Masakra e Dubravës, e paafirmuar ndërkombëtarisht

  • 13 January 2018 - 08:30
Masakra e Dubravës, e paafirmuar ndërkombëtarisht

"Përmasat e kësaj masakre i ka njohur opinioni vendor dhe ndërkombëtar, por politika vendore dhe ajo ndërkombëtare qëllimisht, siç duket, nuk e kanë ngritur në aspektin gjyqësor. Është e tmerrshme e vërteta që ende për këtë masakër nuk është ngritur ndonjë padi, nuk është mbajtur ndonjë gjyq", ka thënë shkrimtari Dan Ibrahimi për gazetën "Kosova Sot"

Masakra që bëri shteti serb ndaj të burgosurve politikë në Burgun e Dubravës, në maj të vitit 1999, është një nga masakrat më të tmerrshme që shteti serb kreu gjatë luftës së Kosovës. Kjo masakër e njohur edhe si "Masakra e Dubravës" u krye nga shteti serb, me qëllim që pastaj të akuzohej NATO se nga bombat e saj vdiqën qindra shqiptarë të Kosovës, kryesisht, të burgosur për arsye politike. Por, ky skenar dështoi dhe e vërteta doli për të. Fotografi dhe tregime tashmë kishin mbushur jo vetëm mediet dhe rrjetet sociale, ku shiheshin policët dhe paramilitarët serbë, duke vrarë pa mëshirë shqiptarët. Megjithatë, sikurse edhe shumë prej masakrave të tjera që serbët bënë ndaj shqiptarëve, edhe tregimi për të mbeti vetëm brenda rrethit shqiptar, bile dhe këtë jo si duhet. Nuk u bë ndonjë monografi për të, nuk u përkthye ndonjë libër dokumentar, për ta bërë të njohur jashtë. Pasi përmasat e saj janë tepër të dhimbshme. Por, deri më sot institucionet nuk e bënë punën e tyre. Ajo çfarë ndodhi dhe u bë ndaj të burgosurve të pambrojtur dhe të rrethuar nga telat me gjemba dhe mureve të larta ishte rrëqethëse. Bota duhet të dijë për të. 

DUHET SHUMË PUNË NË MBLEDHJEN KUJTIMEVE

Historiani Gjon Berisha, sekretar shkencor në Institutin e Historisë, 'Ali Hadri", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ngjarje që ndodhi në 1999 në Burgun e Dubravës në kohën e bombardimeve do të përfshihet në "Historinë e Kosovës" që është duke u hartuar nga Instituti i Historisë. "Sa i përket rastit të Masakrës se Burgut te Dubravës, Instituti është duke punuar si pjesë të projektit "Historia e Kosovës". Pra, nuk ka ndonjë botim të veçantë, por në kuadër të projektit që është në realizim e sipër po", ka thënë ai. Ndërsa Nuridin Ahmeti, historian, ka thënë për "Kosova Sot", se jo vetëm kjo masakër, por edhe shumë maskara të tjera që janë bërë në Kosovë janë pak të afirmuar ndërkombëtarisht. "Mendoj se e para më shumë duhet të bëhet në mbledhjen kujtimeve, pikësëpari ajo që quhet historia gojore, është mirë që të mblidhen kujtimeve e atyre që janë gjallë dhe kanë përjetuar masakrën, sepse ndoshta kalojnë vitet dhe nuk mund t'i gjejmë ata persona që e kanë përjetuar masakrën dhe këto kujtime urgjentisht të përkthehen në gjuhë të huaja", ka pohuar ai, duke shtuar se është mirë që kjo të bëhet përmes ambasadave tona dhe kjo do të ishte rruga më e lehtë për ndërkombëtarizimin e saj

GARDIANËT MORËN PJESË NË MASAKRËN E DUBRAVËS

Kurse Dan Ibrahimi, shkrimtar dhe një nga hulumtuesit dhe pasqyruesit e krimeve që shteti serb kreu nda shqiptarëve, ka thënë se masakra e Dubravës është e zbardhur të paktën si një masakër makabre e pushtetit serb ndaj atyre që në fakt ishte ligjërisht i detyruar t'ua siguronte jetën. Dihet, ka thënë ai, që masakrën në Dubravës e kryen forcat e rregullta policore e ushtarake serbe dhe aty morën pjesë në masakër vetë sigurimi i burgut, gardianet. "Përmasat e kësaj masakre i ka njohur opinioni vendor dhe ndërkombëtar, por politika vendore dhe ajo ndërkombëtare qëllimisht, siç duket, nuk e kanë ngritur në aspektin gjyqësor. Është e tmerrshme e vërteta që ende për këtë masakër nuk është ngritur ndonjë padi, nuk është mbajtur ndonjë gjyq", ka thënë ai. Po sipas tij, edhe të mbijetuarit, përpos kujtimeve të dhëna, nuk kanë bërë gjë. Ai ka thënë se është dashur të bëjnë padi për gjenocid. "Të gjithë jemi fajtorë nga pak po instrumentet përkatëse të pushtetit, veçanërisht prokurorët e shtetit me radhë do të duhej madje të penalizoheshin që nuk e kanë ngritur këtë dhe masakrat e tjera serbe në procedurat përkatëse gjyqësore", ka thënë Ibrahimi.

(Kosova Sot)