Asnjë film i nivelit të lartë për të zhdukurit - Kulturë - Kosova Sot
Asnjë film i nivelit të lartë për të zhdukurit

Asnjë film i nivelit të lartë për të zhdukurit

S humë filma në vend janë bërë për luftën e fundit, krimet dhe pasojat që lanë shteti serb dhe ushtria e tij pas largimit. Shumë prej tyre janë prezantuar edhe në festivale ndërkombëtare. Janë bërë edhe filma për të zhdukurit. Por, deri më sot kinematografia kosovare nuk ka arritur të bëjë një film të nivelit të lartë, qoftë artistik, apo edhe dokumentar, për të dëshmuar dhe thënë shumë për të zhdukurit, sidomos fshehjen e krimeve që serbët u munduan ta bëjnë me bartjen e kufomave të shqiptarëve. Duke u varrosur dhe hedhur në liqe në Serbi. Apo edhe mbi dyshimet se shumë prej të vrarëve janë djegur nëpër furra të ish-fabrikave të dikurshme. Bërja e filmave me një tematikë të tillë do të kishte një ndikim të madh në njoftimin botës mbi krimet e mëdha që kanë kryer serbët ndaj shqiptarëve. Fshehjen e krimeve dhe përpjekja për të fshirë identitetin e shqiptarëve që vranë thjesht për të bindur botën se ata nuk ekzistuan. E mosbërja e filmave të tillë, sipas kineastëve tanë, ka vetëm një fajtor, kineastë kosovarë të cilët ende janë larg nga realizimi i filmave.

Skenarët lënë shumë për të dëshiruar

 Ilir Muharremi, kritik dhe njohës i zhvillimeve kulturore, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se filmi është një mundësi e mirë për të përçuar një të vërtetë te publiku i huaj, sidomos ai euroamerikan. Por, ata filma, qoftë artistikë apo dokumentarë duhet të kenë një realizim të mirë dhe në të gjitha aspektet që kërkon një film. Dihet, ka thënë ai, se si realizohen filma për këtë publik, e këtë për fat të keq kinematografia jonë nuk e ka arritur."Problemi është se si shtrohet filmi si temë. Te ne filmin që në hyrje, zhvillim dhe në përfundim nuk e trajtojnë si duhet, nuk e trajtojnë vetëm një temë dhe që të rrahet mirë kjo temë, por i përziejnë shumë dhe krijohet një mishmash, gjysmak, asgjë nuk është e përfunduar, por e përzierë, prandaj edhe nuk ka vlerë", është shprehur ai. Shton se këtu vjen në shprehje edhe plani, i cili nuk përdoret mirë dhe kuadri- sekuencat i kanë me sekonda të gjata, përderisa nuk duhet të jenë më të gjata se tre sekonda. Muharremi thotë se edhe skenarët lënë shumë për të dëshiruar. Skenarët nuk janë të mirë, ka shtuar ai dhe nuk shkruhen nga njerëz kompetentë. Muharremi ka thënë se regjisori edhe shkruan skenar, edhe bën regji, edhe luan vetë, nganjëherë edhe është vetë producent."Nuk ka logjikë pasi ai nuk është i profesionalizuar për të gjitha".

Shkarje të mëdha në skenar

Kurse Mahir Musliu, regjisor, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nuk është se nuk ka pasur filma me këtë tematikë, bile këtyre viteve çdo i dyti film artistik e dokumentar ka pasur për syzhe luftën ose ngjarje nga lufta. Por, sipas tij, shumica prej tyre kanë qenë të pa trajtuar mirë, me shkarje të mëdha në skenar."Skenaristët dhe regjisorët po rrëmbehen nga emocionet, patetika e cila mandej e ka zbehur besueshmërinë artistike. Pra, autorët në vend se t'i ruajnë emocionet për publikun ata parambushen vetë me emocione dhe ngjarjet në ekran dalin të pabesueshme", ka pohuar ai, duke shtuar se pjesën e fajit e ka edhe QKK-ja, e cila çdoherë shpërblen emra të njëjtë me projekte, të cilët kanë bërë lidhje me menaxhmentin. Fajtori tjetër, shton ai, është edhe MKRS-ja, e cila nuk ndan buxhet të mjaftueshëm për filmin, duke pasur parasysh se tërë kjo zeje mund të mbijetojë në saje të financave që ndan shteti."Filmi artistik ka kosto të lartë buxhetore dhe nuk bëhet me pak para, siç nisin këtu autoret. Me pak mjete ka pak suksese. Populli ynë ka çfarë të dëshmojë para botës për të përjetuarat e tij, vetëm duhet ditur që t'u japim atyre përshkrim artistik. Madje aq shumë ka ngjarje të përjetuara se një e njëqindta e tyre janë rrë- fyer, realizuar e parë nga opinioni botëror", ka thënë Musliu për "Kosova Sot". "Tema ka mjaft, por ato duhet të trajtohen si duhet. Nëse nuk e kanë atë që duhet, filmat tanë nuk e marrin vëmendjen e publikut të jashtëm dhe si rrjedhojë edhe nuk arrihet qëllimi", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" Ilir Muharremi. Ai shton se përmes filmit të krijohet tregimi për masakrat serbe në vend

(Kosova Sot)

12 orë e 25 minuta më parë
25/04/18