampioni 24-vjeçar i peshave të rënda, Muhammed Ali, kishte fituar mërinë e Amerikës "patriotike", duke refuzuar që të shkonte për të luftuar në Vietnam, në vitin 1966, po ashtu edhe Colin Kaepernick dhe kolegët e tij atletë në N.F.L. kanë zemëruar një pjesë të madhe të amerikanëve të bardhë, në ditët tona, duke refuzuar që të merrnin pjesë në himnin kombëtar, në shenjë të protestës simbolike ndaj brutalitetit të policisë ndaj amerikanëve të zi. Rezistenca e guximshme e Alisë ndaj rekrutimit bazohej në shkaqe racore: "Nuk kam asnjë konflikt personal me vietkongët... e tëra që di, është se ata konsiderohen si aziatikë, si njerëz me ngjyrë dhe, unë nuk kam nevojë të luftoj kundër njerëzve të zi". (Një thënie edhe më e famshme e boksierit Ali, ishte: "Asnjë vietkong nuk më ka quajtur ndonjëherë 'nigger'", por për këtë thënie Eig thotë se nuk ishte sajuar nga Ali, por më pas ai e kishte përdorë edhe vet). E kemi fjalën për një Muhammed Ali, i cili vetëm një ditë pas fitores ndaj kampionit të peshave të rënda, Sonny Liston, në vitin 1964, vendosi t'i zhgënjente pritjet e botës, duke u konvertuar në islamizëm: "Nuk jam më i krishterë. E di ku jam duke shkuar dhe e di të vërtetën dhe nuk kam nevojë të jem ai që ju doni unë të jem". Edhe pse Cassius Marcellus Clay Jr. ishte krenar me emrin e tij të lindjes, ai pa hezitim pranoi që ta ndërronte emrin e tij, në fillim "Cassius X", e më pas "Muhammed Ali.

STËRNIPI I NJË SKLLAVI

Sikur që vëren Eig, Muhammed Ali, i lindur në vitin 1942 në Luisvill, ishte stërnipi i një skllavi, nipi i një vrasësi të dënuar dhe i biri i një njeriu të shoqërueshëm, i cili sa herë që dehej, rrihej. Derisa ishte i dehur, ai kishte rrahur edhe gruan e tij, derisa të birin, Cassius, e kishte plagosur me thikë. Edhe pse Luisvilli ishte një qytet i ndarë në bazë të racës, ai nuk ishte aq racist gjatë viteve 1940, sa edhe shumë qytete të tjera në jug dhe mes. Derisa ishte djalë i vogël, Cassius kishte marrë mësime boksi nga një polic i bardhë, i cili bënte punë vullnetare, i cili menjëherë e vërejti talentin e tij: "Ishte thuajse e pamundur që ta dekurajoje... ishte fëmija më punëtor që kisha stërvitur ndonjëherë". Derisa ishte në shkollë të mesme, në vitin 1959, Cassius tanimë kishte filluar të jepte nënshkrime për shokët e shkollës - "Cassius Clay, kampion botëror në pesha të rënda". Menjëherë pasi që fitoi medaljen e artë në Olimpiadën e vitit 1960, Cassius Clay u bë profesionist dhe filloi ngritjen e tij të shpejtë deri sa u bë kampion në moshën 22 vjeçe, duke mposhtur Sonny Listonin në njërin prej meçeve më të mëdha në historinë e boksit. Ai më pas vazhdoi të luftonte kundër çdo boksieri të peshave të rënda, që guxonte të dilte në ring kundër tij: Floyd Patterson, George Chuvalo, Henry Cooper, Cleveland Williams, Ernie Terrell. Që nga fillimi ai ishte madhështor, i paparashikueshëm, duke kombinuar shpejtësinë e një boksieri të kategorisë pendël, me fuqinë e goditjes së një boksieri të kategorisë super të rëndë. Ai i mbante dorëzat e tij ulët. Goditja e tij ishte shkrepëse. Ai iu ikte goditjeve, në vend se t'i bllokonte ato. Derisa boksierët e rinj ishin trajnuar që të luftonin në defensivë, Cassius Clay ishte përcaktuar të ishte një anomali, një rebel. "Filloi të më pëlqente imazhi i Jack Johnson-it... Doja të isha i ashpër, arrogant, një zezak që urrehet nga të bardhët". Pasi që u suspendua nga boksi për tri vjet, nën akuzat e, gjoja, mospagimit të tatimeve, në fund të viteve 1960, Ali u rikthye përsëri në ring, por jo më aq i sigurt në këmbët e veta dhe në aftësinë e tij për t'iu ikur lëndimeve. Por, ai do të vazhdonte heroikisht që të boksonte edhe për dhjetë vjet, përkundër problemeve shëndetësore dhe rreziqeve nga dëmtimet e trurit. Autori Eig flet edhe për anën financiare të boksimit të Alisë, duke thënë se marrëveshjet e tij financiare me treshen makiaveliste Don King, Bob Arum dhe Herbert Muhammad, nuk shkonin gjithmonë në favor të tij. Pasi që doli në pension, sikur me një magji kthyese, reputacioni i Alisë filloi të rritej. Ai mori medaljen presidenciale të lirisë nga presidenti George W. Bush në vitin 2005; ishte mysafir nderi me rastin e inaugurimit të presidentit të parë zezak të SHBA-së, Barack Obama, në vitin 2009. Në këmbim të pagesave të majme, ai lidhi kontrata me kompani të njohura, si I.B.M., Porsche, Louis Vuitton. Eig thoshte se, derisa si i ri, Ali i quante të bardhët djaj dhe derisa ishte mysliman 'i freskët', ai ishte një ari i vërtetë, i rrezikshëm dhe i pakontrollueshëm, por kur u bë i popullarizuar, Ali filloi që të sillej më shumë sikur ari cirku. Në vitin 1984 Ali diagnostikohet me sëmundje të Parkinsonit. Sikur që jeta e Muhammed Alisë ishte ep i një jete, po ashtu edhe libri "Ali: A Life", është ep i biografive. 

(Kosova Sot)