Skandali me logon, autori bën vetëplagjiaturë - Kulturë - Kosova Sot
Skandali me logon, autori bën vetëplagjiaturë

Skandali me logon, autori bën vetëplagjiaturë

ZBEHEN FESTIMET PËR 10-VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS 

Autori i logos dy herë e ka shitur mallin e njëjtë

Skandali me përzgjedhjen e logos për 10- vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka zbehur tej mase festimet për këtë jubile. Përderisa është dashur të ishte e kundërta. Plagjiatura me përzgjedhjen e parë dhe ngjashmëria me të dytën, ka krijuar një situatë degraduese duke e vënë në pozitë qesharake shtetin 10- vjeçar të Kosovës. Kështu kanë thënë krijues dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, çështja e përzgjedhjes së logos me të cilën do të shënohet 10- vjetori është bërë duke neglizhuar vlerat dhe krijuesit pamorë në vend, pasi, siç kanë thënë krijuesit, si në rastin e parë, po ashtu edhe në të dytin, u ballafaquam me dy raste të gabuara, të zgjedhjes së logos së 10- vjetorit të pavarësisë, ngase ato kishin ngjashmëri të theksuar me disa dizajne të tjera.

Vlerësimi i punës së konkurruesve

Në një prononcim për "Kosova Sot", artisti Muhamet Ahmeti, i njohur edhe me emrin artistik si Metis, profesor në UP, ka thënë se 10- vjetori i pavarësisë së Kosovës duhej të ishte një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe popullin e saj. Një pavarësi, siç ka vazhduar ai, e pritur gjatë dhe me sakrifica të mëdha, e kërkon një ngjarje festive në jubileun e dekadës së parë. Zakonisht, ka shtuar Ahmeti, gjatë manifestimeve të tilla bëhen përgatitjet shtetërore për shënimin jubilar përmes informimit publik dhe medial. Shpallen konkurset e ndryshme publike me juri të përzgjedhur profesionale dhe me emra transparentë, në mënyrë që konkurruesi të përcaktohet për pjesëmarrje në konkurs ose jo. "Në këto raste secili mund të vlerësojë nëse Juria e përzgjedhur mund të vlerësojë punët konkurruese ose heq dorë nga pjesëmarrja shkaku i dyshimeve objektive e profesionale", ka pohuar prof. Ahmeti, duke shtuar se ne kësaj radhe u ballafaquam me dy raste të gabuara, të zgjedhjes së logos së 10-vjetorit të pavarësisë, ngase ato kishin ngjashmëri të theksuar me disa dizajne të tjera. "Si në rastin e parë, po ashtu edhe në të dytë, shteti ynë nuk bëri reklamë të mirë jubilare dhe po ashtu mund të kishte edhe kontestime të tjera ligjore për marrjen e dizajneve me ngjashmëri të përafërt. Kjo situatë, e vë Kosovën në sprovë shtetndertimi, e vonon në procedime të tjera organizative dhe mbi të gjitha shkakton brengë e huti tek populli i saj", ka thënë ai. 

Autori ka gabuar

Kritiku i artit Ilir Muharremi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se çështja e logove për shënimin e 10- vjetorit të pavarësisë ka zbehur në masë festimet për shënimin e një dekade të shtetit të Kosovës. Ai ka pohuar se nuk është dashur të zgjidhet një logo që ngjan me një logo që ishte përdorur më parë, pavarësisht se kemi të bëjmë me të njëjtin autor. Muharremi ka thënë se artisti Ballazhi ka gabuar që ka punuar një logo të ngjashme sikurse atë për BDI-në, duke e konsideruar një veprim vetë- plagjiaturë. Artisti, ka thënë Muharremi, përsërit logon e vitit 2015 të punuar në Maqedoni. Kjo i bie si të paguhej për të njëjtën punë dy herë. "Koncepti është i njëjtë: 6 yje i kanë të dyja logot, vetëm ndërron pak mënyra e dizajnimit edhe numri 10 është në të njëjtën mënyrë. Thjesht, autori dy herë e ka shitur mallin e njëjtë. Kjo është turp i madh! Këtë s'mund ta quajmë plagjiaturë, natyrisht, sepse janë të krijuara nga i njëjti autor", ka pohuar ai. Por, ka thënë më tej, autori është dashur të krijojë diçka unike gjithmonë duke respektuar stilin e tij dhe si avancim të punës së mëhershme unë nuk e shoh, por përsëritje, dhe përsëritje monotone. "Kjo vepër më shumë po duket si një tregti, si mall i njëjtë për t'u shitur sesa kreativitet unik dhe enkas i punuar për 10- vjetorin e pavarësisë. Ndoshta edhe artisti nuk e kishte kohën e mjaftuar, sepse dy ditë më parë njëra logo u anulua dhe si për shpejt është dashur të zgjidhet një tjetër. Vetëm ka nxjerrë nga arkivi dhe ka modifikuar shumë pak logon e vjetër", ka thënë Muharremi.

Qesharake dhe e dhimbshme

Krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se puna e logos për përvjetorin e dhjetë të pavarësisë sonë, për të cilën po diskutohet aq shumë anembanë vendit, është e qesharake dhe e dhimbshme njëkohësisht. "Si është e mundur, që në të dy rastet të kopjojmë, kur po gëlojmë nga (palo) artistët? Kjo është për të ardhur keq, sinqerisht. Jemi katandisur si mos më keq, dhe saga e logos tregon më së miri qëndrueshmërinë dhe potencën kreative të shtetit tonë. Mbase kjo punë është bërë me ndonjë qëllim të caktuar, (nga persona që iu leverdis kjo situatë)", ka thënë ai, duke shtuar se qëndron përkrah gjithë kritikuesve e kësaj logoje, sepse ne duam që shteti ynë të ketë përvjetor dinjitoz, siç kanë gjithë popujt e tjerë rreth nesh. "Andaj, shpresoj që kjo mos ta zbehë atmosferën festive - dhe shpresoj që përvjetorët e tjerë mos të na gjejnë në këso gjendje. Dhe për ta ndryshuar atë, duhet punuar shumë me të rinjtë ambicioz që ushqejnë ide autoriale, dhe jo me palo-artistë, që i bëjnë gjërat shkel e shko, pastaj na shndërrojnë në objekt talljeje", ka thënë Meholli.

Faji i institucioneve

Bislim Aliu, kritik dhe artist pamor, në një prononcim për "Kosova Sot", ka bërë përgjegjëse institucionet me skandalin për logon e 10-vjetorit të pavarësisë, duke mos i marrë me seriozitet dhe dhënë rëndësi elementeve pamore. Andaj, edhe si rezultat i këtij mosserioziteti, ka shtuar ai, edhe logot po dalin qesharake, plot plagjiaturë, me elemente të huazuara me kiç. "Prandaj, komisioni që caktohet për vlerësimin e tyre duhet të jetë shumë profesional edhe tejet rigoroz. Neve na duhen logo autoktone, me specifika autoktone, pa elemente të huazuara, kiçi nuk na duhen as sot dhe as kurrë", ka potencuar Aliu, duke përmendur edhe raste të tjera kur shteti ka përzgjedhur vepra plagjiaturë për raste të tjera. Gjë që, siç ka potencuar më tej ai, , një gjë e tillë po e vë shtetin në një situatë qesharake. Ndërsa ka thënë se Komision është dashur që propozimet t'i shqyrtojë dhe t'i bëjë publike për të matur opinioni dhje pastaj të vendose. 

Arsyetohet Ballazhi

Ndërkaq, autori i logos zyrtare, (të dytës) për shënimin e 10- vjetorit të pavarësisë, Zeni Ballazhi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se veprat e tij janë të publikuara dhe të mbrojtura me të drejtën autoriale prej vitesh. Ato gjenden kudo, ka pohuar ai, madje edhe jashtë vendit. "Unë jam autor edhe i asaj logoje të BDI-së. Ndonjëherë veprat e mia mund të kenë edhe ngjashmëri, sepse i punoj dhe ripunoj gjithmonë me stilin tim, me vijat e mia tani të dëshmuara, që të jem më unik. Pra, janë vepra të dizajnuara, që mbrohen me të drejtë të plotë autoriale, sepse janë edhe vazhdimësi e punës sime, stilit tim, avancimit tim prej vitesh", ka thënë ai, duke shtuar se është i vetëdijshëm për atë që bën dhe publikon, prandaj, siç ka thënë ai më tej, shpifjet që mund të bëhen në këtë drejtim dhe publikimi apo keqpërdorimi i veprave të mia pa të drejtë është i dënueshëm. "Që të dy logot janë krijim i imi dhe autor si dhe bartës i të drejtave autoriale në të dy rastet jam unë, ndërsa vlerësoj se një autor krijon dallueshmërinë dhe siglën e vet nëpërmjet të kurimit të një stili të cilin njerëzit do ta njohin me sy, pa e lexuar se kush është autori", ka potencuar Ballazhi, në një prononcim për "Kosova Sot". Komisioni shtetëror për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së shtetit të Kosovës u detyrua të anulojë logon parë për shënimin e 10- vjetorin, pasi autorët u akuzuan për plagjiaturë dhe e ngjashme me një agjenci turistike në Gjermani. Ndërsa, përzgjedhja e dytë po del të jetë e ngjashme logon e Kongresit të Partisë shqiptare të Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim.

(Kosova Sot)

19 orë e 39 minuta më parë
25/05/18