Dështimi i Ambasadave të Kosovës në promovimin e kulturës

  • 13 January 2018 - 13:50
Dështimi i Ambasadave të Kosovës në promovimin e kulturës

Shkruan: Avni Rudaku

EMËRIMET ME KRITERE POLITIKE E PARTIAKE

Ambasadat kosovare janë të dështuara jashtë vendit për të promovuar kulturën kosovare. Ato flenë shumë dhe kjo kolumne përpiqet të jetë një sahat i kurdisur, me cingërimën e të cilit, njeriu bëhet nervoz, e sidomos gjumashi i rëndë dhe përtac

Kosova ka hapur shumë ambasada. Sot numërojmë me dhjetëra vende ku Kosova ka ambasadat e konsullatat e saj. Fatkeqësisht, këto ambasada e konsullata, nga emërimet me kritere politike e partiake, kanë pasur ambasadorë edhe pa ndonjë sfond të pasur kulturor, intelektual e gjuhësor. Ka pasur edhe raste të shëndetshme sikur profesori i filozofisë, Muhamedin Kullashi, i cili ka qenë ambasador i Kosovës në Francë, por nuk arriti thuajse asgjë të kishte ndikim në distribuimin dhe shkëmbimet kulturore për dyja vendet dhe na zhgënjeu sa prisnim nga formësimi i tij i pasur kulturor dhe filozofik! As ambasadori i sotëm, Qëndrim Gashi, ndonëse me një pritshmëri të madhe, nuk bëri ndonjë përfaqësim specifik deri më tash, sa të promovojë kulturalisht Kosovën në këtë shtet evropian, të njohur për kulturën, filozofinë, filmin, letërsinë etj. As ambasadorët e tjerë nuk janë dëgjuar 'për së gjalli'. Jemi më se të sigurt se, sikur të kishte aktivitete të llojllojshme kulturore, mediet do t'i transmetonin ato. Kjo është edhe për hajgare, edhe për të qarë! Ambasadat e Kosovës do të duhej të ishin promotoret e aktiviteteve të pasura kulturore, nxitjes së përkthimeve në gjuhët e dyja vendeve, shkëmbimet kulturore, organizimin e javës së kulturës shqiptare gjithandej, qoftë edhe në bashkëpunim me ambasadat e Shqipërisë, etj., por kanë dështuar në përgjithësi! Nuk po themi se bash edhe një aktivitet nuk është bërë deri më tash në fushën e promovimit të filmit apo të një libri, por kjo është krejt e pavërejtshme dhe e panumërueshme. Ambasadat e Republikës së Kosovës nëpër botë, do të mund të ofronin më shumë platforma të promovimit kulturor. Le të ndalemi në shtatë fushat dhe institucionet vartëse të Kosovës, të cilat do të duhej të ishin 'alfabeti' i aktiviteteve kulturore jashtë vendit, aty ku janë ambasadat e Kosovës.

AMBASADAT E KOSOVËS DHE FILARMONIA E KOSOVËS

Filarmonia e Kosovës ka koncerte në Kosovë dhe rrallë jashtë vendit, me ftesë të ndonjë ambasade të Kosovës. Ka qenë deri më tash performanca e tyre në Vatikan, e ndihmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, me shkas shenjtërimin e Nënës Terezë etj., por rrallë ka ndodhur që ambasadat e Kosovës ta ftojnë për ndonjë koncert Filarmoninë e Kosovës! Pse ambasadorët nuk krijojnë lidhje e kontakte me mërgimtarët, me institucionet vendore lokale e kulturore, me shtëpitë e muzikës klasike në vendet mysafire, për t'i gjetur ofertat koncertale të Filarmonisë së Kosovës në Berlin, Bernë, Paris, Romë, Tokio etj.? Çfarë bënë ambasadat e Kosovës që Filarmonia e Kosovës të realizon një koncert me dirigjent shqiptar apo të huaj jashtë vendit? Cilat janë kontributet e ambasadave të Kosovës për të gjetur ndonjë fondacion, donacion, sponsor etj., apo për të nxitur kureshtjen e vendasve për muzikën klasike të Kosovës? Po pse nuk ndjekin ambasadorët kosovarë festivalet e ndryshme të muzikës klasike, me traditë të gjatë, apo me festivale aq të njohura sikur Bah Festival në Lajpcig të Gjermanisë, e ta gjejnë ndonjë mënyrë të prezantimit të instrumentistëve kosovarë atje? Po çfarë bën ambasadori Leon Malazogu në Japoni? Pse nuk ia kthejmë popullit japonez donacionin me një koncert të Filarmonisë së Kosovës? Sa interesante dhe e vlefshme do të ishte sikur të kishim një koncert të Filarmonisë së Kosovës në Japoni me ftesë të ndonjë shtëpie japoneze me ndërmjetësim të ambasadës së Kosovës, kur Japonia vazhdimisht jep miliona për Kosovën dhe ka dhënë 500 mijë euro vetëm për blerjen e instrumenteve muzikore! Nuk po themi tash që një udhëtim në Japoni, vetëm për biletat e aeroplanit për secilin instrumentist, do të kushtonte shumë shtrenjtë buxhetit të Kosovës, por të bëhen përpjekje të ftohen me ndonjë festival kulturor jashtë vendit, apo gjetjen e ndonjë sponsori, qoftë edhe kërkimin e shumë sponsorëve. Për shembull, drejtuesit e aeroportit ta financonin biletën, dikush tjetër akomodimin, e tjerë e tjerë. Me fjalë të tjera, ambasadat e Kosovës fare pak kanë bërë për Filarmoninë e Kosovës, në ftesa, realizime koncertesh jashtë vendit, gjetje lidhjesh e kontaktesh për t'i ftuar instrumentistët kosovarë jashtë vendit.

AMBASADAT E KOSOVËS DHE TEATRI KOMBËTAR I KOSOVËS

Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) më shumë është i njohur jashtë vendit me aktivitetet e Qendrës Multimedia dhe dramaturgut Jeton Nezirajt, sesa nga të gjitha ambasadat e Kosovës. Neziraj është ndër më të përkthyerit jashtë vendit, më të shfaqurit me shfaqje teatrore jashtë vendit etj. Sa ambasada të Kosovës arritën ta ndihmojnë, ta ftojnë e ta promovojnë Teatrin Kombëtar të Kosovës? Çfarë bën ambasada e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar për të ftuar TKK-në në realizimin e një shfaqjeje teatrore në teatrot e Londrës, qofshin edhe teatrot me periferike? Londra është e njohur për teatër. Shumë shfaqje në Kosovë janë realizuar me tekstet e dramaturgëve britanikë. Për të shkuar në Londër, ansambli rezident i TKK-së, për bileta avioni, nuk mund të thuhet se nuk mund t'i blejnë se bëhen shtrenjt. Ka shpesh oferta që për një person, jo më shumë se 50 euro, të shkosh me aeroplan në Londër! Pse TKK nuk ka shfaqje teatrore jashtë vendit edhe me ndihmën e ambasadave të Republikës së Kosovës? Sa shfaqje TKK-ja i ka shfaqur qoftë edhe në ndonjë vend të afërt evropian apo edhe rajonal, me ndihmën e ambasadave jashtë vendit, pa përfshirë prezantimet jashtë vendit me iniciativat e vetë artistëve, apo ndonjë qendre private kulturore? TKK duhet të ketë jetë më të gjallë teatrore jashtë vendit, ndonëse shfaqjet e TKK-së shpesh ndodh të mos shfaqen as brenda teatrove të qyteteve të Kosovës, si në Gjilan, në Ferizaj, në Pejë, në Gjakovë, bë Mitrovicë etj., me përjashtim të ndonjë festivali të rrallë në vit. Ambasadat e Kosovës po flenë shumë në aspektin kulturor dhe në mungesën e promovimit të teatrit kosovar në vendet nikoqire. Kanë dështuar në krijimin e kontakteve të TKK-së me qindra teatro në vendet ku veprojnë dhe qëndrojnë ambasadorët e Kosovës jashtë vendit.

AMBASADAT E KOSOVËS DHE BALETI I KOSOVËS

Baleti i Kosovës nuk ka ndonjë falënderim dhe mirënjohje për ambasadat e Kosovës! Sa shfaqje baleti u organizuan, u nxitën, u mundësuan dhe u realizuan nga ambasadat e Kosovës jashtë vendit? Rrallë mund të gjeni një rast kur ambasadorët kosovarë arrijnë të krijojnë kontakte të qendrave të baletit evropian e gjetiu, me Baletin e Kosovës. Ambasadat kanë dështuar edhe në promovimin e baletit kosovar, duke mos nxitur lidhjet, raportet, komunikimet dhe bashkëpunimet me ndonjë teatër baleti evropian, amerikan etj. Baleti i Kosovës mjaft shumë është zhvilluar kohës së fundit, madje komunikimet janë të dobëta edhe në mes të Baletit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Edhe në Shqipëri ka dështime totale të ambasadës. Sa shikues kosovarë kanë parë Trupën e Baletit të Shqipërisë në shtëpitë kulturore të Kosovës? Kur kemi dështuar ta bëjmë këtë edhe brenda hapësirës brendashqiptare, nuk besojmë se kjo do të arrihet edhe në vende më të largëta, qoftë edhe për shtrenjtim të biletave të avionit, autobusit etj. Për të shkuar në Shqipëri, shpenzimet janë të papërfillshme nëse do ta krahasonim dërgimin e Trupës së Baletit të Kosovës në ndonjë vend evropian, aziatik etj., por as edhe kjo nuk po bëhet.

AMBASADAT E KOSOVËS DHE QENDRA KINEMATOGRAFIKE E KOSOVËS

Qendra Kinematografike e Kosovës jep subvencione për filmin dhe është përgjegjëse e madhe e jetës kinematografike të Kosovës. Sa ambasada e ndihmuan QKK-në për ndonjë promovim, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë me filmin për OSKAR? Ambasadat e Kosovës mund ta organizojnë një javë të filmit shqiptar në ndonjë vend evropian, në Japoni etj. Mund ta përkthejnë me titra në gjuhën angleze apo edhe në gjuhën vendase, apo edhe ta sinkronizojnë edhe zërin në gjuhët vendase, madje edhe do të ngjallte interes shumë të madh. Sikur në Kosovë që bëhet java e filmit francez, turk, gjerman etj., ashtu mund të bëhet edhe java e filmit shqiptar, qoftë edhe e metrazhit të shkurtër, pasi këta të fundit, janë bërë më të mirë dhe më shumë në numër, krahasuar me filmat e metrazhit të gjatë. Po ashtu, mund të promovohen edhe filmat e mëhershëm shqip, pavarësisht sa të vjetër janë dhe të përzgjidheshin më të veçantit, të shoqëruar edhe me përkthime në gjuhë të huaj.

AMBASADAT E KOSOVËS DHE ANSAMBLI KOMBËTAR I VALLEVE DHE KËNGËVE

Ansambli Kombëtar i Valleve dhe Këngëve (AKVK) do të ishte shumë me interes për shumë qytetarë të vendeve evropiane, aziatike, australiane etj., për të parë hapat e kërcimit shqiptar. Vallet zgjojnë interes gati te secilit dhe vallëzimi llogaritet ndër universalet kulturore. Si nuk gjejnë mënyra bashkëpunimi ndërkulturor ambasadat e Kosovës dhe ta promovojnë AKVK-në kudo ku shtrihen jashtë vendit? Vallet shqiptare dhe këngët do të ishin interesante për shumë festivale. Nëse është bërë një a dy aktivitete promovuese kulturore jashtë vendit, kanë mundur të bëhen me dhjetëra aktivitete koreografike popullore, nëse do të ishin më të angazhuar ambasadorët e Kosovës jashtë vendit.

AMBASADAT E KOSOVËS DHE TRASHËGIMIA KULTURORE

Ambasadat e Kosovës rrallë kanë ditur të bëjnë promovime të Trashëgimisë Kulturore, organizimin e vizitave të studentëve nga universitetet e ndryshme të botës, duke u nxitur edhe nga bashkëpunimet e ambasadave të Kosovës me universitetet lokale, e sidomos me departamentet e antropologjisë apo etnologjisë. Do të ishte shumë me interes të bëheshin aktivitete promovimi në universitete të ndryshme evropiane, japoneze etj., për të njohur dhe nxitur njohjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ambasadat kanë dështuar edhe në promovimin e trashëgimisë kulturore kosovare.

AMBASADAT E KOSOVËS DHE GALERIA E ARTEVE TË KOSOVËS

Galeria e Arteve të Kosovës (GAK) nuk mund të jetë fare mirënjohëse ndaj ambasadave të Kosovës jashtë vendit, për të nxitur ndonjë bashkëpunim në mes të GAK-ut dhe ndonjë galerie evropiane, amerikane, japoneze etj. Artistët kosovarë jashtë vendit më shumë i ka promovuar ambasada amerikane dhe ambasadat e tjera në Kosovë, sidomos me projektin "Artistët e së nesërmes", sesa të gjitha ambasadat e Kosovës jashtë vendit. Ambasadat e Kosovës kanë dështuar të ndihmojnë artistët bashkëkohorë kosovarë në realizimin e ekspozitave në aq shumë galeri evropiane e më gjerë.

(Kosova Sot)