Artistët, nën ethe për rritjen e pagave të tyre

  • 27 December 2017 - 08:45
Artistët, nën ethe për rritjen e pagave të tyre

P unëtorët e sektorit të kulturës, sidomos ata të institucioneve kombëtare të kulturës, presin rritje pagash për vitin që vjen, ashtu siç u është premtuar. Por, ende nuk e dinë se sa do të jetë ajo rritje, më shumë se 4 për qind apo deri në 50 për qind, siç u është thënë kohë më parë nga Ministria e Kulturës. Fundi i muajit janar do të jetë edhe fundi i pritjes së tyre sa u përket pagave, pasi ende mbeten shumë paqartësi se sa do t'u rriten rrogat dhe paqartësitë nuk janë vetëm tek përqindja e rritjes. Në fakt, komuniteti artistik pret një rritje pagash së paku prej 50 %, edhe pse në disa raste kërkesat për rritje pagash kanë qenë për rritje të madhe. MKSR-ja ka kërkuar gjatë ditës së djeshme një përgjigje nga ana e MKRS-së në çfarë përqindjesh shkon rritja e rrogave për sektorin publik të kulturës, por nuk ka mundur të marrë një përgjigje. Përderisa njohës të zhvillimeve kulturore në vend dhe krijues kanë shprehur skepticizmin e tyre me premtimet për rritje rrogash, ku nuk ka munguar edhe dyshimi se premtimet do të mbahen. Sipas tyre, shteti vazhdon të lë anash vëmendjes zhvillimin kulturor, duke e thelluar edhe krizën e sektorit të kulturës. Ata kanë thënë se edhe ai financim që jepet për kulturë më shumë i ngjan një lëmoshe sesa një financimi shtetëror për zhvillime të mirëfillta.

Fonde të veçanta për pagat e artistëve

Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesi Bujar Meholli ka thënë se komuniteti artistik duhet të ketë rëndësinë e veçantë në programin e Qeverisë. Por, ka shtuar ai, siç duket, kjo s'po ndodh dhe premtimet për mbështetje të artistëve (ku hyjnë edhe pagat dhe subvencionet) kanë mbetur vetëm premtime boshe, të bëra në fushatë zgjedhore. "Kjo neglizhencë e qeverisë po i vret ngadalë të gjitha shpresat e artistëve kosovarë, të cilët janë të vetëdijshëm se s'do ta kenë përkrahjen e duhur në asnjërën prej ideve apo projekteve të tyre që planifikojnë", ka potencuar Meholli, duke shtuar se nuk mund të funksionojë një shtet normal pa kulturë! Këtë, ka potencuar më tej Meholli, duhet ta ketë parasysh qeveria (që siç duket s'e ka) dhe kështu të krijojë fonde të veçanta për pagat e artistëve, siç ka thënë ai, që janë në gjendje jo të lakmueshme dhe subvencione për të gjithë ata të rinj e të reja që persiaten për zhvillimin e kulturës, me projekte dhe organizime të ndryshme, qoftë nga fusha e letërsisë, muzikës, pikturës, skulpturës".

Qeveritarët mendojnë vetëm për pagat e tyre

Kurse shkrimtari Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ndihma apo mbështetja që jep Qeveria për komunitetin artistik i ngjan një lëmoshe, ku vazhdimisht po anashkalohen shumë segmente. "Nuk guxohet të luhet me financim, sepse duke filluar nga sportet e deri te filmat ,muzika, drama e letërsia romaneske e poetike, janë një lloj ambasadori në sytë e shteteve tjera kudo nëpër botë, e ne mbesim në zhguallin e vetëkënaqësisë", ka pohuar Tahiraj. Çështja e rritjes së rrogave në sektorin publik në mbarë vendin është shndërruar në temë të përditshme në vend, pa përjashtime, sidomos pas bërjes së ditur nga ana e kryesimit se rrogat për zyrtarët shtetërorë do të kenë një rritje shumë të madhe. Sidomos pas bërjes publike të rrogës që do të marrë kryeministri, pas rritjes që përkthyer në përqindje i afrohen 100 %.

(Kosova Sot)