TKK-ja përzgjedh repertor TË DOBËT PËR SIVJET

  • 25 January 2018 - 09:15
TKK-ja përzgjedh repertor TË DOBËT PËR SIVJET

PROJEKTET QË OFRON TEATRI NË VITIN 2018

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës i ka miratuar të mërkurën projektet që do të inskenohen në TKK gjatë vitit 2018, në skenën e madhe. Janë gjithsej 5 tekste që janë përzgjedhur për inskenim, pa përfshirë këtu tri që janë bartur nga viti i kaluar. Në fakt, miratimi i repertorit nga ana e KDsë, pas një debati rreth përzgjedhjes së teksteve të propozuara nga menaxhenti i TKK-së, ku pati spekulime edhe rreth përplasjeve në përzgjedhjen e teksteve për inskenim. Megjithatë, kryetarja e KD-së, Burbuqe Berisha, ka mohuar përplasjen, duke thënë se ka pasur një koordinim profesionesh dhe është bërë më e mira. Në anën tjetër, ekspertë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend kanë thënë se vonesat në miratimin me kohë të repertorit të TKK-së janë një treguesi i garës së fortë dhe mëdyshjeve për përcaktimin e repertorit, duke mos hedhur poshtë dhe apetitet e grupeve të interesit, duke shprehur se TKK-ja ta ketë bërë zgjedhjen më të mirë në përzgjedhjen e teksteve që do të inskenohen këtë vit. 

Vonesat e pajustifikueshme

Në një prononcim për "Kosova Sot" kryetarja e KD-së, Berisha, ka thënë se të mërkurën KD-ja ka miratuar propozim-tekstet që do të inskenohen këtë vit në TKK-ja."Janë 5 shfaqje që do të realizohen gjatë këtij viti në skenën e madhe, pa përfshirë këtu tri projektet që janë bartur nga viti i kaluar, që janë shfaqje e regjisorit Bekim Lumi, Isa Qosjes dhe ajo e regjisorit Martin Koçovski. Janë përzgjedhur tekstet 'Kaligula', një tekst i Musa Ramadanit, shfaqja 'Dashuria dhe liria', një shfaqje për Skënderbeun, 'Karnavalet e Korçës' dhe një tekst i Çeovit, 'Kopshti i Qershive'", ka pohuar ajo, duke shtuar se për realizimin e këtyre shfaqjeve janë përzgjedhur regjisorë të njohur, si Ilir Bokshi, Zana Hoxha, etj. Tentativat janë të sillet edhe një regjisor italian për inspektim gjatë këtij viti në TKK. Ajo ka mohuar të ketë pasur mosmarrëveshje dhe ka pohuar se është bërë një punë si nga menaxhmenti apo edhe KD-ja. Në anën tjetër ekspertë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend kanë thënë se vonesat në miratimin me kohë të repertorit të TKK-së janë një tregues i garës së fortë dhe mëdyshjeve për përcaktimin e repertorit. Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se përcaktimi sa më i drejtë dhe meritor e ka vonuar këtë ndarje, duke mos përjashtuar edhe apetitet e njerëzve që pas shpellës mos te ketë rebelime të ndryshme për jokorrektësi në ndarje."Tashti në çdo ndarje të riskut pakënaqësitë janë evidente, por puna duhet vazhduar, vonesat janë të pajustifikueshme.

Veti e keqe e menaxhmentit të TKK-së

Shkrimtari Dan Ibrahimi, duke potencuar vonesat në përcaktimin e projekteve që do të inskenohen, ka thënë se nuk befasohet nga menaxhmenti i TKK-së, duke e konsideruar një veti të keqe. "TKK-ja, gjegjësisht udhëheqja e saj, nuk befason më me asgjë për të keq, as me vonimin e raportuarit. Nëse në të publikisht përdhoset identiteti kombëtar, plisi, lufta dhe morali shoqëror mos prit gjera të rregullta më. Teatri Kombëtar i Kosovës s'ka dinjitet, s'ka profesionalizëm. Unë nuk shkoj në këtë teatër më", ka thënë Ibrahimi. Kurse Ilir Muharremi, kritik, në një prononcim për "Kosova Sot", ka pohuar se shkaku i vonesës në përcaktimin e repertorit për këtë vit, deri dje, vjen pasi si gjithnjë aty ka mospajtime dhe presione në imponimin e përzgjedhjeve të teksteve për inskenim. 

(Kosova Sot)