Shënohet gjysmëshekulli i IAP-it, pushtetarët injorojnë ngjarjen

  • 28 December 2017 - 08:48
Shënohet gjysmëshekulli i IAP-it, pushtetarët injorojnë ngjarjen

INSTITUCIONET TË PAINTERESUARA PËR ZHVILLIMIN E SHKENCËS

Qosja: IAP-i, më i rëndësishëm se zyrtarët me mandate

Shteti i Kosovës ka ‚harruar' se shkenca nuk bëhet pa mbështetje, duke ndarë shumë pak financa për aktivitete kërkimore shkencore, duke mos mbështetur si duhet projektet e instituteve shkencore, po edhe ekspedita shkencore individuale. Shuma e ‚famshme' vjetore prej 300 euro në vit për një shkencëtar për kërkime shkencore, ende mbetet ‚stabile'

Qeveria e Kosovës dhe dikasteret e saj vazhdojnë të jenë indiferente ndaj punës së institucioneve shkencore kosovare. Për më keq, shteti i Kosovës ka ‚harruar' se shkenca nuk bëhet pa mbështetje, duke ndarë pak financa për aktivitete kërkimore shkencore, duke mos mbështetur si duhet projektet e instituteve shkencore, po edhe ekspedita shkencore individuale. Shuma e ‚famshme' vjetore prej 300 eurove në vit për një shkencëtar për kërkime shkencore, ende mbetet ‚stabile'. Këto konstatime rrodhën dje gjatë shënimit të 50- vjetorit të rithemelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në fakt, edhe pse nuk u folën shumë për mbështetje financiare vjetore që merr ky institut nga Qeveria, financimi i tij mbetet ai, por vitet mbeten minore duke ndikuar edhe në rezultatet shkencore. Për drejtues të këtij Instituti, ish-drejtuesit dhe stafin akademik, Instituti Albanologjik i Prishtinës mbeti një nga më të rëndë- sishmit në vend, jo vetëm për punë shkencore, por edhe për kontributin që ka dhënë në formimin intelektual, ideologjik dhe patriotik në vend, duke u shndërruar në një nga mbrojtësit më të rëndësishme të çështjes së Kosovës. Sipas tyre, IAP-i bëri një punë kolosale, për shkencën dhe shtetësinë e Kosovës, kontribut që atë e bën të rëndësishëm në çdo etapë historike.

Neglizhenca e zyrtarëve

Duke folur për 50- vjetorin e rithemelimit të IAP-it, më 1968, akademik Rexhep Qosja ka vënë në pah neglizhencën që po tregojnë zyrtarët e lartë shtetërorë karshi këtij institucioni, siç ka thënë ai, punën kolosale të tij, me mospraninë e tyre në këtë përvjetor. Ai ka kujtuar se në shënimin e 10-vjetorit të IAP-it ishin të pranishëm zyrtarët më të lartë të atëhershëm të Kosovës. "Ne këtu në këtë 50-vjetor, në këtë gjysmëshekulli nuk po shohim asnjë përfaqësues, as të themeluesit e as të financuesit të Institutit, mos do të thotë kjo se institucionet shtetërore të Kosovës munden pa IAP-in. Jo, jo s' munden! IAP mundet pa ta, pasi ata kanë mandate të përkohshme pas 4, 8, 12 vijnë të tjetër, por Instituti, punëtorët, shkencëtarët punëtorë e tij kanë mandate të përjetshme", ka thënë Qosja, duke shtuar se ky Institut  është shumë i rëndësishëm, bile, siç ka thënë ai, më e rëndësishme sesa ne që mund të mendojmë. Së pari, ka thënë ai, duhet ta dimë se një rezistencë ideologjike, politike, shkencore, intelektuale në Kosovë, pas vitit 1968 në mënyrë të veçantë pas 1981, pati filluar në këtë Institut, i cili i bëri rezistencë politikës së Serbisë dhe Jugosllavisë ndaj Kosovës. Qosja ka përmendur edhe kontributin që kanë dhënë punë- torët e këtij Instituti për dekada me radhë dhe përballjen e tyre me regjimin e ish- Jugosllavisë dhe më pas edhe të Serbisë Milosheviqiane. Por, mbi të gjitha, ka thënë Qosja, IAP-i është i rëndësishëm duke pasur parasysh punën që është bërë, pasi, sipas tij, studimet shqiptare kurrë më nuk do të mund të bëhen si duhet dhe sa duhet pa punën e këtij Instituti dhe rezultatet e tij shkencore.

610 vëllime me botime albanologjike

Kurse, drejtori i IAP-it, Hysen Matoshi, duke folur rreth kontributi shkencor, ndër të tjerash ka thënë se falë punës së palodhshme të punonjësve të IAP-it në realizim e shumë projekteve shkencore, 50 vjet më vonë flasim për arritje të konsiderueshme në fushën e studimeve albanologjike. Sipas tij, deri më sot janë ndër të tjerash, 610 vëllime me botime albanologjike, revista, monografi, materiale studimore, pastaj janë botuar studime të shumta monografike mbi të folmet shqipe të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi etj. Duke përmendur edhe projektet shkencore, individuale ose kolektive, të miratuara nga Këshilli Shkencor i Institutit Albanologjik mbi 200 aktivitete shkencore, etj. "Megjithatë, gjatë proceseve dinamike që u zhvilluan në historinë e këtij gjysmëshekulli, gjatë të cilit pozita e shqiptarëve ndryshonte si rrjedhojë e veprimeve të jashtme, por edhe e ndërgjegjësimit kombëtar, Instituti Albanologjik mbajti një qëndrim të drejtë e parimor, në rend të parë, në raport me çështjen e pazgjidhur shqiptare, u përpoq që me potencialin e vet profesional e intelektual të bëhej një zë i kohës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si një komb autokton në trojet e veta", ka thënë ai. Kurse Xhavit Jashari, nga Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, ka ndarë një Mirënjohje për IAP-in, për kontributin që ka dhënë ky Institut në luftën çlirimtare. 

(Kosova Sot)