Nusja që tmerroi xhandarët serb (Video)

  • 22 December 2017 - 08:33
Nusja që tmerroi xhandarët serb (Video)

Historia e njërës prej femrave më të përfolura shqiptare për një shekull, Shotë Galicës, është sa madhështore aq edhe e dhimbshme. Në fillim të shekullit të 20-të ishte pothuajse e rrallë që një femër të përfshihej në luftime masive me ushtarë profesionistë e aq më shumë të ishte prijëse e tyre. E tmerrshme dhe guximtare kundër xhandarëve serbë, por njëkohësisht edhe një figurë humanitare. Por, për fat të keq, pak u vlerësua nga ata tek të cilët u mbështet pas largimit nga Kosova, duke vdekur e rrethuar vetëm nga ata jetimë dhe njerëz që mori me vete pas largimit nga fushëbeteja në pjesën tjetër shqiptare. Për një kohë u përmend pak, por në dekadat e fundit përkujtohet çdo vit, sidomos në jubile. Njëjtë u vlerësua edhe të enjten, në kuadër të Konferencës shkencore "Veprimtaria atdhetare e Shotë Galicës", që u mbajt nga Instituti Albanologjik në bashkëpunim edhe me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi. Studiues të shumtë që prezantuan në këtë konferencë folën për figurën e Shotës në shumë aspekte, ndikimin që ajo pati në krijimtarinë artistike shqipe.

Zëdhënëse e ndërgjegjes kombëtare

 Duke folur rreth kontributit dhe luftës së Shotë Galicës, historiani Xheladin Shala, në kumtesën e tij "Shotë Galica zëdhënëse e ndërgjegjes kombëtare', ka thënë se vendosmëria, trimëria, guximi dhe viktimizimi i pashembullt në disa dhjetëra aksione luftarake gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj bënë që Shotë Galica të zërë një vend nderi në mesin e figurave të shquara në historinë tonë kombëtare."Për shumë kohë figurës së kësaj heroine historiografia jonë i mbeti borxh, për arsyet që tashmë dihen, por pas zhvillimeve të fundshekullit të kaluar dhe fillimin e këtij shekulli figura e kësaj femre është rivënë aty ku edhe e ka vendin", ka thënë Shala. Ndërsa, për historianin Hakif Bajrami, Shota në dokumentet e kohës cilësohet si humaniste, pasi siç konkludon ai në kumtesën e tij për treshen e famshme patriotike, Shotën, Marie Shllakun dhe Xhevë Lladrovcin, Shota kishte gjerësi shpirtërore për t`i ndihmuar të gjithë njerëzit në nevojë. Bajrami kujton aftësinë e saj për të kuruar të plagosurin."Lartësia e saj në detyrë do të shihet se Shota e armatosur me pushkë të gjatë për të luftuar me ushtrinë nga largësia. Municioni i saj ishte për luftë speciale. Gjithnjë me veti mbante edhe një palë gërshërë të çelikut, një fashë të pështjellur me një pëlhurë të bardhë në shumë mbështjellje", ka pohuar ai.

Frymëzim për të gjithë brezat e ardhshëm

Behram Hoti, krijuesi dhe veprimtar, në një prononcim për "Kosova Sot", ka prekur humanitetin e Shotës dhe kujdesin e saj për fëmijët jetimë që kishte lënë pas përballjes me serbët. "Shotë Galica është e vetmja femër e kohës që kurrë nuk iu nda pushkës dhe idealit të saj për liri, bile edhe pas vrasjes së Azemit. Përveçse ishte një luftëtare që tmerroi xhandarët serbë, ajo ishte edhe një humaniste e madhe. E plagosur dhe në gjendje të keqe pas tërheqjes nga Kosova për në Shqipëri, ajo me vete merr dhe 22 jetimë, fëmijë të bashkëluftëtarëve të saj, për të cilët u kujdes deri në vdekje", ka thënë Hoti për "Kosova Sot", duke shtuar se ajo është frymëzim për të gjithë brezat e ardhshëm me radhë: për historianët, krijuesit dhe të gjithë ata që në një apo mënyrë tjetër bien në kontakt me të bëmat e saj. Ndërsa, duke folur rreth krijimeve artistike për figurën e Shotë Galicës, shkrimtari dhe studiuesi Bedri Tahiri ka pohuar se Shotë Galica mbetet simbol i qëndresës së femrës shqiptare për të gjitha kohërat. Sipas tij, ajo me trimërinë e saj frymëzoi të gjitha mendjet krijuese. Kështu ka potencuar ai gjatë kumtimit për t'u thurur këngë, u skalitën lapidarë, u hartuan poezi, romane, drama e tregime të shumta.

(Kosova Sot)