Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, zëra të pamposhtur të kombit - Kulturë - Kosova Sot
Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, zëra të pamposhtur të kombit

Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, zëra të pamposhtur të kombit

VEPRIMTARIA PATRIOTIKE I PENGOI UDB-SË JUGOSLLAVE

"Këtë kohë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë u zhvillua veprimtaria ilegale nga intelektualë dhe patriotë shqiptarë, për ta propaganduar nevojën për liri, zhvillim ekonomik dhe arsimimin e popullit. Kjo veprimtari u përhap sikur zjarri nga vapa e verës, u zgjerua dhe u pranua nga shtresat e ndryshme të popullatës në Kosovë. Në mesin e shumë veprimtarëve, zë i fuqishëm dhe i pamposhtur nga okupatori deri në vdekje ishte zëri i Jusuf Gërvallës, intelektual, atdhetar dhe krijues shqiptar", ka potencuar për gazetën "Kosova Sot" shkrimtari Ramadan Thaçi

Janari i çdo viti sjell në kujtesën e shqiptarëve histori tragjike, me të cilat u përballen shumë prej patriotëve tanë. Njëri prej tyre ishte edhe Jusuf Gërvalla. Pikërisht më 17 janar të këtij viti u bënë 36 vjet kur mizorisht në një qytezë të Shtutgartit, në Gjermani, vritet Gërvalla, së bashku me vëllain Bardhoshin dhe Kadri Zekën. Gërvalla ishte strehuar atje, pasi ishte vënë në shënjestër të autoriteteve të atëhershme serbo-jugosllave, për shkak të veprimtarisë së tij, në shërbim të atdheut. Në fakt, Gërvalla ishte ndër të shumtit njerëz të kulturës që ishin renditur dhe kishin dhënë një kontribut të çmuar në kuadër të lëvizjeve të përgjithshme për çlirimin e Kosovës. Shumë prej tyre ishin burgosur dhe vrarë mizorisht, jo vetëm për shkak të veprimtarisë ilegale, por edhe kontributit të tyre në fushën e kulturës dhe arsimit. Duke kontribuar në vetëdijesimin dhe ngritje e moralit të përgjithshëm.

VEPRIMTARIA ATDHETARE NË MËRGATË

Për studiuesit dhe krijuesit tanë kontributi i Jusuf Gervallës, por edhe krijuesve të tjera ishte krucial për Lëvizjen kombëtare për çlirim, pas Luftës së Dytë Botërore. Ata ngallën dhe vetëdijesuan gjenerata të tëra për të cilat, siç kanë thënë studiuesit, edhe u bënë forcë shtytëse drejt lirisë. Në një prononcim për "Kosova Sot", historiania dhe shkrimtarja Sabile Basha ka thënë se kontributi i Jusuf Gërvallës dhe të tjerëve ishte me plot luftë dhe sakrifica. Duke veçuar kontributin tij, sidomos në mërgim, ajo ka thënë se me inkuadrimin e Jusufit në veprimtarinë atdhetare në mërgatë, ai angazhohej kryesisht në organizimin e saj, që në rrugën e nisur të rezistencës të jenë sa më unikë dhe më të bashkuar. UDB-ja jugosllave ishte tej mase e shqetësuar, andaj, ka shtuar ajo, rrjeti i krimit dhe i kriminelëve u sensibilizua me të madhe dhe , me urgjencë u dërguan njerëz edhe jashtë shtetit, gjithandej ku vepronin Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre.

SIMBOL I LUFTËS PËR LIRI

Shkrimtari Ramadan Thaçi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se letërsia patriotike ka qenë frymëzuese e të gjitha brezave për liri dhe pavarësi, duke mos e përjashtuar si kontribuuese as dhe muzikën dhe artin në përgjithësi. Sipas tij, intelektualët patriotë përmes mënyrave të ndryshme kontribuuan si zë i protestës dhe i përhapjes së ideve për çlirimin e trojeve tona, në veçanti për lirinë e popullit të Kosovës dhe barazinë me popujt e tjerë fqinjë, të cilët gjatë historisë kishin plaçkitur troje shqiptare përmes metodave të dëbimit, pastrimit etnik, duke zbatuar dhunë, krime dhe gjenocid. "Këtë kohë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë u zhvillua veprimtaria ilegale nga intelektualë dhe patriotë shqiptarë, për ta propaganduar nevojën për liri, zhvillim ekonomik dhe arsimimin e popullit. Kjo veprimtari u përhap sikur zjarri nga vapa e verës, u zgjerua dhe u pranua nga shtresat e ndryshme të popullatës në Kosovë. Në mesin e shumë veprimtarëve, zë i fuqishëm dhe i pamposhtur nga okupatori deri në vdekje ishte zëri i Jusuf Gërvallës, intelektual, atdhetar dhe krijues shqiptar", ka potencuar ai, duke shtuar se Gërvalla është i njohur në veprimtarinë çlirimtare, në letërsi, në muzikë dhe si familjar i mirë dhe i traditës së kombit. Andaj, ka shtuar ai, për veprimtarinë e tij, ai sot, dhe ndër breza që vijnë do të çmohet kujtimi për te si dëshmor i kombit, simbol i luftës për liri, guximtar dhe intelektual. Thaçi ka thënë më tej se zëri i Jusuf Gërvallës është zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsë- drejti, ngrohtë, butë, thellësisht njerëzor dhe i ndjeshëm. Ndërsa shkrimtari Fatmir Halimi ka thënë se lëvizjet ilegale në Kosovë fillojnë diku rreth vitet të 60-ta , kryesisht nga mësimdhënësit, gazetarët dhe shtresa tjetër intelektuale. "Jusuf Gërvalla para ilegales në Kosovë njihej si poet dhe gazetar i 'Rilindjes'. Ai pati mundësi të e mëdha që përmes këtij mediumi të reflektojë edhe në çështjen tonë kombëtare. Pra, ishte ndër personat kyçë në organizimin e grupet të ndryshme në Kosovë që nuk pajtoheshin me sundimin serbo-jugosllav", ka thënë ai. Isa Vatovci.

(Kosova Sot)  

3 orë e 19 minuta më parë
21/10/18