Kërcim me shkop - Kulturë - Kosova Sot
Kërcim me shkop

Kërcim me shkop

Shkruan:FATMIR LOHAJ

Tregim humoristik

Të premten, në fund të majit, e mbylla drejtorinë pak më herët. I mbarova të gjitha punët. Pas krahëve lashë një javë të lodhshme. Për rreth njëzet minuta do të mbaronte ora e fundit e mësimit. Dola në oborrin e shkollës për t'u çapitur. Drodha një cigare. Koha qe me diell. Temperaturat u rritën bukur mirë. Në qiell nuk dukej asnjë re. U gëzova kur në oborrin e shkollës pashë Lekën. U drejtua me nxitim tek unë. Është burrë babaxhan. Shumë herë, me endje, kemi pirë kafe me bisht. • A është në shkollë mësues Ariani? -më pyeti, pa më dhënë dorën. • Jo ,- i përgjigjem, duke e parë në dritë të syrit. • Dhe sa minuta duhen që të mbarojë ora e fundit e mësimit? • Për rreth dhjetë minuta,- i përgjigjem pasi shoh orën e dorës.- Mos ke ndonjë shqetësim? • Me mësues Arianin e kam, por po pres dhjetë minuta, sa të dalin nxënësit dhe ta tregoj mërzinë time. Gjendeshim në oborrin e shkollës dhe nuk kisha se çfarë të bëja. Të ma lerë tjetri dorën shtrirë, pak mundësi i jap ta përsërisë për herën e dytë. U mundova ta marr me të mirë. I këmbyem kutitë e duhanit. Zumë vend tek një stol në hije. Po mendoja se çfarë konflikti mund të kishte Leka me mësues Arianin!? Për mua, si drejtor shkolle, Ariani ka qenë ndër mësuesit më të mirë. Kam pasur fatin e madh që kemi punuar bashkë. Fëmijët e kanë dashur dhe e duan, ndonëse aktualisht ai është larg. Si i thonë: "çamarrokët dhe mësuesi lënë kokën për njëri-tjetrin". Është ky shkaku që nxënësit e shkollës sonë, në konkurset rajonale, për lëndën e historisë, ka vite që dalin në vendin e parë. Po t'i pyesësh nxënësit se çfarë dëshire kanë për profesionet, kur të rriten? Shumica të përgjigjen: "Historianë dhe atletë, në kërcimin me shkop." Shumë i mirë është Ariani, por e kalon pak masën, me pasionet e veta. Natyrisht, sedra e bën individin profesionist të mirë, por kur harrohet pas tyre shoqëria fillon e dyshon pak, për shëndetin mendor të pasionantit. Ariani është mësues historie dhe njëkohë- sisht atletet në garën e kërcimit me shkop. Nga sporti i vijnë: eleganca, ecja në majën e gishtave, kudogjendura, buzagazi. Po ta kërkoje, në orët e lira, do ta gjeje o në bibliotekë, ose në këndin sportiv. Dy vullnetet, që ka në gji, mundohet t'i gërshetojë edhe në orën e mësimit. Historinë e njerëzimit e konkretizon me garën e kërcimit me shkop. Shtëpinë dhe klasën e ka mbushur me fotografi të mëdha të Sergej Bubkes dhe Irena Isanbajeves. Janë me kupa në duar, me rekordet të shkruara si diçitur. Të mban me orë të tëra kur tregon historikun e garës se kërcimit me shkop. E parashikon shkencërisht se deri në çfarë lartësie mund të fluturojë njeriu me anë të një shkopi bambuje. Tregon bukur. Sport i bukur është. Trupin ta mban në formë, të bën elegant, por të krahasosh tërë historinë e njerëzimit, bashkëngjitur me kërcimin me shkop, nuk më duket e arsyeshme. Po u shpjegonte fëmijëve rrethimin e një kështjelle, në mesjetë, diku në Evropë. Kam qenë vetë për kontroll në atë orë mësimi dhe të më falni që nuk e mbaj mend për cilën kala bëhet fjalë. Armiqtë e rrethuan kështjellën. Dyert ishin fortifikuar me shumë kujdes. Për të marrë fortesën, kundërshtarëve u duhej të kalonin vetëm nëpërmjet mureve rrethojës, të cilët nuk ishin më të lartë se katër metra. Për të kapërcyer pengesën, pushtuesit vendosnin shkalla të gjata, të mbështetura në mure. Vendasit nuk i lejonin të ngjiteshin, se nga lart i rrëzonin lehtësisht shkallët e drurit. Më pas, filloi konkretizimin. Pushtuesit, po të ishin stërvitur në kërcimin me shkop, do ta kishin fituar luftën lehtësisht. Ata ishin më të shumtë në numër, dhe më mirë të armatosur. Nëse, në vend të shkallëve, të përdornin shtizat, që mbanin në duar dhe me pak vrull do t'i kalonin katër metrat, me lehtësinë më të madhe. Bubka e Isanbajeva as për nxehje nuk e vënë stekën, nën katër metra lartësi. Në një orë tjetër mësimi shpjegoi se, një mbret, sipas historianëve, e ka humbur jetën, sepse nuk ka mundur të kalojë një mur rreth tre metra të lartë. Kundërshtarët e gjetën të kacavarur kur e kapën. -Pse u kap mbreti?- pyeti mësuesi. - Se nuk ka mësuar të kërcejë me shkop,- u përgjigjen nxënësit, në kor. Çamarrokët e mësojnë me hollësi lëndën e historisë. Kërkojnë edhe sqarime shtesë, ndonëse edhe vetë eksplorojnë në internet. Duan të dinë lartësitë e mureve, për të gjitha kështjellat që u dalin në lëndën e historisë. Kalin e Trojës e quajnë tradhti mitike. I kanë përcaktuar qartë se cilat kështjella mund të pushtohen me kërcim me shkop, e cilat kanë nevojë për shkallë të gjata, ndonëse shumë prej tyre nuk ekzistojnë sot. Kolopuçët nuk janë të ngopur vetëm me përgatitjen teorike. Kërkojnë të jenë të përgatitur teknikisht e fizikisht. Historinë e bëjnë njerëzit. Gabimet historike, për mungesën e përdorimit të dajakut të bambusë, nuk pranojnë në asnjë mënyrë të përsëriten më, në historinë e njerëzimit. Kanë krijuar një mendim më se të qartë, në kokat e tyre fëmijërore." Së paku, gjysma e njerëzimit do të kishte jetuar më gjatë, nëse do të stërviteshin në kërcimet me shkop." Ariani më pasionantët i ka marrë me vete në qytet, për ta parë konkretisht se si ai stërvitet me përkushtim. Kur kanë parë me sytë e tyre mësuesin, që me anë të një dajaku bambuje fluturonte si Aladini me jastëkun fluturues, janë bindur totalisht të bëhen atletë, si mësuesi i tyre. Zilja për mbarimin e mësimit ra e zgjatur. Fëmijët nuk vonuan të dalin grupe- grupe. - I shikon! - më drejtohet Leka. - Po,- i përgjigjem i habitur. - Nuk të bie në sy? - Jo ndonjë gjë të veçantë. - Të plaçin sytë e ballit, nuk e sheh se shumica e fëmijëve janë me hunj në duar! - Mund t'i kenë kërkuar mësuesit për konkretizimin e orës së mësimit. Çfarë të keqe sheh këtu?- e pyes me ton. - Kërkoj mësues Arianin. Ai është shkaktari që m'i bëri fëmijët majmunë. - Nuk ju kuptoj! - Si nuk më kupton!? Kam hall të madh! Nuk më futën më fëmijët në shtëpi nga dera, por nga dritarja, duke u mbështetur tek hunjtë që mbajnë në dorë gjithë ditën e ditës, e tërë natën pranë krevatit. Sa ngrihet njëri në hava, bam, më bie tjetri poshtë. Janë grisur me laçkë e plaçkë. Kam mbetur duke riparuar gardhin e shtëpisë çdo ditë, sepse mungojnë hunjtë e rreshtuar. Ankohet i tërë katundi. Kolopuçët shkulin hunjtë e komshinjve dhe jo të vetët, nga frika e ne prindërve. Po ndizet konflikti në mes banorëve. I zoti i dallon menjëherë hunjtë, që ka rreshtuar në gardh. Ne i sjellim fëmijët në shkollë për të mësuar, e jo për të na i kthyer në majmunë. Njëri djalë ka krisur kafkën e kokës, tjetri dorën, vajza ka ndrydhur dorën. Pash të Madhin Zot, çfarë borxhi i kam atij mësuesi?- m'u hakërrua. - E kemi në program mësimor lëndën e fizkulturës,- mundohem ta qetësoj. - Pse nuk u mësoni futboll? Edhe futbollistët boll dërrmohen, por nuk u shkon ndërmend të shkulin hunjtë e gardheve. - Nga topat shumë prind janë ankuar. U janë thyer xhamat e shtëpive, - e thumboj. - Kam blerë 100 euro biletën për të parë kombëtaren tonë, në një ndeshje futbolli dhe nuk më është dridhur dora aspak. E sa bën ai kodosh xhami? - Në mungese të xhamit të dritares, hyn murrlani në shtëpi. - Kur nuk janë hunjtë në gardh, hyn "dreqi i mallkuar" e të le pa shpi e katani, - mu përgjigj i vendosur. Është më se e vërtetë që shkolla ka për qëllim t'u mësojë fëmijëve shkencat bashkëkohore. U tregojmë se prejardhjen e kemi nga majmuni, por në asnjë mënyrë t'i rikthejmë në gjenezë. Akuzat e Lekës na e hedhin tërë punën pedagogjike e shkencore poshtë. Nuk mund t'i bishtnoj përgjegjësisë, i pari e mbaj unë, si drejtor shkolle, më pas mund të vijnë mësuesit me radhë. Pse janë mbledhur shumë nxënës, me hunjtë në duar, atje në cep të oborrit? - më drejtohet Leka. Shkuam bashkë pranë fëmijëve. I tregova gjatë rrugës se mësues Arian ka dy muaj që nuk është më pranë shkollës sonë. E ka tërhequr Federata Botërore e Atletikës. Zyrën e ka në Zvicër. Punën e ka anekënd botës, për të masivizuar kërcimin me shkop. Këtë kompleks e ka sjellë ai. Është dhuratë për nxënësit e tij, që i do dhe e duan shumë. Dy ish-nxënës të shkollës sonë i ka çuar me bursa studimi në Rusinë e largët, për t'u bërë mjeshtër në kërcimin me shkop. Atletët e fshatit tonë janë më të mirët në Republikë. Mësues Ariani ka shpresë se djemtë tanë do t'i thyejnë rekordet aktuale në këtë disiplinë të atletikës, që dihet nga të gjithë se është mbretëresha e sporteve. - A komunikon me atë?- më ndërpreu, kur u avitëm pranë fëmijëve që hidheshin e binin në dyshekun e sfungjertë. - Po. Dje kam bashkëbiseduar në telefon. Më fliste nga një shtet në Afrikën Qendrore. - Thuaj nga ana ime të qëndrojë aty. Ata janë si majmunë, se jetojnë në xhungla. Lute nga ana ime që këtë beterin, që kemi përpara syve, të na e heq sa më shpejt nga fshati, sa nuk më janë sakatuar fëmijët. - E ka kërkuar Tirana, por nuk jua kemi dhënë,- mundohem ta sqaroj. - Tirana është afër. A ku mundësi ta degdisni në 'dreqoll', se më mirë është. - Është dhuratë. I ka paguar të gjitha mësues Ariani. Nuk mund ta heq dhe t'u prish qejfin fëmijëve. - I paguaj të gjitha shpenzimet për heqjen dhe transportin e së keqes. Nëse nuk e heq deri në shtator dyshekun stërmadh, të jap fjalën se asnjë fëmijë i fisit tonë nuk regjistrohet më në këtë shkollë. U ndamë për faqe të zezë. Mbylla dyert e shkollës. U drejtova për në shtëpi. Po mendoja gjatë rrugës. Të mirët një nga një, po na i dëlir bota me anë të emigrimit. Ai që e ka mendjen në atdhe dhe mundohet të sjellë zhvillimin e vendit ku jeton, Leka e rekomandon të shkojë në "dreqoll". Me shpirt po ju them se shumë e humba respektin për bashkëfshatarin tim, ndonëse ai mund të ketë cazë të drejtë. Nuk zgjidhen punët me të bërtitura e kërcënime, sepse mësuesi i mirë u ka futur nxënësve një pasion sportiv, që nuk u pëlqen prindërve. Të gjithë futbollistë nuk do të bëhen.

(Kosova Sot)

1 orë e 48 minuta më parë
16/07/18