"Sulltanët" e komunitetit

  • 14 December 2017 - 15:43

KRITIKË E FILMIT 'JUST GETTING STARTED'

Disa gra përpiqen ta përfitojnë vëmendjen e tij seksuale

Fituesit e çmimit 'Oskar', Morgan Freeman dhe Tommy Lee Jones, luajnë rolin e rivalëve, të cilëve u duhet që t'i bashkojnë forcat për ta penguar veprimin e mafisë 

Një film, i cili nuk është shfaqur paraprakisht për shtyp, nuk ka të ngjarë që të jetë kryevepër e pazbuluar. Por, nuk është e thënë që ky film të jetë aq i keq, saqë sugjeron një neglizhencë e tillë. "Just Getting Started", ku varianti i parë është shkruar dhe drejtuar (regjia) nga Ron Shelton para më shumë se një dekade, ka filluar që të shfaqet në kinema, disi pa u vërejtur. Shelton, regjisori prapa filmave të tillë, si "Bull Durham", "White Men Can't Jump" dhe "Tin Cup", nuk i ka përshtatur këta filma të tij me komedinë e tij të re, por duke pasur parasysh meritat e tij të mëparshme, si dhe ekipin e aktorëve që i ka angazhuar, ku në rend të parë janë fituesit e çmimit Oskar, Morgan Freeman dhe Tommy Lee Jones, ai ka merituar një film më të mirë.

Pozita e Duke-s rrezikohet pas ardhjes së një figure misterioze

Studioja "e lodhtë", e cila qëndron prapa këtij filmi, "Broad Green Pictures", me të drejtë e ka caktuar këtë film si film festiv, dedikuar kryesisht për shikuesit më të moshuar. Ngjarja e këtij filmi zhvillohet në një komunitet pensionistësh në Palm Springs, rreth ditëve të festës së Kërshëndellave dhe, Shelton gjen humor te mospërputhja e shkretëtirës me diell dhe dekorimeve të Kërshëndellave. Duke (Freeman) është "sulltani" i komunitetit, ku disa gra përpiqen ta përfitojnë vëmendjen e tij seksuale, por ka edhe disa këlysh të cilët janë të lumtur me rolin e tyre. Por, pozita e Duke-s rrezikohet pas ardhjes së një figure misterioze, Leo (Jones), i cili e sfidon atë në fushën e golfit, por edhe në shtrat. Duke po ashtu ballafaqohet me një rrezik edhe më serioz në formën e zonjës shefe kriminale (Jane Seymour), e cila e sheh atë në një reklamë TV për qendrën e pensionistëve, prandaj e dërgon djalin e saj për ta njoftuar atë për dëshminë që kishte bërë kundër familjes së saj, disa vjet më parë. Duke (Freeman) ishte duke u fshehur në kuadër të një programi për mbrojtjen e dëshmitarëve, derisa, pa dashjen e tij, zbulohet. Leo dëshmon t'i ketë të gjitha aftësitë letale të cilat i duhen Duke-s për të mbijetuar një sulm nga mafia dhe, të dy këta janë të detyruar që ta formojnë një partneritet të zorshëm. 

Më pak të suksesshme janë tri zonjat që e ndjekin nga pas Duke-n

Problemi i parë i këtij filmi, është se ai është shumë i vetëkënaqur, sa që të sjellë ndonjë ndjenjë të vërtetë të rrezikut për heroin tonë. Një skenë me një gjarpër me zile në një çantë golfi ofron pak shqetësim, por eksitimi në pjesën tjetër të filmit është i nivelit tepër të ultë. Dy heronjtë, apo thënë më mirë, kopukët tanë, janë tepër të paaftë për të paraqitur ndonjë rrezik të madh dhe kjo e dëmton filmin, edhe pse ai është edituar për merak nga veterani Paul Seydor. Momentet humoristike të filmit po ashtu kanë kualitet të ndryshëm. Duket që Freeman mezi ka pritur një rol të këtillë, pa angazhim të madh, por ai ndonjëherë e tepron edhe në këtë drejtim. Jones, në anën tjetër, demonstron ekspertizën e tij pa u djersitur fare. Ai ka punuar edhe më parë me regjisorin Shelton ("Cobb"), ku edhe në këtë film, përkundër të gjitha të metave të tij, ai na bën me dije se paraqet një 'madhështi' te e cila mund të llogarisim. Edhe Rene Russo ("Tin Cup") po ashtu ofron një performancë të mirë si një femër gabimisht e nënvlerësuar, si nga Duke, po ashtu edhe nga Leo. Më pak të suksesshme janë tri zonjat që e ndjekin nga pas Duke-n. Faji nuk qëndron te tri aktoret - Elizabeth Ashley, Sheryl Lee Ralph dhe Glenne Headly. Që të gjitha ato është kënaqësi t'i shikosh, por rolet e tyre si gra të dëshpëruara që të hyjnë në shtratin e Duke-s, ua ulin vlerat, si atyre, po ashtu edhe filmit. Rolet në këtë film i luajnë: Morgan Freeman, Tommy Lee Jones, Rene Russo, Glenne Headly, Sheryl Lee Ralph, Elizabeth Ashley, Joe Pantoliano, Jane Seymour, derisa skenarin dhe regjinë i ka bërë Ron Shelton. 

(Kosova Sot)