Riaplikimi në UNESKO, Qeveria në heshtje të plotë

  • 17 January 2018 - 08:37
Riaplikimi në UNESKO, Qeveria në heshtje të plotë

INSTITUCIONET KANË RËNË NË GJUMË

Pasi dështuan që ta anëtarësojnë vendin në UNESCO në nëntor të 2015-s, institucionet vendore gradualisht kanë rënë në një 'qetësi', duke përmendur gjithnjë e më rrallë një betejë të re për anëtarësim në UNESCO. Një shans humbi, edhe vitin që shkoi. Ndërsa pas dy vjetëve do të ketë përsëri një shans tjetër. Por,rreziku që qetësia të vazhdojë dhe institucione të heqin dorë nga përpjekjet për anëtarësim në UNESCO për një kohë më të gjatë, ende mbetet real. Pasi, deri më sot, që nga 2015-ta, institucionet nuk kanë bërë të ditur se çfarë realisht janë duke punuar për një riaplikim të radhës për anëtarësim në UNESCO. Përderisa gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ekspertë të zhvillimeve kulturore në vend kanë thënë se shteti nuk duhet të tërhiqet, por të punojë për ta anëtarësuar vendin në organizata të rëndësishme. Duke dhënë edhe vërejtje për punën e pakët që institucionet po bëjnë në këtë drejtim. 

Disa 'detyra të shtëpisë' nuk janë kryer

Bashkim Lajçi, etnolog, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot, ka thënë se sikurse punët e tjera, edhe puna e anëtarësimit në UNESCO paksa ka ngecur dhe akoma nuk e ka marrë dinamikën e duhur nga ana e MKRSsë! "Kur këtë e them kam parasysh, në radhë të parë, disa 'detyra të shtëpisë' të cilat akoma nuk janë kryer nga institucionet tona përkatëse, për t'u anëtarësuar në këtë organizatë!", u shpreh ai. Ndërsa, eksperti Ylber Vokshi ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se ndoshta pas dështimit të dytë vjet, pasi fare nuk aplikuam për t'u anëtarësuar në UNESKO,do të ndryshojë diçka pozitivisht në qasjen ndaj kësaj problematike në dy vjetët e ardhshëm! Sipas tij, synimi kryesor i Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, ku UNESCO ka vend të rëndësishëm, prandaj aplikimi i serishëm duhet të jetë detyrë primare e jona e posaçërisht e MKRS-së. 

Përgatitja e Dosjes

Vokshi më tej ka thënë se kërkohet punë e përkushtuar profesionale e institucioneve shtetërore në përgatitjen e Dosjes për aplikim,për përfshirje në listë, duke filluar nga përkrahja institucionale, karakteristikat teknike, legjislative, kapacitetet teknike, formimin e grupit punues profesional, përpilimin e planit të punës, plani i konservimit, plani i menaxhimit, si dhe plani i shfrytëzimit, promovimit të monumentit. Ai ka dhënë vërejtje edhe rreth mosinformimit të opinionit lidhur me trajtimin që institucionet, përkatësisht MKRS-ja është duke i bërë çështjes për anëtarësim në UNESCO. "Vendimmarrësit tanë duhet kuptuar se angazhimi në këtë proces shumë të vështirë të aderimit në UNESCO duhet të jetë gjithëpërfshirës, nuk ka pozitë dhe opozitë në këto raste, duhet angazhim permanent i ekspertëve të shumtë, intelektualëve të pavarur, që të përfaqësojmë sa ma mirë shtetin e Kosovës. Në këtë drejtim duhet të tregojmë nivelin e përkushtimit, mënyrën e trajtimit, mekanizmat e menaxhimit, në ndarjen e fondeve realiste për mbrojtjen dhe restaurimin apo renovimin e objekteve, të cilat kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë Botërore. Që të punojmë në mënyrë sistematike,me angazhimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të përgatitemi në mënyrë dinjitoze dhe me ekspertizë profesionale, që me forcën e argumenteve që i kemi me bollëk, të mos dështojmë edhe herën tjetër, në nëntor 2019,kur pritet sesioni i radhës për anëtarësim në UNESCO", ka potencuar ai, duke shtuar se të gjitha këto veprime duhet bërë nëse dëshirojmë të jemi pjesë e botës së civilizuar,e jo të veprojmë si deri me tani, duke pritur që vetëm të tjerët të "lobojnë" për ne. Sipas tij, Kosova ka kapacitete profesionale dhe intelektuale që me forcën e argumenteve të shumta teknike dhe faktike të arsyetojë kërkesën për anëtarësim, për këtë kërkohet vetëm angazhim i duhur, i cili ka munguar deri më tash. Edhe krijuesi Dan Ibrahimi nuk sheh ndonjë punë që shteti po bën për të anëtarësuar vendin në UNESCO. Sipas tij, është punë e Qeverisë, Presidencës dhe veç- mas e Ministrisë së Jashtme, që të punohet për anëtarësim të vendit në UNESCO, e shumë më pak e MKRSsë. " Asgjë! Asnjë shenjë pune nuk duket. Në UNESKO nuk shqyrtohet vullneti i MKRS-së. Kjo ministri mund të flasë sa të dojë për këtë nevojë anëtarësimi, por nuk ka shumë mundësi për ta realizuar. MPJ-ja, Kryeministria dhe Presidenca janë ato që merren më shumë me këtë çështje, sepse pranimi në UNESKO bëhet me vota dhe MPJ-ja është ajo që angazhohet me rrjetin e vet për sigurimin e votave për anëtarësim. Nëse më pyetni çka po bën kjo ministri tani, edhe për këtë të them fare pak", ka pohuar ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)