"Globi i artë 2018": Oprah vjedh tërë vëmendjen! - Kulturë - Kosova Sot
"Globi i artë 2018": Oprah vjedh tërë vëmendjen!

"Globi i artë 2018": Oprah vjedh tërë vëmendjen!

Filmi "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri" çoi në shtëpi katër shpërblime në evenimentin e 75-të të ndarjes së çmimeve Globi i Artë, por ishte lëvizja "#MeToo" që udhëhoqi bisedën në një ceremoni me ngarkesë politike. Kjo dramë 'e qytetit të vogël' fitoi në kategorinë e dramës më të mirë; në kategorinë e skenarit më të mirë; aktorit më të mirë dytësor dhe aktores më të mirë dytësore (për dramë) me aktoren Frances McDormand, e cila foli rreth rëndësisë së femrave që deklarohen kundër sulmuesve seksualë. Në kategoritë tjera individuale, Guillermo del Toro fitoi titullin e regjisorit më të mirë për filmin "The Shape of Water", filmit më të nominuar i mbrëmjes. Gary Oldman fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë (drama) për rolin e Winston Churchillit në filmin "Darkest Hour", derisa Saoirse Ronan e filmit "Lady Bird" dhe Allison Janney nga "I, Tonya" fituan në kategorinë e aktores më të mirë në një komedi/film muzikor, respektivisht në kategorinë e aktores më të mirë dytësore. Sikur edhe me rastin e ndarjes së shpërblimeve Emmy, kategoritë televizive u dominuan nga "Big Little Lies", e cila fitoi në kategorinë e serisë më të mirë, të limituar dhe nga "The Handmaid's Tale", e cila mori shpërblimin e dramës më të mirë. As yjet e kësaj drame nuk shkuan duarthatë në shtëpi: Elisabeth Moss fitoi në kategorinë e aktores më të mirë për rolin në filmin "Handmaid's Tale", derisa Nicole Kidman, Laura Dern dhe Alexander Skarsgard që të gjitha janë nderuar në kategoritë e tyre respektive për punën në përshtatjen TV të romanit më të mirë të Liane Moriarty-t nga HBO.

Zezakja e parë që mori shpërblimin për arritje jetësore

Kidman, e cila luan rolin e viktimës së dhunës familjare në filmin "Big Little Lies", ka deklaruar se shpreson që do të vazhdohet të hidhet dritë ndaj sfidave me të cilat ballafaqohen femrat, si në shtëpi, po ashtu edhe në vendin e punës. Zbulimet rreth keqtrajtimit seksual në Hollivud kanë hedhur hije mbi këtë mbrëmje, duke filluar nga fustanet e zeza të veshura gati nga të gjitha të pranishmet aty, e deri te emblemat 'Time's Up', që shiheshin të ngjitura në jaka, në mbështetje të një iniciative të lansuar javën e kaluar, për ta luftuar keqtrajtimin në vendin e punës. Edhe aktoret si, Meryl Streep, Michelle Williams dhe Emma Watson shprehën më tej mbështetjen e tyre për viktimat e abuzimit, duke ardhur në mbrëmje të shoqëruar nga aktivistët e ndryshëm të barazisë racore dhe gjinore, duke përfshirë Tarana Burke, themeluesen e lëvizjes "#MeToo" dhe Ai-jen Poo, drejtoren e Aleancës kombëtare të punëtorëve në shtëpi. Por, askush nuk tërhoqi më shumë vëmendje sesa Oprah Winfrey, e cila u bë zezakja e parë që mori shpërblimin për arritje jetësore Cecil B DeMille, ku e përdori fjalimin e saj pranues për të kritikuar padrejtësinë racore, abuzimin seksual, si dhe sulmet ndaj integritetit të shtypit. "Dua që të gjitha vajzat, që janë duke shikuar, ta dinë se një ditë e re është në horizont!", tha Winfrey, e cila u ftua në skenë nga aktorja Reese Witherspoon.

Natalie Portman doli jashtë asaj që kishte të shkruar

 Fjalët e saj u pritën me duartrokitje frenetike. "Dhe, pasi që ajo ditë përfundimisht të vjen, ajo do të vijë për shkak se shumë femra madhështore, ku shumë prej tyre gjenden sonte këtu, por edhe të disa meshkuj të mrekullueshëm, kanë luftuar shumë që të sigurohen që të bëhen liderë të cilët do të na çojnë në një epokë ku askush më nuk do të ketë nevojë të thotë, 'Me too'". Duke lexuar të nominuarit për kategorinë e regjisorit më të mirë, Natalie Portman doli jashtë asaj që kishte të shkruar, duke vënë re se të gjithë të nominuarit ishin meshkuj. Por, edhe në këtë kategori ka pasur përmirësim: Sterling K Brown u bë zezaku i parë që fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në një TV dramë ("This is Us"), derisa Aziz Ansari u bë aziatiku i parë që fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në një komedi TV ("Master of None"). Në kategorinë e serive më të mira komike, Globi i Artë vazhdoi traditën e nderimit të serive të reja, duke shpërblyer "The Marvelous Mrs Maisel", ku ylli i saj Rachel Brosnahan po ashtu fitoi në kategorinë e aktores më të mirë. Shpërblimet "Globi i Artë" shpesh shihen si pararendës të rëndë- sishëm të Oskarëve, nominimet e të cilit shpërblim do të bëhen publike më 23 janar.

(Kosova Sot)

20 orë e 12 minuta më parë
17/08/18