Prapë premtime për objektin e Operës e Baletit

  • 11 January 2018 - 08:32
Prapë premtime për objektin e Operës e Baletit

MKRS-ja SHPREHET SE DO TË NISË STUDIMI I FIZIBILITETIT PËR KËTË VIT

Kryeziu: Një nga arsyet për stopimin e ndërtimit të këtij objekti mund të jetë edhe emri i presidentit historik të Kosovës

"Gjithashtu më duhet që t'jua bëj të ditur se MKRS-ja ka formuar një komision të veçantë për këtë projekt kapital dhe tejet të rëndësishëm për vendin tonë. Komisioni në fjalë ka për detyrë që të punojë në përgatitjen e kritereve për shpalljen e konkursit për hartimin e projektit ideor, duke respektuar në plotni të gjitha procedurat e parapara me ligj", ka thënë Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot''

Ministria e Kulturës është e vendosur të vazhdojë përpjekjet për bërjen e vendit me Objekt të Operës dhe Baletit. Edhe gjatë këtij viti MKRS-ja do të ndajë një buxhet për këtë projekt. Ndërsa tashmë ka kohë që një komision është duke u marrë me përgatitjen e kritereve për shpalljen konkursit për hartimin e projektit ideor, duke respektuar në plotni të gjitha procedurat e parapara me ligj. Por, pavarë- sisht pohimeve të zyrtarëve të ministrisë, lidhur me këmbënguljen e tyre, për këtë objekt, gjithçka ende mbeten në fillesat e tij, me shumë mëdyshje dhe me një paqartësi, që përcillen për çdo vit. Thuajse që nga viti i parë, kur nisi ideja për ndërtimin e objektit "Dr.Ibrahim Rugova". Përderisa MKRS-ja shprehet e vendosur për objektin, për komunitetin kulturor në vend mbretëron një skepticizëm se vendi mund të bëhet me një objekt modern për Operën dhe Baletin. 

shtë planifikuar buxheti i duhur për hartimin e projektit ideor

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit tëKulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke planifikuar që për vitin 2018 të bëjë studimin e fizibilitetit për këtë projekt, nga i cili studim do të dalin të gjitha detajet për ndërtimin e sallës së Operës dhe Baletit, si ato financiare ashtu edhe ato infrastrukturore. Sipas tij, kabineti i ministrit Gashi është i përkushtuar që të marrin hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi. "Gjithashtu më duhet që t'jua bëj të ditur se MKRS-ja ka formuar një komision të veçantë për këtë projekt kapital dhe tejet të rëndësishëm për vendin tonë. Komisioni në fjalë ka për detyrë që të punojë në përgatitjen e kritereve për shpalljen e konkursit për hartimin e projektit ideor, duke respektuar në plotni të gjitha procedurat e parapara me ligj", ka thënë ai, duke shtuar se MKRS-ja këtë projekt të rëndësisë së veçantë e ka paraparë edhe në zërat buxhetor për vitin 2018, me ç' rast, ka shtuar ai, është planifikuar buxheti i duhur për hartimin e projektit ideor. Por, pa përmendur ndonjë shumë të saktë për këtë projekt. Kurse sa i përket vendndërtimit të objektit, këshilltari Hoxha ka rikonfirmuar se ministria ka paraparë që të vazhdojnë proceduarat për hartimin e projektit në të njëjtin lokacion ku ka qenë i paraparë, atij afër Fakultetit Teknik. 

Vetëm premtime e asgjë tjetër

Ndërkaq Dilaver Kryeziu, profesor dhe koreograf, në një prononcim për 'Kosova Sot", është shprehur se mënyra se si MKRS-ja për vite e ka trajtuar projektin për ndërtimin e objekti "Dr. I. Rugova" është për çdo keqardhje. Ai ka hedhur dyshime se një nga arsyet për stopimin e ndërtimit të këtij objekti mund të jetë edhe vendimi për emërtimin me emrin e ish-presidentit të Kosovës. Ndërsa e ka quajtur të keq idenë për sallë koncertale, kur projekti për "Dr. Rugovën" është i gatshëm. "Si mund të ndërtohet një sallë koncertale kur projekti i Operës e Baletit është i gatshëm? Me këto veprime politika po tregohet më së paku kombëtare", ka potencuar koreografi Kryeziu, në një prononcim për "Kosova Sot". Edhe kritiku dhe eksperti në fushën e kulturës Ilir Muharremi, mbetet skeptik dhe mosbesues rreth pohimeve të MKRS-së për investime kapitale, duke bërë fajtorë edhe vetë artistët për situatën që po kalon kultura në vend, sidomos në infrastrukturë. "Të pakta janë investimet, por këtu i kanë fajet edhe artistët, sepse i kemi shumë të heshtur. Kanë frikë. Ndërsa jo vetëm kjo Qeveri, por edhe ajo e kaluar vetëm premtime ka dhënë asgjë më shumë", ka thënë Muharremi në një prononcim për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)