Themeltari i kulturës kosovare - Kulturë - Kosova Sot
Themeltari i kulturës kosovare

Themeltari i kulturës kosovare

ESAD MEKULI, NJË EMËR I MADH QË S'VLERËSOHET SA DUHET NË DITËT E SOTME

" Kontributi i Esad Mekulit për zhvillimin e kulturës dhe në veçanti letërsisë shqipe në Kosovë dhe viset e tjera atëbotë nën Jugosllavi, ishte kontribut prej gjiganti. Ai jo vetëm se ishte një poet madhështor, por u kujdes që të rritet një gjeneratë e artë letrave, duke bërë që letërsia shqipe të ketë edhe një zhvillim të gjithanshëm", ka thënë, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", Dan Ibrahimi

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës do të mbajë sot takimet e saj vjetore, letrare "Takimet Esad Mekuli". Një manifestim, i cili, përveç risive që sjell dhe programeve letrare, nderon edhe kontributi që Mekuli ka dhënë për kulturën në Kosovë. Për fat të keq, me pak përjashtime mbetet i vetmi që kujtohet për, siç thonë krijuesit, themeltarin e kulturës kosovare. Kontributi i Esad Mekulit në ndërtimin e infrastrukturës kulturore kosovare është kolosal. Ai dha një kontribut të çmuar për krijimin e kuadrove të reja në shumë fusha të kulturës, në veçanti zbulimin dhe mbështetjen e shkrimtarëve të ardhshëm të shqiptarëve në ishJugosllavi. Themeloi dhe drejtori revistën "Jeta e Re", bashkëpunoi dhe drejtoi edhe në shumë gazeta e revista. Por, sot fare pak figura e tij kujtohet nga institucionet. Rrugët e Prishtinës nuk kanë një bust apo shtatore të tij, është vështirë të gjesh një shkollë apo institucion kulturor që mban emrin e tij. Për krijuesit tanë Mekuli mbetet njëri që i dha shtysë kulturës shqiptare në ishJugosllavi.

POET MADHËSHTOR

Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesi Dan Ibrahimi ka thënë se kontributi i Esad Mekulit në zhvillimet kulturore në Kosovë ka qenë i mëdh. Sipas tij, jo vetëm që kontribuoi duke qenë edhe vetë pjesë e krijuesve të vendit, por edhe një vizionar i madh për ndërtimin e një infrastrukture kulturore. " Kontributi i Esad Mekulit për zhvillimin e kulturës dhe në veçanti letërsisë shqipe në Kosovë dhe viset e tjera atëbotë nën Jugosllavi, ishte kontribut prej gjiganti. Ai jo vetëm ishte një poet madhështor, por u kujdes që të rritet një gjeneratë e artë letrave, duke bërë që letërsia shqipe të ketë edhe një zhvillim të gjithanshëm", ka thënë Ibrahimi, duke shtuar se figura e Esad Mekulit meriton shumë dhe ndonëse është bërë, sepse kemi takimet "Esad Mekuli" përsëri mbetet shumë për t'u bërë. "Mendoj që do të duhet të bëhet edhe ndonjë libër monografik që brezat e ardhshëm të kenë një njohuri më të gjerë për këtë gjigant të zhvillimit letrar e kulturor në përgjithësi të shqiptarëve në ish- Jugosllavi", ka thënë ai për "Kosova Sot".

POEZI KUNDËR SHTYPJES SË SHQIPTARËVE

Edhe shkrimtari dhe studiuesi, Ismet Tahiraj ka vlerësuar kontributin e Mekulit. Sipas tij, takimet letrare Esad Mekuli janë në vigjilje. Tahiraj ka thënë se Mekuli ishte njeriu i parë që vuri binarët e letërsisë shqipe në Kosovë. Pothuaj menjëherë pas luftës, ka pohuar ai, u nxor në dritë revista e parë "Jeta e Re" më 1949, ku i dëshmuan penat e para krijuesit kosovarë, por edhe në letërsinë për fëmijë dhe përkthime . "Vetë baca Esadi shkroi poezi kundër shtypjes së shqiptarëve të mos i quajnë shiftari. Sipas mendimit tim, për baca Esadin, përveç këtij evenimenti, është dashur të bëhet më shumë, të kërkohet nga Mali i Zi të restaurohet shtëpia e tij e lindjes dhe ta ketë pllakën përkujtimore në ballë të shtëpisë", ka thënë Tahiraj. Po ashtu, sipas tij, institucionet duhet të bëjnë më shumë për nderimin këtij kolosi, të ketë shesh në emër të tij, buste apo shtatore, pasi, siç ka thënë ai, Mekuli meriton ta ketë një bust në qendër të Prishtinës dhe mos të harrohet se ishte shkolla e parë e letërsisë në Kosovë dhe më tej, për shqiptarët bile në trojet e ndara. "Sot në forma të ndryshme duhet të ketë një mobilizim për rikujtimin e tij, ngase ishte edhe doktor i shkencave të veterinarisë, i pakët në ish- Jugosllavi", ka thënë ai për "Kosova Sot", duke shtuar se edhe "Jeta e Re" duhet të organizojë diçka për Mekulin. 

(Kosova Sot) 

4 orë e 39 minuta më parë
15/10/18