"SEJVIM" ËSHTË I TEPËRT NË VEND TË "RUAJ"!

  • 16 December 2017 - 15:08

Shkruan: Avni Rudaku

ME SHKAS PRANIMIN I GJUHËS MALAZEZE SI GJUHË MË VETE

Me pranimin e gjuhës malazeze edhe në SHBA dhe gjetiu, me kodin e tyre unik linguistik, thuajse përmbyllet procesi i konsolidimit të identitetit të veçantë malazez

Nëse do të ishte një gjuhë shqipe e Kosovës me kodin e vet ndërkombëtar, në bazë të shtetit, do të quhej kosovarishte, por kjo do të pëlqehej, apo sipas qejfit vetëm të kosovarocentristëve apo kosovaristëve, të cilët flasin për konceptin e "kombit kosovar", e jo edhe të shumicës së gjerë që besojnë se ka dallime për shqiptarët, në mes të nocionit komb dhe shtet

Gjuha e popujve është ndër përcaktuesit e rëndësishëm të identitetit. Ajo i bën të dallueshëm grupet e ndryshme etnike me njëratjetrën, por jo të gjitha grupet etnike e kanë pasur atë mundësi ta ruajnë gjuhën e tyre amtare nëpër shekuj. Shembulli më i veçantë e më i dhimbshëm mbeten ashkalinjtë, të cilët flasin gjuhën shqipe, por nuk kanë gjuhën e tyre, sikur e kanë romët. Nëse i kthehemi të tashmes, e sidomos për teknologjinë e informacionit dhe aplikacionet e ndryshme në botë, është shumë e rëndësishme edhe pranimi i shtetit apo gjuhës tuaj në këto lista, pasi që në shumë aplikime, të dalin telashe nëse nuk dini se në cilit shtet ta shkruani se jetoni, kur nuk ta japin alternativën "Republika e Kosovës", e duhet ta shënoni "Albania", ose "Serbia"; pastaj, një sërë problemesh rreth kodit bankar që nuk përputhet me vendin ku jetoni dhe kodet e tjera bankare, etj. Ngjashëm është edhe me gjuhën e juaj, sa më shumë e njohin popujt e tjerë, sa më gjerësisht që njihet ndërkombëtarisht e zyrtarisht, është më përparësi për folësit e gjuhës suaj! Pranimi i gjuhës malazeze si gjuhë më vete dhe e pavarur, pa qenë nëngjuhë serbo-kroate, apo nën-serbishte, ka qenë lajm në krejt mediet. Sipas lajmeve të transmetuara, gjuha malazeze është pranuar nga Komiteti i Përbashkët Këshillimor në Librarinë e Kongresit në Uashington. Pranimi, do të thotë, se ka kodin e vet ISO 639, nuk quhet gjuhë serbo-kroate, por emërtohet gjuhë malazeze apo "montenegrian language". Emri malazez tashmë lidhet direkt me emrin e shtetit të Malit të Zi. 

THEMELIMI I KËSHILLIT PËR KODIFIKIMIN E GJUHËS MALAZEZE

Nëse do të ishte një gjuhë shqipe e Kosovës me kodin e vet ndërkombëtar, në bazë të shtetit, do të quhej kosovarishte, por kjo do të pëlqehej, apo sipas qejfit vetëm të kosovarocentristëve apo kosovaristëve, të cilët flasin për konceptin e "kombit kosovar", e jo edhe të shumicës së gjerë që besojnë se ka dallime për shqiptarët, në mes të nocionit komb dhe shtet. Ngjashëm thonë edhe për gjuhën kosovarishte, se do të ishte një shqipe, apo variant i gjuhës shqipe, por jo edhe gjuhë më vete dhe e pavarur. Sidoqoftë, me pavarësinë e Malit të Zi, malazezët po pavarësohen në çdo gjë: identitet, territor, gjuhë e komb. Tashmë me kodin ndërkombëtar të gjuhës, ISO 639, e përmbyllin thuajse procesin e nacionalizmit të pavarur malazez, sidomos në raport me serbët. Prandaj, kjo do ta forcojë përfundimisht identitetin malazez, identitetin e pavarur gjuhësor dhe kombëtar, kundrejt serbëve apo sllavëve në tërësi. Ndonëse, edhe kjo nuk është absolute, sepse janë popull i vogël dhe varësisht nga zhvillimet gjeopolitike dhe gjeoglobale, raportet me fqinjët, sërish mund t'i kthehen identiteteve, nëse flasim me gjasa teorike! Sipas informacioneve të lexuara nga ato që u raportuan nga mediet, në vitin 2008, Qeveria e Malit të Zi e paskësha themeluar një Këshill për Kodifikimin e Gjuhës Malazeze, për të standardizuar gjuhën malazeze, norma të gjuhës unike e të pavarur nga serbishtja. Po në këtë vit, pas dy vjetësh që e kishte shpallur pavarësinë nga Unioni me Republikën e Serbisë, paskan aplikuar për kodin ndërkombëtar të gjuhës. Pas katër vjetësh nga pavarësia e Malit të Zi, po sipas të njëjtave burime të informacionit indirekt, edhe e paskan përpiluar edhe gramatikën malazeze, pra në vitin 2010. Është tepër interesante tema mbi identitetet dhe për t'i dhënë përparësi teorive të cilat thonë se, identitetet krijohen, fuqizohen apo zbehen, varësisht nga dinamikat e kohës, zhvillimet politike dhe ekonomike, e kështu me radhë. Në po të njëjtat medie, lexuam se deri në vitin 1992, malazezët janë prononcuar se, lidhur me gjuhën që flasin, është gjuhë serbo-kroate dhe vetëm në dekadën e fundit, ndryshoi gjithçka nga ana e malazezëve. Me pranimin e gjuhës malazeze edhe në SHBA dhe gjetiu, me kodin e tyre unik linguistik sikur kodi telefonik etj., në arenën ndërkombëtare, përmbyllet thuajse procesi i konsolidimit të identitetit të veçantë malazez.

DIÇKA PËR SHQIPEN

Ne nuk jemi duke folur tash këtu për rastin e Malit të Zi dhe krijimin e "kosovarishtes", "tetovarishtes", apo llojit tjetër të veçantë përballë gjuhës shqipe, por po e marrim shkas Malin e Zi dhe lajmin e mësipërm, për të folur rreth ndikimeve banale të gjuhëve të huaja, e veçanërisht gjuhës angleze, në gjuhën shqipe. Nuk po merrem as me rregullat e gjuhës shqipe, se si duhet shkruar shqip emrat e huaj, ashtu siç shqiptohen në gjuhët origjinale. P. sh., Richard në gjuhë të huaj, në gjuhë shqipe, Riçërd; as për lakimin e emrave të huaj e të shqipëruar në gjuhën shqipe, se nuk duhet shënuar Riçërd gjithkund në fjali pavarësisht rasës dhe lakimit të emrit, meqë diku duhet thënë: Riçërdin, Riçërdit, etj. As nuk po flasim për shumë fjalë shqipe me prapashtesa të huaja, tashmë të pranueshme dhe të përshtatura mirë, sikur e thonë shumë autorë shqiptarë për shkrimin akademik, sikur Gjovalin Shkurtaj. Sipas Shkurtajt, ka shumë fjalë shqipe me prapashtesat e huaja, njëra ndër to, me ndikim të madh, "ist". Shumë emra që kryejnë punë, krijojnë e kanë profesione të ndryshme, mbarojnë me "ist". "Prapashtesa -ist është bërë prodhimtare në gjuhën shqipe. Me anën e kësaj prapashtese prej temash emërore formohen emra që tregojnë veta të karakterizuara sipas mjeshtërisë që ushtrojnë, ose punës që kryejnë: artist, centralist, ekskavatorist, futbollist, karikaturist, kitarist, makinist, pianist, shahist, specialist, sportist, violonçelist."(shih më shumë autorin Gj. Sh.) Ose me prapashtesat: ik, ant, ent, ier, er. "Me këto prapashtesa fjalëformuese në gjuhën shqipe, janë të paktë: Nevrastenik (nevrasteni-zemërohet lehtë, i padurueshëm); Diplomant (diplomë); Emigrant (emigroj); Kursant (kurs); Muzikant (muzikë); Asistent (asistoj); Referent (referoj); Bankier (bankë)…" Karrocier (karrocë); Kombajner (kombajnë); Magazinier (magazinë); Portier (portë)." (po aty) As nuk po flasim për disa huazime të moçme nga prapashtesat turke me "xhi" ose "çi". "Prapashtesat e burimit turk… -xhi, që qenë bërë prodhimtare në gjuhën shqipe në formimin e emrave të vepruesit, me kohë, erdhën e u zëvendësuan nga prapashtesa shqipe. Përdoren ende një numër fjalësh të formuara me këto prapashtesa, si: bojaxhi (bojë), fshesaxhi (fshesa), qiraxhi (qira), etj., apo zanatçi (zanat) me prapashtesën "çi"." (po aty) As nuk e kemi fjalën për rregullimin strikt nga prapashtesat turke me "llëk", për t'i bindur të moshuarit që të mos e përdorin këtë, sepse tashmë u bë kohë e gjatë historike e ndikimit të këtyre prapashtesave të huaja. "Me prapashtesën turke -llëk janë formuar prej fjalësh turke, në ndonjë rast edhe prej fjalësh të tjera, emra që tregojnë një cilësi ose veçori abstrakte, zakonisht me një ngjyrim stilistikor keqësues: Avokatllëk (avokat); Budallallëk (budalla); Fodullëk (fodull); Fukarrallëk (fukara); Hajdutllëk (hajdut); Maskarallëk (maskara)." (po aty)

FUND

Thënë përmbledhtazi, këto të mësipërmet, janë deri-diku të falshme për shkak të kohës së gjatë (mirë do të ishte edhe këto të rregulloheshin shqip!), por e kemi irritimin për fjalë të gjuhës angleze, të cilat për hir të komplekseve psikologjike të folësve, fjalën shqipe "ruaj", po e shkruajnë "sejvim", ose "përkrah", po e përdorin sikur të ishte shqip, "support", ose fjali të palogjikshme: "Ju do ta keni supportin dhe mbështetjen tonë të parezervë"! Edhe shqip, edhe anglisht! Çfarë është e tepruar, është! As nuk jemi për "purizëm të skajshëm nacionalist" mbi gjuhën, sikur kishin të drejtë rilindasit kombëtarë atëbotë, për shkak të rrjedhave të kohës, kur edhe termin e ndëkombëtarizuar "astronomi", e bënin "qiellshkronjë", duke dashur çdo fjalë ta bënin në gjuhën shqipe, por as për banalizime të gjuhës shqipe, sikur dëgjova për "sejvim" dhe "suportim", në vend të fjalëve shqipe!

(Kosova Sot)