Rrallohet dukshëm prezantimi i këngëtarëve nga Kosova

  • 19 December 2017 - 09:08
Rrallohet dukshëm prezantimi i këngëtarëve nga Kosova

NË VIGJILJE TË EDICIONIT TË 56-TË TË FESTIVALIT TË KËNGËS NË RADIOTELEVIZIONIN SHQIPTAR

VISAR PEJA:Teoritë "konspirative", që qarkullojnë brenda organizimit, kanë bërë që pjesëmarrja të jetë e ulët

Edicioni i sivjetmë, që pritet të mbahet pas dy ditësh, me gjasë nuk do të ketë më shumë se një kompozitor nga Kosova. Të paktë, në bazë të të dhënave që janë publikuar në mediet shqiptare, sa i përket pjesëmarrjes dhe përzgjedhjes së finalistëve që është bërë nga drejtues të festivalit. Në mesin e 22 këngëve të përzgjedhura, në garë për triumf është edhe kënga e kompozitorit nga Kosova, Florent Boshnjakut "Pritëm edhe pak" me tekst të Yll Limanit, në interpretim të Lorela Sejdinit

Dalëngadalë këngëtarët dhe kompozitorët kosovarë po 'heqin dorë' nga pjesëmarrja në Festivalin e përvitshëm të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Edicioni i sivjetmë, që pritet të mbahet pas dy ditësh, me gjasë nuk do të ketë më shumë se një kompozitor nga Kosova. Të paktë në bazë të të dhë- nave që janë publikuar në mediet shqiptare, sa i përket pjesëmarrjes dhe përzgjedhjes së finalistëve që është bërë nga drejtues të festivalit. Në mesin e 22 këngëve të përzgjedhura, në garë për triumf është edhe kënga e kompozitorit nga Kosova, Florent Boshnjakut "Pritëm edhe pak" me tekst të Yll Limanit në interpretim të Lorela Sejdinit. Që në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar nisi pjesëmarrja e këngëtarëve dhe kompozitorëve nga Kosova në Festivalin e RTSH-së, ku performuan emra të njohur të skenës muzikore në vend. Nuk mungoi edhe suksesi i këngëtarëve në këtë festival për vite. Sidomos suksesi i këngëtares Rona Nishliut, e cila rrëmbeu vendin e parë në këtë festival dhe përfaqësoi Shqipërinë në Evrovizion në 2012. Në fakt, ka vite që këngëtarët kosovarë dhe kompozitorë ankohen se ky festival nuk është si dikur dhe nuk fiton më i miri, por, siç ishin shprehur ata më parë, fituesi zgjidhej sipas preferencave, duke kritikuar drejtuesit e festivalit.
Dula: Fajin për mosinteresim të muzikantëve nga Kosova për pjesëmarrje e kanë vetë ata
Këngëtari Visar Peja, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënën se Festivali i Këngës në RTSH është një gjë e mirë që ndodh në artin muzikor shqiptar, siç ka thënë ai, kur e dimë faktin se kënga fituese shkon ne Evrovizion! Ndërsa, sa i përket pjesëmarrjes së pakët të kosovarëve, Peja ka thënë se ato teoritë "konspirative" që qarkullojnë brenda organizimit kanë bërë që pjesëmarrja të jetë e ulët! "E kujtojmë duetin Krelani - Disha dhe ndoshta kjo ka bërë që artistët e tjerë të hezitojnë, sepse jo gjithmonë vetëm pjesëmarrja është e mjaftueshme", ka thënë Peja, për "Kosova Sot". Kurse Naser Dula, kompozitor dhe profesor muzike, ka thënë se Festivali i RTSHsë është festivali më profesional në regjion i muzikës së lehtë, një festival që ka sjellë solistë të rinj, të cilët janë bërë emra të mëdhenj në Shqipëri e më gjerë, por edhe vlerësime profesionale dhe shumë korrekte nga juritë e tij. Përderisa fajin për mosinteresim të muzikantëve nga Kosova për pjesëmarrje në këtë festival e kanë vetëm kosovarët. Pasi, siç ka thënë ai, solistët kosovarë nuk janë aspak afër nivelit të solistëve të Shqipërisë. "Duhet të pranohet sepse ata shkollimin e tyre në këndim e marrin në shkollat profesionale, edukimi me kohë dhe trashëgimia familjare, pastaj kanë shumë ansamble aktive muzikore, por mbi të gjitha kanë sallën e operës, çka Kosovës i mungon. Pra, flas me modesti, solistët e rinj dhe të moshuar janë shumë para se te ne me traditë", ka thënë Dula.

Megjithatë, kosovarët u dëshmuan

Ndërsa muzikantja Dafina Smajli, në një prononcim për "Kosova Sot", duke potencuar problemet që kanë shtyrë kosovarët që të humbin interesimin për pjesëmarrje në festivalin e RTSH-së, ka thënë se Kosova ka shumë kuantitet në industrinë e muzikës, kurse pak kualitet, siç ka thënë ajo, fare pak zëra që mund ta përballojnë interpretimin 'live'. Megjithatë, ka thënë ajo, ka mjaft emra të dëshmuar, të cilët janë për t'u vlerësuar dhe që do ta përballonin skenën 'live' të festivalit. Më tej, Smajli ka thënë se netët 'live' të festivalit janë "për shpirt ", pasi muzika 'live' është "muzikë shpirti". Interpretimi 'live', ka potencuar ajo, nuk tradhton, pavarësisht problemeve të ndryshme teknike. "Por, të jep mundësi të shijosh jo vetëm tingujt e pianos, harqeve, instrumenteve frymore dhe aftësinë e këngëtarit-këngëtares për të përballuar një skenë", ka thënë ajo.

(Kosova Sot)