Skënderbeu, kampion i pavarësisë kombëtare (Video) - Kulturë - Kosova Sot
Skënderbeu, kampion i pavarësisë kombëtare (Video)

Skënderbeu, kampion i pavarësisë kombëtare (Video)

Lajçi: Fitoret e shumta ushtarake dhe të njëpasnjëshme e ngritën Skënderbeun në shkallën e heroit kombëtar

"Kombi ynë identifikohet dhe mishërohet me Skënderbeun, prandaj është hero kombëtar dhe mund të themi lirshëm e vetmja pikë ku bëhemi të gjithë shqiptarët bashkë, po ashtu siç i bëri ai bashkë sa ishte gjallë", ka thënë historiani Arben Arifi, në një prononcim për "Kosova Sot"

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është heroi kombëtar i shqiptarëve, për shumë arsye, por më e veçanta është se në kohën e tij u vunë themelet e kombit shqiptar. Lufta e shqiptarëve në krye me këtë hero, organizimi i shtetit po në krye me të dhe luftërat për mbrojtjen e këtij shteti dhe kombi, si kundër osmanëve ashtu edhe kundër venedikasve dhe të tjetra, e dëshmon këtë. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" historianët tanë, me rastin e shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së heroit. Sipas tyre, pavarë- sisht përpjekjeve për përvetësimin e heroit nga të tjerët dhe përpjekjeve për baltosje dhe minimizimin figurës së tij dhe luftës së shqiptarëve në drejtimin tij, Skënderbeu mbetet figura më e madhe që kanë nxjerrë shqiptarët në gjithë historinë e ekzistimit të tyre. Shumë kombe do të ishin krenarë po ta kishin një të tillë, madje edhe vetë ata kundër të cilëve luftoi. Duke folur për heroin dhe figurën e tij, historiani Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17.01.1468) është kryeheroi ynë kombëtar, strategu e burrështetasi më i madh i shqiptarëve, që udhëhoqi luftën për liri kundër pushtimit osman, për bashkim politik-shtetëror të popullit shqiptar.

Mbrojtës i pathyeshëm

Lajçi ka thënë se Skënderbeu doli në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare pas disfatës së osmanëve në Betejën e Nishit (Zllaticës), më 3 nëntor 1443. Sipas tij, Skënderbeu u kthye në Krujë tri javë më vonë dhe më 28 nëntor 1443 ngrit flamurin e lirisë, flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenore."Nga kjo ditë dhe derisa vdiq, për 25 vjet me radhë, ai u shqua si mbrojtës i pathyer i Shqipërisë nga sulmet e osmanëve, si mbrojtës edhe i qytetërimit oksidental. Fitoret e shumta ushtarake dhe të njëpasnjëshme e ngritën Skënderbeun në shkallën e heroit kombëtar", ka thënë ai, duke përmendur fitoret e Skënderbeu në kohën kur e gjithë Evropa ndodhej nën ethet nga frika. Lajçi ka përmendur vlerësimet e ndryshme që janë bërë për heroin nga historianë me famë botërore, të cilët siç citon Lajçi shkruanin se princi shqiptar me të drejtë mund të shquhet dhe lavdërohet si kampion i pavarësisë se tij kombëtare. Por ka përmendur edhe përpjekjet, siç ka thënë ai, absurde për përvetësimin e së kaluarës së lavdishme të kombit shqiptar, nga boshnjaku Marnaviçi, e më pas sidomos nga historiografia serbe. Lajçi ka thënë se historiografia jonë është marrë shumë me heroin, siç ka thënë ai, se me plot gojën mund të thuhet se nuk ka personalitet në historinë tonë që është shkruar më shumë nga historiografia shqiptare për origjinën, jetën dhe kauzën për të cilën ka luftuar Skënderbeu."Janë dhjetëra botime, qofshin ato monografi apo vëllime me materiale nga konferencat shkencore dhe me qindra studime që iu kushtohen jetës dhe veprës së Skënderbeut", duke veçuar historiani Frashëri, i cili edhe kishte bërë një përgjigje ndaj Oliver Shmidit, që ishte munduar të minimizonte luftën e heroit. 

Kombi te ne ka lindur në shek. XV, me Skënderbeun në krye të tij

Lajçi ka hedhur idenë që në përvjetorin e 550-të të vdekjes së Skënderbeut, që është shpallur edhe viti i Skënderbeu, të punohet në një ligj të përbashkët Shqipëri-Kosovë, që do t'i mbronte figurat kombëtare nga baltosja e çfarëdo forme."Me këtë nuk nënkuptoj që përmes këtij ligji të bëhet ndërhyrje në shkencë në asnjë mënyrë, porse përdhosja e emrit të Skënderbeut, por jo vetëm Skënderbeut, shtatores së tij dhe çfarë- do forme tjetër të sanksionohet me ligj të veçantë", ka thënë ai. Kurse historiani Arben Arifi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nëse i referohemi Revolucionit Borgjez Francez, që sipas studiuesve merret si lindja e kombit modern dhe aty determinohet kombi dhe shteti, i cili, sipas tij, duhet të ketë territor kompakt, gjuhë të shkruar dhe të folur, diplomaci të jashtme, ushtri të rregullt, këto cilësi i kishte Skënderbeu, i cili kishte edhe gardë si dhe ushtri kufitare, flamur dhe krejt çka tjetër që e determinon shtetin - kombin. Ai shtoi se mund të themi se kombi te ne ka lindur në shek. XV, me Skënderbeun në krye të tij."Kombi ynë identifikohet dhe mishërohet me Skënderbeun, prandaj është hero kombëtar dhe mund të themi lirshëm e vetmja pikë ku bëhemi të gjithë shqiptarët bashkë, po ashtu siç i bëri ai bashkë sa ishte gjallë", ka thënë Arifi. 

Në kohën e Skënderbeut shqiptarët ishin më të bashkuar se kurrë 

Edhe për historianin Bedri Muhadri të gjitha përbaltjet dhe minimizimet që i bëhen figurës së heroit nga autorë shqiptarë dhe të huaj janë të pabaza dhe me konotacion zero. Pasi, siç ka konkluduar ai, janë dëshmi dhe fakte, të cilat flasin për luftën e drejtë të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe organizmi i shtetit. "Këndvështrimi i kësaj rryme mbi debatin e Skënderbeut i ngjan "teorisë zero". Shtoi se lufta dhe rezistenca shqiptare e kohës së Skënderbeut shënon faqe të ndritshme në historinë mesjetare shqiptare. "Ajo ishte luftë gjithëpërfshirëse e popullatës, kuptohet në trevat ku edhe kemi bashkëpunimet konkrete të feudalëve dhe viseve shqiptare të hartuara në Kuvendin e Lezhës, mars 1444", ka konkluduar ndër të tjera ai. Shtoi se në kohën e Skënderbeut shqiptarët ishin më të bashkuar se kurrë. Muhadri ka thënë se historiografia shqiptare ka arritur rezultate të mëdha për epokën e Skënderbeut dhe ka vepra dhe dokumente të shkruara dhe të hulumtuara. 

(Kosova Sot)  

22 orë e 47 minuta më parë
22/05/18