Asnjë projekt shkencor PËR SKËNDERBEUN

  • 19 January 2018 - 08:55
Asnjë projekt shkencor PËR SKËNDERBEUN

KËRKOHET NJË KËSHILL MBARËKOMBËTAR PËR VITIN E GJERGJ KASTRIOTIT

Meholli: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është vlerë e madhe e patriotizmit shqiptar

Krijuesi Miftar Kurti, idenë për një Këshill mbarëkombëtare për shënimin e Vitit të Skënderbeut, e sheh si të domosdoshme. Sipas tij, në këtë jubile shqiptarët duhet të jenë më shumë se kurrë të bashkuar

Shqiptarët duhet të krijojnë një Këshill mbarëkombëtar, i cili do të merrej me ecurinë e shënimit të Vitit të Skënderbeut. Gjithë ato aktivitete që do të mbahen, pavarë- sisht që tashmë viti ka nisur do të duhet të jenë të denja, me rezultate shkencore apo edhe aktivitete të mirëfillta kulturore. Në fakt, ideja për një Këshill mbarëkombëtar, i cili do të barte barrën e organizimeve për shënimin 550- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, gjatë gjithë vitit, doli nga akademik Rexhep Qosja, i cili pak ditë më parë, në një shkrim të tij, i dha përgjigje kryeministrit të Shqipërisë, Rama, pasi ky i fundi kërkoi ide për organizimet gjatë gjithë 2018-ës. Vetëm kështu, kanë thënë krijuesit dhe njerëzit e kulturës, duke mbështetur idenë për një Këshill mbarëkombëtare, duhet të festohet Viti i Skënderbeut, i cili mbetet i vetmi udhëheqës shqiptar, që arriti t' i bëjë bashkë të gjithë shqiptarët.

Figura e Skënderbeut shpërfaq të gjitha vlerat e kombit tonë

Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Bujar Meholli ka thënë se propozimi nga prof. Qosja, për krijimin e një Këshilli mbarëkombëtarë për Vitin e Skënderbeut, është i pranueshëm dhe i rëndësishëm për popullin shqiptar. Këshilli mbarëkombëtar, sipas tij, do të duhej t'i mblidhte të gjithë intelektualët, e politikanët më të zotë të të gjitha trojeve tona, për ta vazhduar këtë nismë edhe në vitet e tjera deri në bashkimin kombëtar! "Kjo do të ishte mënyra më e mirë për ta përkujtuar dhe për ta falënderuar heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është vlerë e madhe e patriotizmit shqiptar, absolutisht krenaria e kombit tonë. Është ai që bëri zërin e shqiptarëve të dëgjohej kudo në botë, gjithashtu mbrojti kulturën atdhetare me luftërat e tij madhështore në thelb të së cilave ishte paqja", ka potencuar, Meholli.

Organizimet e ndryshme

Kurse, sa i përket aktiviteteve për shënimin këtij përvjetori, Meholli ka thënë se aktivitetet për Vitin e Skënderbeut, në përgjithësi janë në nivel të kënaqshëm. "U mbajtën orë letrare dedikuar heroit, u nderuan edhe shumë figura tjera të rëndë- sishme, u organizua ekspozitë nga Muzeu i Kosovës me libra, pulla e bankënota nga mesjeta deri në vitet 30, e shumë aktivitete të tjera, por institucionet shkencore duhet të përgatisin ndonjë projekt shkencor për Skënderbeun, sepse deri më tash, s'kemi pasur asnjë projekt shkencor për heroin tonë", ka potencuar ai. Edhe krijuesi Miftar Kurti, idenë për një Këshill mbarëkombëtar për shënimin e Vitit të Skënderbeut, e sheh si të domosdoshme. Pasi, siç ka thënë ai, në këtë jubile shqiptar duhet të jenë më shumë se kurrë të bashkuar. "Ideja e Qosjes është me vend. Është i domosdoshëm një Këshill kombëtar. Shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në shënimin e këtij Jubileu të Madh", ka thënë Kurti. Ismet Tahiraj, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", u shpreh se shënimi më i mirë i Vitit të Skënderbeut është një detyrë e gjithë shqiptarëve, duke u nisur nga shkollat e grupet letrare akademitë kulturore, deri te shkrimtarët, poetët dhe këngëtarët, që ky jubile të marrë këmbën e mbarë në gjithë trojet shqiptare. Ai ka thënë se do të ishte mirë që të këtë organizime të ndryshme, pastaj nderime dhe shpërblime për krijime që mund të dalin nga autorë të ndryshme për heroin gjatë këtyre aktiviteteve. "Krejt kjo është në favor të këtij jubileu dhe që do të ishte edhe më impozante, më e fuqishme dhe më e madhërishme", ka potencuar Tahiraj.

(Kosova Sot)