Kadare fiton çmimin "Nonino" për vitin 2018

  • 11 January 2018 - 16:20
Kadare fiton çmimin

Një tjetër çmim për shkrimtarin Ismail Kadare. Ai është fituesi i çmimit ndërkombëtar “Nonino” për vitin 2018, i cili i jepet personaliteteve më të rëndësishme të kulturës botërore në Udine të Italisë.

Juria e kryesuar nga nobelisti Vidiadhar Naipau shkruan në motivacionin e saj se mes realiteteve historike dhe legjendave që kujtojnë madhështitë dhe tragjeditë e së shkuarës ballkanike dhe otomane, Ismail Kadare krijoi rrëfime të mëdha.

Përmes letërsisë së tij, juria nënvizon se ai është i dashuruar me Shqipërinë dhe kritik me popullin e tij.

Nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar, si romanet me kryesore veçohen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Pallati i Endrrave” dhe “Kronikë në Gur”. Së fundmi shtëpia botuese “La Nave di Teseo”, morri gjithë të drejtat e autorit për të përkthyer jo vetëm veprat më të fundit, por edhe botimin e një katalogu të plotë.

Në edicionin e 43, çmimi për autorin vendas i njohur si “Mjeshtri i kohës tonë” shkoi për filozofin nga Venecia, Girogio Agamben. Ai është krijues i konceptit “Homo Sacer”, që nënkupton një person që përjashtohej nga të drejtat politike dhe bashkësia shoqërore, që mund të vritej nga çdokush, pa u quajtur ky veprim një vrasje, por që nuk mund të sakrifikohej në një ritual fetar në Perandorinë Romake.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve, për dy shkrimtarët bashkëkohës, do të mbahet në 27 Janar në Udine.

(Kosova Sot)