Autorët shqiptarë, nga Kosova, në fund të listave

  • 30 December 2017 - 09:25
Autorët shqiptarë, nga Kosova, në fund të listave

LIBRAT MË TË KËRKUAR GJATË VITIT 2017

"Unë jam Malala", i Malala Yousafzai, libri më i kërkuar

Jonuz Fetahaj, shkrimtar, ka thënë se kosovarët janë të prirë që të mos e vlerësojnë vlerën e tyre artistike, si vlerë të barabartë me të tjerët. Sipas tij, rol në mosleximin e autorëve tanë luajnë edhe mosmenaxhimi si duhet i vlerave letrare, marketingu i paktë dhe mungesa e një dege të fortë të distribuimit të librit

Botuesit kosovarë edhe gjatë vitit 2017 kanë sjellë tituj të rinj, kryesisht të autorëve vendës, shumë prej tyre të vlerësuar nga kritika. Por, pavarësisht bollëkut të botimeve dhe cilësisë së tyre, nuk kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve. Bile, sipas librarëve dhe shitësve të librit në kryeqytet, nëse shikohet sipas renditjes, autorët vendës vijnë në veten e tretë apo edhe më poshtë, pas atyre të huaj. Në fakt, lexueshmëria në vend vazhdon të mbetet në trendët e viteve të kaluara dhe interesimi i lexuesve vijon me rënie e ngritje të herëpashershme. Sipas librarëve në kryeqytet, në top listën e librave më të kërkuar gjatë vitit 2017 janë librat e autorëve të huaj, e ndër më të kërkuarit ishin: "Unë jam Malala", i Malala Yousafzai, "Biografia" e Elon Musk", "Busull" i Matias Enard, pastaj libri i nobelistes Svetlana Akeksieviç "Lufta nuk ka fytyrë gruaje". Ndërsa, më pas vijnë edhe autorët shqiptarë, ku më të kërkuarit ishin librat si: "Pellazgët, ilirët, shqiptarët", i Eqrem Zenelajt, Kasem Trebeshina me librin e tij "Një ditë në natën pa fund", "Dosja B" e Jusuf Buxhovit, pastaj libri "Sekretet që nuk i mori me vete - Ibrahim Rugova", nga Milazim Krasniqi, apo kompleti i Veprave të Arbër Xhaferit, e autorë të tjerë. Për njerëzit e librit interesimi i paktë për autorët shqiptarë, në krahasim me ata të huaj, vjen për disa arsye.

FATI I LETËRSIVE TË VOGLA 

Besian Zeneli, nga libraria "Buzuku", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se pse autorët vendorë nuk janë në masë të madhe të lexuar nuk është vetëm problem yni. "Besoj që të gjitha kulturat e vogla, pak a shumë, kanë të njëjtën situatë, dominimi jashtëzakonisht i madh i literaturës në gjuhë të huaj, e sidomos angleze, pasi investimi është i madh në marketing dhe ekipe të tëra merren me promovimin e tyre", ka pohuar Zeneli, duke shtuar se rol luajnë edhe bashkëpunimet e mëdha për t'i realizuar. Sipas tij, edhe në Hollivud një numër i madh i kryeveprave të kohëve të fundit kanë bërë që ato të ngulfasin vendet dhe kulturat e vogla, që për fat të keq në këtë mes jemi edhe ne.

INJORIMI I VETVETES

Jonuz Fetahaj, shkrimtar dhe studiues i letërsisë, duke folur rreth interesimit të lexuesve për letërsinë, ka thënë se interesimi më i madh i lexuesve për autorët e huaj, në raport me ata vendorë, po ndodh për arsye se kosovarët janë të prirë që të mos e vlerësojnë vlerën e tyre artistike si vlerë të barabartë me të tjerët. Sipas tij, rol në mosleximin e autorëve tanë luajnë edhe mosmenaxhimi si duhet i vlerave letrare, marketingu i paktë dhe mungesa e një dege të fortë të distribuimit të librit. Për më keq, ka thënë ai, autorët shqiptarë të Kosovës vazhdojnë të mos jenë në bibliotekat në Shqipëri. "Në këtë tregun tonë të librit po na sjellin vlera dhe kundërvlera. Dhe po të lexohet mirë dhe me dioptri, si duhet, sigurisht do të vërejmë se ne kemi letërsi të mirëfilltë, qoftë në poezi, që është e pakontestueshme, por edhe në prozë, e cila po ecën krahas asaj që krijohet jashtë shtetit. Por, është një pengesë dhe ajo pengesë është se pak jepet për kulturën", ka potencuar Fetahaj për "Kosova Sot".

MUNGESA E KRITIKËS

Një tjetër 'fajtor' që letërsia shqipe vazhdon të mbetet mjaft prapa sa i përket kërkesës nga lexuesit, në raport me atë të huaj, është edhe kritika. Shkrimtari Veli Veliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se institucioni i kritikës ka vite që nuk e bën punën e tij dhe kjo po ndikon dukshëm në mosvlerësimin e vlerave të mirë- fillta letrare tek ne. "Të them të drejtën, sa i përket kritikës më nuk e kemi atë kritikën e mëparshme. Institucioni më nuk i përcjell veprat, por kjo më tepër po shkon mes klaneve dhe grupeve e çdo vepër nuk përcillet me vlerësime", ka potencuar krijuesi Veliu, duke shtuar se këtu shihet një lënie anash e shkrimtarëve dhe nuk ka edhe organizime të mirëfillta, pasi po veprohet me shumë shoqata dhe pak mjete janë duke u ndarë për kulturë. 

(Kosova Sot)