Shkatërruesit e fondit kulturor-historik

  • 23 December 2017 - 13:56
Shkatërruesit e fondit kulturor-historik

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

 Prizreni me këtë ritëm të shkatërrimit apo rrënimit të trashëgimisë kulturore-historike, do të shënohet në historinë më të re të Kosovës, si një ndër qytetet më të vjetra në Kosovë dhe me dëmtimin total të saj, më së fundi prej qyteteve të Kosovës! Edhe asaj pak trashëgimie kulturore, të mbetur në Kosovë, në qytetin e dashur si Prizreni, vjetëve të fundit, po i vihet 'trëndafili i ngushëllimit' nën rrënoja! Në Prizren, ekskavatorët e buldozerët po kanë më së shumti punë në prishjen e objekteve të trashëgimisë kulturore! Nuk ka muaj që nuk vjen një lajm i ri për shkatërrimin e objekteve kulturore në këtë qytet, sakaq jemi mësuar tashmë me të dhe asgjë nuk është e re! Si është e mundshme para nesh, me tërë fokusin mediatik, të mos ndalet rrënimi i kujtesës materiale e shpirtërore të Prizrenit? A janë qesharake edhe deklarimet e prokurorëve e gjykatësve? A janë komike edhe mënyra e thirrjes për bashkëpunim me qytetarë, nga ana e prokurorisë, rreth këtij rasti? A nuk janë tragjikomike edhe lajmet e raportuara se nuk dihet kush e rrënoi shtëpinë e familjes Myftiu? A nuk janë prishjet me zhurmë të objekteve dhe të dihet kushdo që merr pjesë në këto rrënime? A nuk është për të ardhur keq kur thuhet në lajmet e fundit se, është gjetur ngasësi i buldozerit a ekskavatorit, por nuk dihet se kush e ka dhënë urdhrin e prishjes?! A nuk e di ngasësi se kush e ka porositur? Kush e ka thirrur? Në Kosovë njerëzit besohet se përgjohen pa asnjë autorizim të gjykatës, e nuk po e përgjuakan dikë që dyshohet për dëmtim të trashëgimisë kulturore-historike! Në Kosovë njeriu ka dëgjuar lloj-lloj rrëfimi absurd! Nuk ka më me shaka se si trajtohen problemet nga institucionet më të larta të vendit! Thua se Prizreni qenka më i madh se Kina dhe është numër i vogël i inspektorëve e të policisë, për të gjetur prishësin; thua se dikush e merr buldozerin, e prishë një objekt kulturor dhe në rast se personi thotë se nuk e di kush e ka urdhëruar, mjafton me kaq dhe mbetet i lirë!

REAGIMI PASIV I QENDRËS RAJONALE PËR TRASHËGIMI KULTURORE

 Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren reagoi lidhur me shkatërrimin e shtëpisë së familjes Myftiu. Në një nga pjesët e këtij reagimi mediatik, thuhet: "Shkatërrimi i shtëpisë së familjes Myftiu, këtij aseti të rëndë- sishëm të trashëgimisë kulturore dha një goditje të rëndë bindjes sonë se jemi duke përparuar në vetëdijesimin e opinionit dhe institucioneve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore si vlerë universale e njerëzimit. Shtëpia e familjes Myftiu është vlerësuar si monument kulture me numrin unik 507 dhe gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2017-2018. Ndërtesa është inventarizuar, janë evidentuar vlerat e saj arkitektonike - estetike, historike, shoqërore dhe shkencore. Është bërë edhe rilevimi i gjendjes ekzistuese dhe ka qenë e propozuar për ndërhyrje restauruese gjatë këtij viti. Fatkeqësisht pronarët nuk kanë pranuar të bëhet ndërhyrja, duke u arsyetuar se ndërtesa është pronë e disa trashëgimtarëve, dhe nuk po arrijnë një marrëveshje të brendshme për të lejuar restaurimin e ndërtesës. Përkundër faktit që janë njoftuar rreth obligimeve dhe detyrimeve të pronarëve të aseteve të Trashëgimisë Kulturore, në bazë të Ligjit (Nr.02/L-88) të Trashëgimisë Kulturore, nuk kemi arritur t'i bindim për të lejuar ndërhyrjen." Nëse e lexoni këtë reagim me kujdes, e veçanërisht pjesën e fundit, se "nuk kemi arritur t'i bindim për të lejuar ndërhyrjen", e kuptoni se sa jemi të dobët në sjelljen shtetërore të institucioneve tona kulturore kundrejt problemeve dhe sfidave. Pse duhet kjo qendër t'i bind për të lejuar ndërhyrjen? A është dëmtimi proces i bindjes apo mosbindjes, apo është vepër e dënueshme dhe e pret ndëshkimi sipas ligjeve në fuqi? A nuk është detyrë e qendrës identifikimi i problemit dhe denoncimi në organet përgjegjëse? Si mund të heq dorë nga përgjegjësia vetëm me reagime dhe përpjekje për t'i bindur prishësit e objekteve kulturore? Si duhet të lejohet ky lloj komunikimi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, thua se është në të drejtën e pronarëve për ta shkatërruar apo jo, një shtëpi të mbrojtur nga Ministria për kulturë, rini dhe sport?! A duhet të varet shkatërrimi apo ruajtja e monumenteve dhe objekteve të çfarë- doshme kulturore-historike, varësisht nga fuqia/aftësia e persuacionit të qendrës ndaj shkelësve të ligjit? A duhet të themi se dështuan organet e rendit dhe të ligjit për ruajtjen e shtëpisë Myftiu, pasi që dështuan në procesin e bindjes së shkelësve, se nuk "bën ashtu të sillen me trashëgiminë kulturore"?! Në letër reagimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, po ashtu thuhet, ndër të tjerash, edhe kjo: "Kjo situatë e palakmueshme është paraqitur në departamentin e Trashëgimisë Kulturore, me ç'rast kemi kërkuar që të ndërmerren hapat konkrete ndaj pronarëve për pengimin e ndërhyrjeve restauruese, bazuar në dispozitat ligjore. Duke menduar që ndërmarrja e veprimeve ligjore do të parandalojë rrënimin e qëllimshëm të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore, dhe do të kontribuojë në vetëdijesimin e pronarëve tjerë. Po ashtu është kërkuar të ndërmerren masa ligjore ndaj shkatërruesve të këtij aseti shumë të rëndë- sishëm kulturo-historik që përveç humbjes së monumentit kanë krijuar një imazh të shëmtuar për qytetin, respektivisht për Kosovën që nuk mund të kujdesej për trashëgiminë e vet kulturore." Edhe te kjo pjesë, nuk është e qartë se paraqitja në departamentin e Trashëgimisë Kulturore, ka pasur ndonjë efekt, apo edhe cilët hapa konkretë janë kërkuar të merren. Nëse nuk ka pasur nevojë të paraqiten detajet në këtë reagim publik, në rregull, atëherë pse nuk është kjo dëshmi e provë për prokurorët e gjykatësit, nëse nuk ka ndërmarrë asgjë Departamenti i Trashëgimisë Kulturore për shkatërrimin e shtëpisë Myftiu?! A nuk rezulton nga reagimi publik i qendrës rajonale se Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, nuk ka marrë asgjë për ta parandaluar rrënimin e shtëpisë Myftiu? Pra, zinxhiri komandues është mjaft i kthjelltë si loti! Prokurorët mund të hetojnë ngasësin e buldozerit , të kërkojnë kush e ka dhënë urdhrin dhe po ashtu, edhe të dyja palët duhet të merren në përgjegjësi, varë- sisht nga shkalla e dëmit, përgjegjësisë e paramendimit! Po ashtu, në të njëjtën kohë, hetohet reagimi publik i qendrës dhe letër-dëshmia që e kanë deponuar denoncimin e tyre në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, në mënyrë që të dihet saktë se për çfarë hapa konkretë bëhej fjalë dhe si kishte reaguar ky departament, që mban përgjegjësi direkte për trashëgiminë kulturore. Prizreni tashmë ka krijuar përvojë dhe traditë të shkatërrimit të objekteve kulturore! Vetëm gjatë vjetëve të fundit, edhe një tragjedi me pasoja vdekjen e një vogëlushes trevjeçare , nuk ka arritur të ketë ndikim në ruajtjen me kujdes maksimal të trashëgimisë kulturore-historike! Nuk kanë pasur efekte apo jehonë, as raportimet e vazhdueshme mediatike! Nuk kanë pasur ndikim as tërë ato reagime të shoqërisë civile dhe organizatave mjaft aktive në këtë rajon rreth trashëgimisë kulturore! Prizreni ka qenë më i ruajturi në aspektin e arkitekturës dhe ndërtimeve të vjetra e të Qendrës Historike, ndërsa me lajmet e vazhdueshme mbi rrënimet e njëpasnjëshme, po bëhet qyteti i fundit i shkatërruar pas lufte! Deri diku na 'shpëtonte' fatkeqësisht arsyetimi se ishim nën okupimin e Serbisë dhe krejt fajet ia atribuonim asaj për shkatërrimin e kulturës e të kaluarës sonë, ndërsa tashmë e shohim se edhe ne, nuk ia lëshojmë fare rrugën Serbisë, në këtë fushë!!!

ABSURDI I ZHVENDOSJES SË MKRS-SË NË PRIZREN

Në anën tjetër, nuk ka më absurde, më tragjike, më komike, më të papranueshme, më të qortueshme, sesa kur shkatërrohet trashëgimia kulturore-historike e Prizrenit dhe kemi vendimin e Qeverisë për vendosjen e objektit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, nga Prishtina në Prizren. Nuk ka më të dhimbshme sesa të bëhet simbol i kulturës në Kosovë, sakaq të arsyetohet MKRS të bartet në Prizren, e në anën tjetër të vandalizohet trashëgimia kulturore e këtij qyteti. Çfarë përfitimi paska Prizreni nëse do të zhvendoset MKRS në Prizren dhe një ditë nuk do të mbetet pa asgjë kulturore-historike? Çfarë rëndësie paska fakti i ndarjes së gati gjysmë milion eurosh në buxhetin e vitit 2018 për objektin e MKRS-së? Nuk ka më indinjuese se sa fakti i shkatërrimit të Prizrenit dhe vendimi i MKRS-së të bartet në "kryeqytetin e shkatërruar kulturor" të Kosovës! Pavarësisht ngutisë së vendimit për bartjen, e kishim më vete një gëzim, që të paktën mendonim se ndoshta do të mund të ruhej edhe më shumë trashëgimia kulturore-historike e Prizrenit, nëse do të bartej edhe institucioni më i lartë i vendit për kulturë, në këtë qytet! Por, fatkeqësisht, kjo do të jetë vetëm një përpjekje e partive politike dhe institucioneve tona kulturore, që ta maskojnë shkatërrimin me vendime kinse të mëdha!

 LIGJI I PAZBATUESHËM DHE INSPEKTORËT

 Pas disa vjetëve të Ligjit për trashëgimi kulturore, pat ardhur lajmi për inspektorët e trashëgimisë. Përkundër që ligji e përcaktonte rolin e inspektorëve qysh në fillim, vetëm gjatë vjetëve të fundit, u raportua se do të ketë numër të inspektorëve të trashëgimisë kulturore. Ndonëse në numër jo të mjaftueshëm, inspektorët nuk kanë ndikuar në asnjë mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Me nenin 4.12, thuhej se: "Inspektorët e caktuar nga Ministria, në pajtim me një akt nënligjor bazuar në këtë ligj, vlerësojnë kushtet dhe gjendjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ndërmarrin masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. 4.13. Pronari, poseduesi ose shfrytëzuesi i trashëgimisë kulturore të mbrojtur është i obliguar të mos pengojë inspektimin që kryhet sipas nenit 4.12." Nëse Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren thotë se, pronarët nuk janë bindur dhe nuk kanë lejuar ndërhyrjen, atëherë edhe ky nen është me rëndësi për përgjegjësit e shkatërrimit. Pronari, poseduesi ose shfrytëzuesi i trashëgimisë kulturore të mbrojtur është i obliguar të mos pengojë inspektimin dhe kjo duhet të hetohet nga prokuroria, se a është penguar inspektimi, apo edhe këshillat e panevojshme të Qendrës Rajonale për rinovim! Në një vend me sundim të ligjit, nuk ka nevojë të bindet pronari, por i kumtohet lajmi dhe përgjegjësia, dhe në rast se nuk ka marrëveshje, atëherë vetëm zbatohet ligji. Qeveria e Kosovës me mbi 70 zëvendësministra, me rritje pagash absurde 100 për qind për vetveten, si dhe rritjen automatike në përputhje me Ligjin për gjykatat, edhe për gjykatësit, tregon se mendjen nuk e ka fare te qytetarët dhe trashëgimia kulturore, por në luksin qeveritar! Askush deri më tash nuk jep dorëheqje për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore-historike në Prizren, ndonëse lajmet shpesh na tregojnë fotografitë e rrënimeve!

(Kosova Sot)