Kosova, e hendikepuar KULTURALISHT

  • 12 December 2017 - 08:46
Kosova, e hendikepuar KULTURALISHT

Kultura kosovare gjithnjë e më shumë po e ndjen mungesën e thellë që ka sa u përket bashkëpunimeve me atë evropiane. Përjashto ndonjë sukses të rrallë në festivale të rangut elitar, sikurse suksesi i filmit 'Martesa" të Blerta Zeqirit, kultura kosovare ende mbetet larg prezantimit para publikut evropiane. Në raste të rralla institucionet kulturore qoftë skenike, muzikore, aranzhojnë ndonjë performancë, apo prezantim para publikut evropian. Mungesa e liberalizimit të vizave, moskonsolidim i plotë, mosmbështetja, e shumë herë edhe mosinteresimi i menaxhmenteve të institucioneve janë disa nga arsyet që kultura kosovare ende mbetet larg bashkëpunimeve me atë të vendeve evropiane. Nuk ka munguar edhe 'dëshira' e vetë institucioneve kulturore për t'u larguar nga rrjedhat evropiane, siç ishte edhe vetë largimi i Teatrit Kombëtar nga Konventa Evropiane e Teatrove (ETC). Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, mungesa e bashkëpunimeve kulturore me vendet evropiane vjen si rezultat i neglizhencës së institucioneve tona, qoftë kulturore apo edhe shtetërore. Institucionet, kanë thënë ata, bëjnë pak përpjekje, duke u lënë vend keqpërdorimeve dhe interesave klanore.

"Nuk ka projekte serioze kulturore të nivelit kombëtar"

Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Dan Ibrahimi, duke folur për çështjen e mungesës së bashkëpunimeve evropiane, ka thënë se Kosovës i mungojnë bashkëpunimet kulturore me Evropën, madje dhe botën, sepse nuk ka bashkëpunim serioz kulturor, madje as me Shqipërinë. "Nuk ka projekte serioze kulturore të nivelit kombëtar këtu. E quajnë financim në kulturë shumën nga tre katërqind euro për nja 10-të a 20-të libra", ka thënë Ibrahimi. Kurse regjisori Mahir Musliu ka thënë për "Kosova Sot", se nuk ka pasur zhvillime të tilla, të cilat do të mund të përfaqësonin artin dhe kulturën kosovare nëpër vendet evropiane. Kosova, ka thënë ai, ka një kalendar të varfër kulturor dhe kjo e bën Kosovën një shtet të hendikepuar kulturalisht. "Pra, këtu kemi vetëm politikanë të korruptuar që përpiqen e luftojnë për xhepat dhe familjet e tyre. Ne mund të përfaqësohemi në Evropë vetëm me kulturën e krimit dhe korrupsionit, i cili ia zë frymën kulturës dhe komunitetit kulturor", ka thënë Mulsiu për "Kosova Sot".

Na lanë në geto

Ndërsa studiuesi Ismet Tahiraj ka thënë për "Kosova Sot", se mosbashkëpunimi me qendrat kulturore evropiane dëmton artin kosovar duke e lënë atë të getoizuar. Sipas tij, kjo vjen si rezultat i disa faktorëve duke përmendur edhe mospërvojën e kosovarëve në këtë fushë, e që, siç ka thënë ai, të tjerët i kanë, nuk janë të regjistruara në asnjë klub apo shoqatë ndërkombëtar. Ai ka shtuar se edhe pagesa për anëtarësim nuk bëhet. Ndërsa kur vjen në pyetje letërsia, ai ka thënë se situata është edhe më keq. "Po ashtu, nuk njohim në masë të madhe asnjë gjuhë të huaj që të komunikojmë. Pastaj janë të paktë ata që kanë vepra në gjuhët e huaja edhe ato në mënyre stihike dhe përkthim joprofesional, derisa të vetëdijesohemi na hakmerret ky takim mjaft i rëndësishëm për të dalë nga ky rreth vicioz", ka thënë Tahiraj, për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)