POETIZIMI I ESENCAVE TË JETËS

  • 24 December 2017 - 14:04
POETIZIMI I ESENCAVE TË JETËS

KRITIKË POEZISË SË POETIT ZEQIR FAZLIU

Poezia e Zeqir Fazliut në thelb ka për synim kapjen e botës në tërësi

SHKRUAN: RAMADAN MUSLIU

Zeqir Fazliu tashmë ka individualizuar shprehjen e vet poetiko-artistike deri në nivelin e një stereotipi të identifikueshëm artistik, ku emocioni dhe relievizimi i tij përbën aspektin kryesor të poezisë, kurse gjuha lakonike, e funksionalizuar semantikisht deri në shkallën e sugjerimit të gjendjeve dhe kapjen e kromatikës së emocionit, përfaqëson instrumentariumin e tij të funskionalizuar poetik. Edhe libri "Këngë mallëngjimi" verifikon këtë stad artistik të poezisë së tij. Poezia e Zeqir Fazliut në thelb ka për synim kapjen e botës në totalitet, në tërësinë e saj, jo si lëndë dhe dinamikë të materies, por si ekspresion, si regjistrim e gjurmëve të një drame që ka ndodhur dikur dhe që ka mbetur në kujtesë si e tillë dhe që i shkakton shqetësime të llojllojshme poetit. Prandaj, spektri tematik i poezisë nuk është i kufizuar, nuk ka vija të markimit strikt, sepse autori nuk është poet i temave preferenciale dhe ekskluzive, zakonisht patetike, por i kapjes së ekspresioneve të mbetura nga ngjarjet e hershme, i pasojave të një drame të ndodhur dikur, i mbetjeve nga vigjilimet dhe observacionet e tij gjatë aktit të ekzistencës. Në këtë poezi prandaj janë të mundshme dy ekstremet: abstraksioni, gjithnjë i plazmuar me masën e nevojshme te emocioni, që vjen si rezultat i një akceptimi të asaj që ka ndodhur, por edhe frymëzimit konkret, që vjen si reagim ndaj një ndodhie me pasoja mbresëlënëse. Pra, poeti ka vënë në veprim imagjinatën e tij, e cila është aktive në mënyrë permanente dhe shtysë apo agjens për veprim gjen në gjërat e përditshmërisë, botën e florës në radhë të parë, por edhe në ngjarjet e ditës, në kujtimet e së kaluarës, në kontaktet me njerëzit. Duke marrë shkas dhe nxitje nga këto sfera inspirimi doemos se poezia del si një refleks e aq më shumë si një plazmim emocional i këtyre dukurive që pasqyrohen në ndërgjegjen e krijuesit. 

QARKU TEMATIK POTHUAJSE ËSHTË I RËNDOMTË

Zeqir Fazliut nuk i duhet një eksplorim këmbëngulës e as një përqendrim në ndërtimin e një sistemi të ideve intencionale, ngase imagjinata e tij është në lëvizje të vazhdueshme dhe shkon duke prekur gjërat e natyrës dhe ndodhitë e jetës, të cilat lënë gjurmët e veta të pashlyera dhe që poeti di t'i artikulojë në formën përkatëse artistike. Pikërisht ky ekspresion, këto gjurmë, vurrata nga prekja e tyre në imagjinatë dhe në emocion, shndërrohen në imazhe poetike, në kolorit poetik, në pamje shpesh groteske, por jo të eklipsuara, por me një ngjyrim spektral: Vesë / në kujtime të ëmbla / vesë / në gurin e zi // Vesë / Vesë ka ra / edhe në malin me qiparisa/ Por / në fytyrën e poetit / pikon / loti i vetmisë (Vesë mallëngjimi, faqe 8). Pra, poeti vë në spikamë një gjendje, fikson një pamje, jep një imazh, por gjithnjë të subjektivuar, që e nxjerr poetin në një gjendje ekstatike, veçmas kur poezinë e krahason me "lotin e vetmisë". Nga vetë ilustrimi poetik shihet se autori preferencialitetin poetik, karakterizues për krijuesit të tjerë, që bien në abstraksione dhe hermetizëm, e largon nga preokupimi i tij dhe në shesh nxjerr parimin e vet krijues, plazmimin lirik dhe relievizimin e emocionit që buron nga kontakti me jetën, të cilit i jep trajta të ndryshme figurative dhe gjuhësore-stilistike. Zeqir Fazliu i ikur qëllimisht nocionit dhe konceptualitetit, sepse natyra e tij lirike e detyron të kërkojë eksplorimin e emocionit, shtrydhjen nga ai i kuptimeve që nuk janë ide abstrakte, por sugjerim i gjendjeve mendore, sikurse edhe të kromatikave të shumta, spektrit të gjerë të ngjyrave sa qe shpesh arrin edhe në domenin lorkian të lirikës së kulluar. Madje ai credo-n e vet poetike e jep edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në njërën nga poezitë: Unë / gjithnjë / kam kënduar / për brigjet me lisa // Këndoja këndoja / pak a shumë / edhe për një mal me selvi e akacie // Sonte / ah sonte // s'kam asnjë stilolaps me ngjyra // Mua / gjithmonë / më mungonte / një garniturë me lapsa // Bleja / një stilograf me ngjyrën e gjethit / dhe shpejt e shpejt / e harxhoja / në një fletore te mbushur me vargje // Vargu im / Përkundet / Nëpër kujtime të bukura ("Këndoja, këndoja", faqe 16.) Pra, ai qarku tematik pothuajse është i rëndomtë, ambienti, flora dhe fauna të shoqëruara nga dukuritë e natyrës. Mirëpo ndërthurja e frymës në peizazh është ai procedimi thelbësor që ndikon në përmbysjen semantike të fjalëve. Nuk është e rastit pse poeti rikonstrukton, përkatësisht krijon peizazhin me stilografin me ngjyrën e gjethit, sepse gjërave të observuara do t'ua gjejë atë dimensionin e brendshëm, përmasën e fshehur, e cila mund të zbulohet vetëm me intuitën artistike.

IRONIA E FUQISHME

Poeti shpesh bën shtegtime jashtë diskursit të identifikueshëm dhe prek sferat e reales, siç thamë në fillim, prek skajin tjetër të ekstremit, do të jetë më konkret, më real dhe njëherësh mospajtues me rrjedhat dhe rendin e gjërave. Kështu brenda një konstelacioni poetik të një subjektivizimi të skajshëm gjejmë poezi të frymëzimit konkret, siç ndodh me poezinë Guguftuja, kushtuar Nexhmije Pagarushës, apo Albulena Satana, Manipulatori, Letra, Juria, etj. Karakterizuese për këtë model poetik është poezia miniaturale Juria: Unë nuk dua të besoj se është aq budallaçkë e nuk i kupton vargjet eterne që dalin nga shpirti (faqe 59) Ku spikat një ironi e fuqishme ndaj një gjendje të jetës dhe procesit letrar. Poeti proteston më zë, nuk pajtohet dhe atë mospajtim e shpreh me figura, në veçanti do ta theksojë prirjet manipulative të njerëzve të letrave që merren me vlerësimin e letërsisë. Edhe në këtë model poetik, përkundër një proteste perfide, megjithatë ndjehet se edhe aty është ai poeti i shpirtit, i ndjeshmërisë së hollë dhe i peizazheve të subjektivuara, që nënkuptohet nga shprehja vargjet eterne. Në poezitë e tjera poeti stigmatizon, por asnjëherë nuk lëndon, demaskon dukuri, por për shkak të ndjeshmërisë personale dhe vokacionit të vet lirik, vetëm prek cipësinë, pa e trazuar plagën individuale apo kolektive, duke synuar gjithnjë që estetikja të koordinohet me etiken, pa e humbur domenin e vet real të veprimit. Spektrin e vet të tematizimit Zeqir Fazliu përpiqet ta zgjerojë duke futur edhe elementin e evokacionit, por gjithnjë duke mbetur përbrenda autenticitetit të shprehjes lirike. Ai madje edhe kur evokon do të prekë vetëm ato sfera tematike që vijnë si një lloj mallëngjimi ndaj të kaluarës: Unaza e gishtit / më çon në kulm të kujtimeve / Atëherë / kur isha / shend e verë// E pata blerë në një dyqan filigranësh / dhe ruaj për kujtim / në një kuti prej guri (Unaza, faqe 39). Por edhe këtu poeti ruan origjinalitetin e konceptit duke futur figura që e prishin arealin e konkretësisë, siç ndodh me futjen e kutinë prej guri të kujtimit të shenjtë për unazën. Zeqir Fazliu, duke ndërtuar poezi të modeleve të ndryshme ai vetëm sa e zgjeron sferën e preokupimeve të veta, duke lëvizur kufijtë tematikë, por duke sjellë edhe elemente te reja të vokabularit poetik. Zhvillimet poetike, të cilat verifikohen nga libri në libër, në poezinë e Zeqir Fazliut dëshmojnë një proces evoluimi te ngadalshëm, të pahetueshëm, por aktiv e rezultativ, i cili vetëm sa e forcon atë konsistencën e brendshme të poezisë, e cila nga libri në libër bëhet më funksionale. Duke e fiksuar kontinuitetin poetik të librave në procesin e plotësimit të vazhdueshëm të njëra tjetrës, mund të themi se ky libër mbetet një faqe origjinale e modelit poetik të lirikës së pastër, aq të lakmuar në procesin e sotëm të zhvillimeve heterogjene dhe pa vizion për të ardhmen.

(Kosova Sot)