Rreth 23 mijë persona vizituan Parkun Arkeologjik të Ulpianës - Kulturë - Kosova Sot
Rreth 23 mijė persona vizituan Parkun Arkeologjik tė Ulpianės

Rreth 23 mijė persona vizituan Parkun Arkeologjik tė Ulpianės

Mbi 22 mijë vizitorë vendas dhe të huaj ka pritur dhe përcjellë stafi i Parkut Arkeologjik të Ulpianës gjatë vitit 2017. Duke shënuar kështu vitin më të mbarë për këtë lokalitet arkeologjik me rëndësi të veçantë. Suksesi vjen edhe për faktin se 2017-ta ishte viti i hapjes së Parkut pas themelimit zyrtarë të tij. Për vite me radhë, duke përfshirë edhe atë që e lamë pas, janë investuar mjete dhe është punuar në restaurimin, gërmime dhe në infrastrukturë. Njëjtë pritet edhe gjatë këtij viti, ku janë planifikuar mjete deri në njëqind mijë euro për vazhdimin punimeve. Zyrtarë të Institutit Arkeologjik dhe arkeologët pohojnë se e rëndësishme krahas gërmimeve dhe konservim restaurimeve është edhe infrastruktura dhe mirëmbajtja e vazhdueshme në Park me qëllim të promovimit arkeoturistik të këtij lokaliteti shumë të rëndë- sishëm arkeologjik. Ndërsa ekspertë të trashëgim, kanë pohuar se institucionet duhet ta kenë në fokus të tyre këtë perlë të arkeologjisë dhe trashëgimisë shqiptare.

Rexha: Kemi vizitorë vendorë dhe ndërkombëtarë

Në një prononcim për "Kosova Sot", drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha ka thënë se gjatë këtij viti në këtë park pritet të investohen 100, 000 euro dhe se do të punohet për ecjen përpara të punimeve në këtë lokalitete. Rexha ka thënë se sipas programit të punës së IAK për vitin 2018, "Projektit Ulpiana 2018" , do të investohen këtë vit mjete në shumë prej 100,000 eurove. Ndërsa viti që lamë pas e ka konsideruar një sukses, sidomos sa i përket vizitueshmërisë. "Sipas regjistrimit tonë për numrin e vizitorëve që e zhvillojnë punonjësit e angazhuar të IAK, gjatë vitit 2017 kemi pasur vizita në numër prej rreth mbi 23,000 vizitorëve. Kemi vizitorë vendorë dhe ndërkombëtarë", ka shtuar Rexha. Kurse Milot Berisha, arkeolog që për vite punon në Park, për "Kosova Sot", ka thënë se punimet arkeologjike, mirëmbajtëse-konsoliduese dhe të rregullimit të infrastrukturës në lokalitetin, përkatësisht Parkun Arkeologjik të Ulpianës, si qëllim parësor kishin vazhdimin e hulumtimeve arkeologjike për të begatuar të dhënat shkencore të lokalitetit arkeologjik dhe zgjerimin gradual të hapësirës për strukturat dhe monumentet e lashta arkeologjike. Mirëmbajtja, konsolidimi dhe konservimi i lokalitetit/monumenteve, ka thënë Berisha, ishte dhe mbetet një detyrë e përhershme që parashihet të bëhet në vazhdimësi dhe së cilës i kushtohet një vëmendje e veçantë. "Po ashtu, edhe me ngritjen, mirëmbajtjen dhe plotësimin e infrastrukturës utilitare për vizitorët e Parkut Arkeologjik Ulpiana, për qëllim ka promovimin arkeoturistik të këtij lokaliteti shumë të rëndësishëm arkeologjik", ka shtuar ai, duke vazhduar se objektivat kryesore në këtë projekt gjatë vitit 2017 kanë përfshirë aktivitete pune të ndërlidhura njëra me tjetrën, që si qëllim final kanë krijimin e kushteve për identifikimin e potencialit arkeologjik, gjegjësisht, zbulimeve të reja arkeologjike, ndërmarrjen e masave për ruajtjen, mbrojtjen e promovimin e vlerave të trashëgimisë arkeologjike. Berisha më tej ka thënë se objektivat kanë përfshirë një veprimtari të gjithmbarshme të aktiviteteve shumëpërfshirëse kjo që do të ndihmojë në promovimin dhe zgjerimin e parkut arkeologjik dhe të vetë lokalitetit arkeologjik si dhe në funksionalizimin e plotë të Parkut Arkeologjik. Sipas tij, që pas shpalljes së lokalitetit arkeologjik Ulpiana në Park Arkeologjik në fund të tetorit 2016, këtu janë angazhuar staf në mirëmbajtje (pastrimi nga vegjetacioni, përkujdesja e gjelbërimit, etj) dhe ruajtje të Parkut. "Nga janari e deri në dhjetor të vitit 2017, janë mirëmbajtur, pastruar dhe fizikisht është ruajtur (24 orë, 7 ditë në javë) parku nga stafi i angazhuar. Po ashtu, janë pritur vizitorët dhe ju është dhënë edhe fletëpalosje/broshura të përgatitur enkas për Parkun", u shpreh Berisha.

Vokshi: Ky lokalitet duhet të vazhdojë të mbetet në fokus të autoriteteve

Ndërkaq, Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë për "Kosova Sot", se një nga veprimet më të qëlluara të MKRS-së ishte kur në muajin tetor 2016 zyrtarisht u hap Parku Arkeologjik Ulpiana, me shpresë, siç ka thënë ai, që funksionalizimi i kësaj trashëgimie, pasurie të madhe arkeologjike antike, do të vazhdojë edhe me promovimin e gjetjeve të shumta arkeologjike të hulumtuara dhe që do të zbulohen në të ardhmen. "Parku Arkeologjik i Ulpianës është i një rëndësie të veçantë për Kosovën pasi me argumente të prekshme e dokumentojmë ekzistencën tonë në këto hapësira deri në ditët e sodit. Identiteti urban i civilizimit pellazgo-iliro-dardan është tregues bindës me vendbanimin e Ulpianës, që nuk ka mundësi të kontestohet më nga askush,posaçërisht nga sllavët e jugut", ka thënë Vokshi. Sipas tij, ky lokalitet duhet të vazhdojë të mbetet në fokus të autoriteteve, pasi hapësirë e ekspozuar është vetëm një segment i tërësisë urbane, të cilën duhet zgjeruar në të ardhmen e afërt për hulumtime shkencore në fushat e arkeologjisë,antropologjisë, historisë,organizimit urban të qytetit të Ulpianës etj.

(Kosova Sot)

18 orë e 45 minuta më parë
20/02/18