Labirintet e procesit kreativ të krijuesit

  • 24 December 2017 - 08:35
Labirintet e procesit kreativ të krijuesit

KRIJIMTARIA ARTISTIKE

SHKRUAN: MR. BISLIM ALIU

Krijuesi gjithherë mundohet që ta thotë atë që e ndien në brendinë e vet shpirtërore

Pa dyshim, asnjëherë dhe as kurrë nuk do të jenë të njohura plotësisht veprat e ndryshme artistike, nëse nuk do ta njohim procesin e një- mendësimit artistik të veprës; "laboratorin kreativ të krijuesit". "Art si të tillë nuk ka, ka vetëm artistë". Dhe, me këtë frazë e nis librin e vet, 'Historia e artit botëror', E. Gombriç. Ndaj, në këtë drejtim, kemi disa mendime dhe përqasje të ndryshme, lidhur me laboratorin kreativ të krijuesit. Disa studiues dhe artistë të ndryshëm mundohen të na bindin, se talentet janë të pashpjegueshëm. Ndërsa, disa të tjerë mendojnë se labirintet kreativë të krijuesve, edhe pse janë të ndërlikuara, ato nuk janë të panjohura. Megjithatë, disa studiues të tjerë mendojnë se përafërsisht mund të hyjmë në vorbullën e fshehtësive të mekanizmit kreative të krijuesve. Sido që të jetë, për njohjen e "laboratorit" kreativ të krijuesit duhet përqasje tejet serioze në njohjen e kreativitet të tij ndjesor e përmbajtjesor.

KUSH JANË VLERËSUESIT MË TË DENJË TË VEPRAVE ARTISTIKE?

Pa mëdyshje, historianët e artit mund t'i interpretojnë dhe, sigurisht, mund t'i vlerësojnë më së miri veprat artistike të krijuesve. Gjithsesi, ata kanë dije më të gjerë historike, për t'i analizuar krijimet artistike të krijuesve. Është fare e kuptueshme, se gjatë krijimtarisë artistike, krijuesi gjithherë e shprehë intuitën e vet shpirtërore. Mbase, kjo e dhënë është tejet vështirë që të dihet, atëherë, kuptohet, ka nevojë që të studiohet, më me ngulm, domethënia e veprave të krijuara. Dhe, në këtë kontekst, shumë njerëz janë të interesuar që të dinë; ç'është ajo forcë e madhe shpirtërore, e një skulptori, i cili nga një copë mermeri, e krijon një figurë, aq mahnitëse dhe aq të fuqishme, që ka mundur ta krijon skulptori, me ndjenjën e vet shpirtërore. Ose, në anën tjetër, ku e ka atë fuqi drithëruese aktori, që me aq elan kreativiteti dhe me aq bukuri të lartë rrezative e luan rolin e tij në skenë! Ndoshta, edhe më tepër për këtë drithërim të lartë shpirtërore, na cyt mendja për ta bërë pyetjen; A thua, me çfarë besnikërie ndjesore të kreativitetit, e shpërfaqi atë drithërimë fshehtësie dhe, ku e mori atë domethënie të fshehtësisë dhe atë të pathënë të kreativitetit Leonardo Da Vinçi, për ta shprehur atë buzëqeshjen enigmatike në veprën kolosale"Mona Lisa" ?! A thua, çfarë e shtyri piktorin fenomenal që të shprehet në këtë mënyrë? Kjo enigmë e piktorit na shtie udhës së kërkimit për ta kuptuar domethënien enigmatike. Ai dhe vetëm ai mundi dhe diti që ta shprehë këtë shpërfaqje sensitive. Andaj, secili prej nesh do të angazhohet që sa më mirë ta kuptojë "laboratorin" kreativ në këtë vepër madhore. Zaten, secili do ta kuptojë në mënyrën; A thua, çfarë ne mendojmë gjersa atë e shikojmë?! Me këtë shprehje idealizuese mund t'i përmendim edhe veprat omonime; "Guernika" e Pablo Pikasos dhe "Elegji për Kosovën" e Tahir Emrës. Këto vepra omonime rrezatojnë gjithherë me idealizmin e lartë kreativ. Gjithsesi, sipas disa analitikëve, për njohjen e laboratorit kreativ të krijuesit, është e nevojshme, që të bëhen intervista të shumta dhe të shpeshta me krijues. Kjo, sigurisht është e domosdoshme për ta njohur veprimtarinë dhe mënyrën e krijimtarisë së tij. Për këtë, në shtypin tonë janë bërë dhe vazhdon të bëhen lloj-lloj intervistash me krijues (artiste), por, disi ato janë në përkufizime dhe në interesimet e tyre për krijimtari. Dhe, në këtë drejtim, përveç dy librave; "Gjurmë jete" të Odisa Paskalit dhe "Ftesë në studio" e Ismail Kadaresë, që janë shoshitur më gjerësisht "laboratori kreativ" i krijuesit; në libra të tjerë, fare nuk kemi ide të bollshme, për laboratorin kreativ dhe për metodologjinë kreative të krijuesit. Megjithatë, në këtë drejtim, na paraqitet një hendikep i madh në njohjen sa më mirë të laboratorit kreativ të krijuesit, meqë në intervista të ndryshme, disi nuk pranojnë që artistët gjatë bisedës, nuk i tregojnë sekretet dhe fshehtësitë e kreativitetit të tij! Ato, fshehtësi, sikur krijuesi i ruan, si "intimë personale" të tij. Mendoj se kjo fshehtësi paraqet një vështirësi goxha të madhe për njohjen e kreativitetit të tij. Kritikët tanë të artit (disa), dhe disa studiues artistikë, më tepër janë përqendruar te prodhimi artistik i veprimtarisë së tij, e pak, ose aspak, për rrugën e krijimit dhe për realizimin e veprave artistike të tij! E mu për këtë është e nevojshme të potencohet mendimi i A. Uçit, i cili shprehet; " Njohja e procesit kreativ të veprave artistike, zbulimi i "laboratorit" të punës krijuese, që i ka paraprirë ose që ka përcjellë krijimin e tyre, të dhë- nat rreth biografisë së veprave, kanë një rëndësi të madhe për të shpjeguar shumë anë të tyre. Nuk është i rastit interesimi që tregojnë studiuesit e artit për dorëshkrimet, për aspektet teknologjike, për skicat e punimeve përgatitore, që janë dokumente të rëndë- sishme për të kuptuar shumë aspekte të veprave artistike".

ARTISTËT E KANË SHKALLËN MË TË LARTË TË VETËDIJES

Pa dyshim, artistët dallohen nga të tjerët, për shkallën më të lartë të vetëdijes, e cila i shërben për të krijuar vepra artistike. Kjo cytje drithëruese e tij i shërben krijuesit për të krijuar imazh të ri (reja), të cilat janë pikënisje për krijimtari të mirë- filltë. Kjo formë (mënyrë) e krijimit, është tejet e vështirë dhe dallon shumë nga krijuesit veç e veç. Andaj, mu për këtë ngjarje dhe sigurisht subjekte të caktuara në krijimtarinë artistike, piktorët tanë; A. Buza, M. Mulliqi, S. Shijaku, G. Madhi, burimin e përfytyrimeve të shumta e kanë që nga fëmijëria dhe vazhduan gjatë gjithë jetës. Kjo mënyrë e veçantë e shprehjes vërehet posaçërisht në librin "Jeta në letërsi" e D. Agollit, që theks të veçantë i jep mbresave jetësore dhe posaçërisht atyre fëmijërore. "Sa më e pasur të jetë biografia e poetit me ngjarje, me mendime, me gëzime dhe hidhërime, me shqetësime shpirtërore dhe trazira - shkruan ai, - aq më e fuqishme bëhet krijimtaria. Këtu ka rëndësi fëmijëria dhe rinia. Kur fëmijëria dhe rinia janë të begata në jetë dhe të mbushura me vështirësi, ai që i bie fati të bëhet poet, e ka poezinë me diapazon të gjerë, me brumë të ardhur, me stof të fortë. Unë kam pasur një fëmijëri dhe rini të pasur". Krijuesi gjithherë mundohet që ta thotë atë që e ndien në brendinë e vet shpirtërore, e cila asnjëherë nuk e lë të qetë. E thotë ai, atë, ashtu si e ndien dhe si e përjeton. Pra, krijuesi e shpreh gjithherë veten, brendinë shpirtërore dhe bioritmin e vet artistik. Andaj, mu për këtë, labirintet kreative të krijuesit nuk do t'i njohim, pa e njohur procesin kreativ të njëmendësimit të veprës së tij artistike. Kjo, sigurisht, do punë, angazhim dhe përkushtim të madh, për njohjen e kreativitetit artistik të krijuesit, meqë artistët, dallohen nga të tjerët, për shkallën më të lartë të vetëdijes kreative.

(Kosova Sot)