THATËSI KULTURORE NË KOMUNËN QË DREJTOHET NGA SHPEND AHMETI

  • 29 December 2017 - 09:05
THATËSI KULTURORE NË KOMUNËN QË DREJTOHET NGA SHPEND AHMETI

Kultura në kryeqytet gjatë vitit 2017 kaloi si mos më keq, pa ndonjë aktivitet që do të shënonte momente kulmore. Krejt çfarë u bë në kryeqytet, nën kujdesin e Komunës së Prishtinës, ishin aktivitetet 'ad-hoc', pa vëmendjen e publikut, dhe koncertet reprizë nga vitet e kaluara, pa investime në infrastrukturën kulturore, gjendja e keqe e monumenteve të trashëgimisë dhe pa hapa konkretë për të ndërhyrë në përmirësimin e gjendje së tyre. Për më keq, Prishtina e mbylli vitin 2017 pa caktimin e Zonës së saj historike, duke lejuar shuarjen graduale të gjurmëve shekullore të ekzistimit të kryeqytetit kosovar. Gjatë këtij viti nuk kaluan mirë edhe skena e pavarur kulturore e kryeqytetit, por edhe turizmi. Botuesit e librave dhe shumë prej projekteve të OJQ-ve të ndryshme, të cilat iu përgjigjen thirrjeve të komunës për partneritet, por që mbetën të injoruar nga drejtuesit komunalë. Për njohësit e zhvillimeve kulturore në kryeqytet, viti 2017 kaloi pa aktivitete kulturore, duke bërë përgjegjës drejtuesit e Komunës për thatësinë kulturore të vitit 2017 në Prishtinë.

"KRYEQYTETI YNË U SHNDËRRUA NË PAZAR TË PEMËVE E PERIMEVE"

Krijuesi Reshat Sahitaj, që drejton Unionin e Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se drejtuesit komunalë nuk janë treguat të sinqertë kur është në pyetje mbështetja për skenën e pavarur. Pa asnjë hezitim, ka shtuar Sahitaj, mund të konsideroj se kryeqyteti ynë u shndërrua në pazar të perimeve e pemëve, ku ekspozohen speca turshi, domate turshi, rrush, mjedra e prodhime tjera bujqësore dhe asgjë kulturore."Është turp që në sheshin kryesor të shiten prodhime bujqësore dhe veshje tradicionale, të cilat mund të gjenden në pazar e jo në sheshin më të njohur të Prishtinës. Është turp që pranë ndërtesës së komunës të shiten po ashtu prodhime bujqësore, që e prishin imazhin e qytetit, kur dihet se vetëm disa metra larg të njëjtat prodhime mund të blihen në treg. Improvizimi i tregut në shesh mund të bëhet një herë në vit me rastin e festave të fundvitit, por jo për çdo ditë. Shpend Ahmeti ka dështuar dhe e keqja më e madhe është se i njëjti do të jetë edhe për disa vite", ka thënë Sahitaj për gazetën "Kosova Sot".

KOMUNA NUK KA BËRË ASGJË PËR KËNGËTARËT

Edhe menaxheri shumëvjeçar i Ansamblit "Bajram Curri", Emin Sahiti, muzikant dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka drejtuar kritika në adresë të Komunës së Prishtinës lidhur me trajtimin që menaxhmenti i kësaj komune i bën kulturës, veçmas traditës folklorike dhe institucioneve të saj."Komuna nuk ka bërë hiq asgjë për këngëtarët. Përderisa për një apo arsye tjetër harxhonin dhjetëra-mijëra euro, Komuna nuk ka bërë gjë për një apo dy ansamble për ruajtjen e këngës dhe valles së mirëfilltë shqiptare, bile dhe organizmin e ndonjë festivali burimor", ka potencuar Sahiti për gazetën "Kosova Sot". As krijuesi Imer Raçi nuk ka fjalë të mira për zhvillimet kulturore në kryeqytet gjatë vitit 2017. Sipas tij, nuk është bërë diçka të madhe që ia vlen të citohet apo dhe të na paraqesë një statistikë më të mirë në krahasim me vitet e kaluara."Unë e kam cekur edhe më parë, derisa një turist i huaj vjen në Kosovë nuk ka pikë referimi se çka dhe ku duhet bërë vizitë që të njohë monumente të ndryshme kulturore e historike në Prishtinë", ka thënë Raçi për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, më mirë nuk pritet as në vitin 2018, duke marrë parasysh që zyra, sektori, divizioni, departamenti e në tërësi Komuna nuk po ofrojnë diçka të besueshme dhe të plotë.

(Kosova Sot)