Aurelie, si nusja e Frankensteinit - Kulturë - Kosova Sot
Aurelie, si nusja e Frankensteinit

Aurelie, si nusja e Frankensteinit

KRITIKË E FILMIT 'PERMANENT'

Ndoshta është pa vend që të supozojmë, por duket sikur skenaristja/regjisorja Colette Burson, derisa ishte adoleshente, me siguri ka pasur një stil tepër të keq të flokëve. Të paktën, kjo është përshtypja që fitohet nga komedia e saj e re, me në rolet kryesore aktorët Patricia Arquette, Rainn Wilson dhe Kira McLean, në një performancë të mrekullueshme të një vajze të re. Përkundër të gjitha të metave që mund t'i ketë ky film, "Permanent" nuk e ka merituar fatin që të fillojë të shfaqet në kinema, pa u shfaqur një herë për kritikët.

Jeanne e ndihmon familjen duke bërë punën e kamerieres

Ngjarja e filmit zhvillohet në vitin 1982 në periferi të Virxhinias. Një vajzë 13 vjeçe, Aurelie (McLean), emri i së cilës shkakton përqeshje nga moshatarët e saj në shkollë, është e bija e Jimit (Wilson) dhe Jeanne-s (Arquette), të cilët kanë probleme financiare. Jim nuk ka shumë kohë që ka mbetur pa punën e kamerierit në avionin presidencial "Air Force One" dhe tani dëshiron që ta bëjë një fillim të ri, duke regjistruar studimet e mjekë- sisë. Jeanne e ndihmon familjen duke bërë punën e kamerieres në një lokal ku shërbejnë pula të fërguara, duke qëndruar aq gjatë në këmbë, sa që kur kthehet në shtëpi, vonë natën, ka nevojë të madhe për masazh këmbësh. Por, burri i saj nuk ia plotëson këtë nevojë, sikur që nuk ia plotëson as nevojat seksuale.  

Parukja e tmerrshme

 Duke dashur me çdo kusht që të përshtatet në shkollën e saj të re, Aurelie i lut prindërit që ta lejojnë t'i dredhë flokët. Pasi prindërit e çojnë në një "shkollë bukurie", për t'ia plotësuar këtë kërkesë, rezultatet janë të tmerrshme. Aurelie tani duket sikur nusja e Frankensteinit. Kjo bën që nxënësit e tjerë në shkollë të tallen edhe më shumë me të. Edhe Jim ka një problem me flokët dhe, si pasojë e kësaj, ai bartë një paruke të tmerrshme. Ai informohet se, si pjesë e kurrikulumit universitar, duhet të bëjë edhe kurs noti. Ai tenton ta evitojë një gjë të tillë, duke u shtirë kinse e kishte kapur infarkti. Performanca e aktorëve kryesorë është për çdo lëvdatë. Rolet në këtë film i luajnë: Patricia Arquette, Rainn Wilson, Kira McLean, Michael Greene, Nena Daniels, derisa skenarin dhe regjinë e ka bërë Colette Burson.

(Kosova Sot)

4 orë e 40 minuta më parë
21/09/18