MESAZHET DRITËDHËNËSE PËRMES NJË VARGU

  • 14 January 2018 - 15:54
MESAZHET DRITËDHËNËSE PËRMES NJË VARGU

KRITIKË LIBRIT "PSHERËTIMA PERGAMENE", POEZI, TË AUTORIT PREND BUZHALA

SHKRUAN: MIKEL GOJANI

Pergamena është shenjë poetike e lashtësisë, e vlerave të amshueshme, e gjithëkohësisë, e përjetësisë, kujtesës së ruajtur si shkronjë dhe dëshmi. Që në titull lexojmë dhe nocionin lirik të psherëtimës, asaj frymëmarrje të zgjatur e të stërzgjatur, të pakëputur, që shpreh trishtim, dëshpërim, apo mospajtim. Kësisoj mund ta lexojmë librin e fundit poetik të shkrimtarit Prend Buzhala, me titullin "Psherëtima pergamene", e që është një përzgjedhje krijimesh të organizuar sipas kriterit tematik dhe estetik, në strukturimin e të cilave ndihet dora që ngërthen vlera të mirëfillta. Anton Nikë Berisha, ky studiues i shquar, është spikatur në letrat shqipe dhe për dorën e sigurt të përzgjedhjeve poetike të krijuesve të letërsisë sonë, e që kanë krijuar vlera artistike.

Image

 

1. Përzgjedhja e poezive të Buzhalës ngërthen një proces të brendshëm, një pohim vlerash përtej dilemave. Kjo përzgjedhje shpaloset si një natyrshmëri artistike që ka zë të brendshëm dhe të jashtëm, plot drithërima, këlthitës dhe eruptiv, duke përçuar mesazhe të veçanta dhe me interes dimensional. Vëllimi ndahet në 9 kapituj tematikë: Reshje bukurie, Pagjumësia e pikëllimit, Diellësi e heshtjes, Drithërimë malli, Etjet e prushta, Ringjallja e dritës, Pagjumësi muzgu, Pëshpëritje të dremitura, Gërmime rrënjësh, si dhe shoqërohet me një prolog dhe një parathënie kritike me karakter studimor, e domosdoshme dhe tepër e realizuar e kritikut të mirënjohur, Anton Nikë Berishës, me titull "Poezi e mbrujtur me art të madh". Në parathënien e tij kritiku Berisha thekson ndër të tjera se në poezinë e vet Prend Buzhala u kushton kujdes të jashtëzakonshëm dy përbërësve të qenësishëm të krijesës letrare që përfton: fjalës me ngarkesa të shumta kuptimore dhe bukurisë së të shprehurit, që në qenësinë e tyre shprehin të bukurën."E bukura, pohon Berisha, e përfituar përmes strukturës gjuhësore poetike jo vetëm e pasuron botën e brendshme të autorit dhe të lexuesit, po i fisnikëron dhe i aftëson ata, u mundëson t'i njohin më thellësisht veten dhe tjetrin", e bukura për njeriun është një e mirë shumëfish e rëndë- sishme, siç shprehet edhe në vargjet e poetit tonë: Në qenien e buzëqeshjen e së bukurës vijnë dorqë për dore krejt të mirat e dheut. Me një trastë yjesh, vijnë dorë për dore krejt dengjet e lirive. (Grabitja e së bukurës). Poezia e Buzhalës cilësohet me një tematikë të gjerë e të pasur. Nuk lidhet me një kohë konkrete, me të kaluarën ose me të përditshmen. Në të kohët ngjizen dhe gërshetohen: e tashmja i ka rrënjët në të kaluarën e kaluara dëshmohet në të tashmen: Të dyja (kohët), projektohen në të ardhmen. Poeti merr në vështrim të ashtuquajtura tema të mëdha dhe tema të vogla, aspekte të tyre të rëndësishme ose më pak të rëndësishme; ndërlidh dhe shpreh varshmërinë dhe "frymësinë" e tyre të përbashkët ose kundërvënëse, me ç'rast dukuritë e trajtuara dalin në një dritë tjetër e në mënyra më të ndërliqshme (komplekse) në krahasim me atë që janë në jetë ose i kemi lexuar në libra e në tekste poetikë. Në këtë poezi shqiptohet fati i njeriut, sidomos ai tragjik; vuajtja, pësimet, pastaj atdheu, liria, dashuria, pakënaqësia, mëdyshjet, ëndrrat, besimi në Hyjin, domosdoja që "Mund të sfilitesh, të rrëzohesh hundebuzë. Po ka rëndësi të mos ndalesh (Endje nëpër humnera kohe)", ka shtuar ndër të tjera kritiku Berisha.

2. Prend Buzhala në këtë vëllim vjen me poezitë e shkruara në vite që më së pari sjell autenticitetin e fjalës së tij, rrugën e evoluimit të vargut të tij poetik, problematikën e shqetësimeve poetike dhe atdhetare dhe pasurinë e veçantinë e profilit të tij. Qysh në poezitë e para të sistemuara në këtë vëllim, gjejmë një varg të thellë me simbolikë të pasur që i jep shpirt lirikës. Brenda këtij vargu gjejmë simbolikën e ëndrrës e të diellit që "shkrep rrezen më të bukur", të varrit, "arkeologët mbi gropën e gjoksit tënd do t'i hulumtojnë shenjat e historisë (f.45), të dashurisë së rrëmbyer të yjeve, Hyjit, përjetësisë, qiellit, frymës, rruzullimit, rrugës së qumështit, orës etj. Kulmin e një vargu brilant të poetit, mund ta hasim te poezia përkushtimore me titull: "Kur erdhi çasti i ringjalljes", që i dedikohet fratit dhe atdhetarit të martirizuar, Atë Luigj Palajt, i cili në vitin 1913 u persekutua nga xhelatët malazez me pretekst për ndërrimin e fesë. Buzhala ka tipologjinë krijuese të atdheut të tij, të popullit të tij... Bota e fantazisë së tij mbërthehet brenda realitetit, është djepvarri i saj, mrekullia e mbijetesës. Poeti sjell vegime për atdheun e tij, cep më cep, humanizmin njerëzor, mbijetesën e popullit të tij në kohët më të vështira. Gjykon të tashmen që ka pllakosur dhe është shpërndarë si re të zeza, ky realitet jo i pritur.

3. Në kapitullin "Drithërima malli", poeti Buzhala provon formën e të shkruarit të haiku-t poetik, një formë e ndërlikuar e krijimit, por e realizuar me sukses. Edhe në krijimet e prezantuara në këtë vëllim, në pak hapësirë që i ka mundësuar kjo formë, ai bën përpjekje të arrijë realizimin e këtij vargu me sukses: duke e thënë të vërtetën, duke u mbështetur në esenca filozofike; duke dëshmuar inteligjencë dhe koncentrim, dhe duke treguar, thjesht vibrim të shpejtë rrokjesh., siç janë lirikat Haiku për të humburën, Haiku për shikimin e paparashikuar, Haiku me rrufe pranvere, Haiku të papërshpirtshëm, Haiku për sytë e zjarrit, Haiku për çlirimin e shpirti etj. kanë këto vargje fantazi botëkrijuese, motive, subjekte, imazhe dhe mirazhe impresive, detaje interesante, muzikalitet, si dhe shumë elemente të tjera që i japin shpirt vargut. Edhe kjo formë dëshmon se te ky krijues frymëzimi dhe bota e ideve lirike nuk u fashit kurrë, veçse u rrit dhe u pasurua. Poezitë në vijim, të kapërthyera brenda dy kapitujve,"Etjet e prushta" dhe "Ringjallja e dritës", sikur thyejnë atë rutinën e formës së vargëzimit. Në poezitë e këtyre dy kapitujve si për nga forma e të krijuarit, ku hasim një varg të gjatë, në formën e prozës poetike, po ashtu hasim edhe një frymëzim edhe më eruptiv, me "etje të shprushta". Për t'iu qasur këtij vargëzimi, autori ka dëshmuar një përkushtim e talent që rrallë mund ta takosh te ndonjë krijues tjetër të letërsisë shqipe, duke treguar një individualitet unikal në letërsi, të kësaj forme të krijimit. Tek vepra e Buzhalës vërehet se është shkrirë një pjesë e biografisë së tij në biografinë e qenies. Qenia e cila paraqitet në vargun e Buzhalës nuk është e përcaktuar, sepse është një qenie që është shtrirë në dimensione të gjera dhe në shumë horizonte. Sikur shumë herë më parë në vargjet e Buzhalës nuk mungon frymëzimi i tij për figurën e humanistes më të madhe të kombit dhe Shenjtëreshës, Nënë Terezës, vargjet për këtë figurë gjigande të kombit dhe të botës, nuk mungojnë asaj kësaj radhe. Poeti Buzhala nëpërmjet këtyre vargjeve nuk i shmanget as disa përpjekjeve që individë dhe qarqe të caktuara vazhdimisht kanë bërë përpjekje dhe bëjnë përpjekje për ta mohuar, gjegjësisht për ta injoruar dhe zvetënuar figurën dhe veprimtarinë e saj humanitare dhe bamirësie. Janë Hyji, Hiri i Dashurisë, Ëndrra, Vetmia, Koha, Dita Kozmikë Oqeanet e dritës, Syri i Qiellit, Gjithësia, Lubia, Perëndesha e Dashurisë, Pavdekësia, Koha, Drita e Bardhë, Toka e Zezë, Rruzaret dhe shumë simbole të tjera janë shtyllat kryesore dhe elementet bartëse mbi të cilat mbështetet ideja dhe filozofia e vargut në poezitë që ndërton Buzhala.

4. Poezia e Buzhalës buron nga ama e thellë e frymëzimit. Përkushtimi dhe dhembja janë një simbiozë e ndërlidhur që i japin jetë vargut, si vlerë ideore, estetike dhe artistike. Atdhedashuria në vargjet e Buzhalës është shprehur në formë filozofike, ku në universin e secilës shpalos peshën e etikës që ka krijuesi, duke shënjuar qenësinë e botës sonë. Janë edhe fenomenet tjera që përshkojnë vargun e këtij autori e lidhen me jetën dhe fatin e njeriut, sidomos ai tragjik, pastaj vuajtjet e gjata dhe të mëdha që ka përjetuar individi dhe kolektiviteti ynë, pësimet, liria, dashuria, ëndrrat, besimi në Hyjin etj. I tërë vëllimi i Buzhalës në tërësi, me makrofigurat tematike e estetike pergamenël dhe psherëtimë, përbën një metaforë të madhe dhe të rëndësishme të jetës dhe pas jetës, ku gjithherë ngarend për ta kuptuar misterin dhe sublimen, tragjiken dhe të zakonshmen. Lirisht mund të konstatojmë se poeti Prend Buzhala me veprën e tij sjell një pikë reference shumë të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqipe. Sjell një varg që ka begatuar letërsinë tonë shqipe dhe një varg që do të jetojë gjatë...

(Kosova Sot)