KREATIVITETI SI DOMOSDOSHMËRI E SHPREHJES ARTISTIKE

  • 16 December 2017 - 17:37
KREATIVITETI SI DOMOSDOSHMËRI E SHPREHJES ARTISTIKE

ARTIN E BUKUR NUK E KRIJOJNË VETËM POPUJT E MËDHENJ

Nëse krijuesit i mungon frymëzimi, ai nuk mund të krijojë

Pa dyshim, çdo krijues, përherë angazhohet, që të krijojë diçka të re. Dhe, kjo risi, përherë e bren në çdo vend dhe në çdo kohë. Andaj, ky kreativitet përherë i nevojitet krijuesit, që të ecë përpara në ecejaken e vet artistike. Ai mundohet gjithherë që ta thotë atë që e ndien në brendinë e vet shpirtërore, e cila asnjëherë nuk e lë të qetë. E thotë ai, atë, ashtu si e ndien dhe si e përjeton. Andaj, krijuesi e shpreh gjithherë veten, brendinë shpirtërore dhe bioritmin e vet artistik. Ky bioritëm, zaten, nuk mund të shprehet në çdo moment dhe në çdo kohë. Ai, sigurisht, do të shprehet, kur është i disponuar, kur ekziston motivimi i brendshëm dhe kur ai disponim kërkon që të shprehet artistikisht. Ndaj, e gjithë kjo brendi e trazuar do të shprehet me vijë, ngjyrë, trajtë dhe me simbole të shumta. Andaj, gjithmonë, këto ngjyra, trajta dhe simbole do ta përbëjnë ritmin e jetës së tij. E, këto shpërfaqje, gjithsesi, do të kushtëzohen nga rrethanat shoqërore, jetësore, historike, por edhe psikologjike. Andaj, përgjithësisht, duke i studiuar me vëmendje, të gjitha këto të dhëna, do të bindemi, se shprehja artistike është gjithnjë domosdoshmëri e lartë shpirtërore e krijuesit.

FRYMËZIMI SI SHTYTJE E BRENDSHME E SHPREHJES ARTISTIKE

Krijuesi, gjithmonë, gjatë shprehjes artistike do ta kërkojë momentin e volitshëm për ta shprehur brengën e vet artistike. Pra, do të krijojë kur e ka arsyen, kur diç e brendshme e motivon, që ta shprehë atë që e bren nga brendia. Andaj, gjithë ky motivim do të bëhet, nëse është nxitur nga frymëzimi. Ky frymëzim, zaten, gjithmonë, do ta shprehë botën e vet artistike, që përherë e ndien krijuesi në mendje dhe në shpirt. Megjithatë, nëse krijuesit i mungon frymëzimi, apo nuk është i aftësuar që të krijojë ose i mungon ideja artistike, ai sigurisht, nuk mund të krijojë ose do të krijojë në formë mekanike, pa ide konkrete dhe pa idealizëm për ta shprehur botën e vet shpirtërore dhe artistike. Krijuesi i mirë, përherë do ta zbulojë idenë e vet, trajtën (formën) e vet dhe botën e vet artistike. Ai gjithmonë duke e veneruar jetën e përditshme do të mbledhë fakte reale dhe përherë do të angazhohet që ato fakte të përditshmërisë t'i paraqesë me ritmin (bioritmin) e vet kreativ. E, nëse krijuesit i mungon ky fakt i realitetit, ai gjithmonë do të mbetet i "huaj" ose përherë do të huazojë thesarin dhe mendjen e tjetërkujt. Gjithsesi, frymëzimi do të kushtëzohet nga jeta. Dhe, nuk ka çka të thotë krijuesi (artisti) nëse nuk e ka parë jetën nga brenda, nuk e ka pulsimin e jetës dhe, nëse, nuk e ka vetëkrijuar atë brendinë shpirtërore. Dihet mirëfilli se arti është domosdo e shprehjes së brendshme shpirtërore. Dhe, nëse kjo domosdo lind nga mendja dhe nga shpirti, atëherë gjithnjë do të kemi realizime (vepra) të thukëta dhe cilësore dhe me ndjesim të lartë artistik. Këto vepra, sigurisht, nuk do të lindin 'ad hoc' ose sa herë të dëshirojë krijuesi. Ato do të lindin, kur preket shpirti dhe ndjesohet mendja. Pra, kur "koka mendon e dora punon". Pa dyshim, veprimtaria (opusi) artistik i krijuesit, asnjëherë nuk do të matet (peshohet) me sasinë e veprave të krijuara. Por, gjithsesi, do të matet me cilësinë e shpërfaqjes artistike. Korexho, piktor i njohur i Renesansës, njihet nga historia e artit, me vetëm 4 vepra pikturale. Por ato vepra janë të realizuara me pietetin më të lartë idealizues. Leonardo Da Vinçi nuk ka krijuar shumë vepra, por ato që i realizoi janë vepra kolosale dhe të shpërfaqura me sensin më të lartë kreativ. Për të gjitha veprat e krijuara koha është gjykatësi më i mirë i vlerave kreative të çdo krijuesi. Përgjithësisht, mendoj në çfarëdo rrethanë jetësore, në çdo sistem shoqëror ose në çdo periudhë historike, arti është krijuar dhe krijohet si domosdo artistike. Ndaj, në këtë domosdoshmëri kreative e artistike mund ta përmendim gjithsesi edhe ciklin omonim "Elegji për Kosovën" (2001) të piktorit madhor Tahir Emra. Ai në këto vepra elegjiake tregoi sensin më të lartë idealizues e shpirtëror në kreativitetin e tij artistik. Ai dhe vetëm ai diti të jetë aq shpërfaqës dhe aq sensitive, duke treguar barbarinë rrëqethëse dhe nacionaliste serbiane ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Në këtë vazhdë të domosdoshmërisë artistike, mund ta përmendim edhe veprën kolosale"Hamalli " (1967) të piktorit tejet sensitive Muslim Mulliqi. Ai në këtë vepër madhore dhe tejet idealiste tregoi qartas kohën, kur shqiptarët ishin hamaj dhe sharraxhinj. Pra, tregoi realitetin e hidhur kur shqiptarët punonin për të mbetur gjallë me punën e palodhur të tyre.

KRIJUESI MUND TË ZHDUKET SI MATERIE FIZIKE

Sigurisht, arti dhe kreativiteti artistik, si domosdo, nuk është çështje e ligjeve të tregut, por është çështje e rrethanave shoqërore, e çështjes shpirtërore e artistike të krijuesit. Për këtë, mund të themi; krijuesi mund të zhduket si materie fizike, por asnjëherë nuk mund të zhduket, shpirti i tij, ideja e tij dhe kreativiteti i lartë ndjesor e shpirtëror në artin e bukur të tij. Gjithsesi, vepra artistike, nëse nuk zgjon asnjë përjetim estetik dhe lëkundje shpirtërore, ai art nuk do ta emocionon askënd; ai art (vepër) do të mbetet i pavlerë, hermetik dhe me shpërfaqjen e tij nuk do të peshojë fare. Megjithatë, sot, mund të flitet për krizën artistike, që shpeshherë e ka kapluar artin në përgjithësi. Sigurisht, ky art tani, nuk po krijohet si domosdoshmëri artistike, por shpeshherë po krijohet, si imponim i kësaj domosdoje, ku po realizohen, vepra artistike, të skematizuara, të cilat në vete nuk e kanë shprehjen e vet shpirtërore. Kjo krizë artistike, sigurisht është e ndërlidhur edhe me krizën ekonomike, por edhe morale, që e ka kapluar tërë botën. Dihet mirëfilli, se artin e bukur nuk e krijojnë vetëm popujt e mëdhenj, por atë e krijojnë edhe popujt e vegjël. Ndaj, edhe ne, si popull i vogël, po e krijojmë artin e bukur. Fatkeqësisht, ka tendenca atykëtu që ndonjëherë të përkrahet antiarti. Megjithatë, kjo tendencë do të humbasë me kohë dhe nuk do të peshojë gjatë. Andaj, arti është drita e shpirtit të secilit popull dhe populli pa atë dritë nuk do t'i njihte shtigjet e së kaluarës, të së tashmes dhe të së ardhmes.

(Kosova Sot)