Mozaikët antikë, perla të trashëgimisë kulturore kosovare

  • 26 January 2018 - 09:14
Mozaikët antikë, perla të trashëgimisë kulturore kosovare

MOZAIKU I GLLAMNIKUT PARAQET VLERA TË JASHTËZAKONSHME

Mozaikët kosovarë konsiderohen ndër më të veçantit dhe më të çmueshmit që sot vijnë nga antikiteti. Ndër ta është ai i Gllamnikut, ku edhe pse i përgjysmuar paraqet vlera të jashtëzakonshme. Por, prapa nuk mbesin as ai i Nerodimes, Dresnikut dhe Ulpianës. Për gati dy vjet një pjesë e Mozaikut të Gllaminkut dhe ai i Nerdodimës kanë qëndruar të ekspozuar në Muzeun e Kosovës, ku përveç vizitorëve me këtë perlë janë njoftuar edhe fëmijët të cilët ishin edhe pjesë e projekt të Shkolla e mozaikëve. Për ekspertë të trashëgimisë dhe drejtues të institucioneve, Mozaiku i Gllamnikut ose ndryshme siç njihet nga ekspertët si ''Vendenis'', përbën një vepër arti me vlera kulturore, historike për vendin.

Vlera e mozaikëve

Enver Rexha, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, në një prononcim për 'Kosova Sot" ka thënë se Mozaiku i Orfeut zbuluar në vitet (1980-86) në lokalitetin arkeologjik "Vendenis" në fshatin Gllamnik, komunës së Podujevës paraqet, përbën një vepër arti me vlera kulturore, historike të vendit tonë në kohën e periudhës antike në Dardani. Sipas tij, vlerat kulturore të zbuluara si dhe Mozaiku ndriçuan gjurmë të veprave arkitekturore dhe artit të periudhës së antikitetit që i takojnë kulturës dardane/ilire dhe kulturës romake (gërshetim kulturor), për çka, ka shtuar ai, vlen të theksohen zbulimet e veçanta, siç është Mozaiku i Orfeut, vepër arti unike në Ballkan dhe më gjerë (Lokaliteti arkeologjik prezanton gjetjet, vlerat arkeologjike që i takojnë periudhës së shekujve I-IV dhe atyre të antikitetit të vonë - shek. IV-VI e.s.). "Mozaiku ( Piktura me gurë) është një vepër arti që fillet i ka që nga periudhat parahistori, antikë, mesjetë e në vijimësi. Mozaiku është art (art dekorativ, art i zbukurimit), teknik zbukurimi mbresëlënëse, pra një nga veprat më jetëgjata të artit dekorativ që mbijetojnë që nga antikiteti. Mozaiku paraqet sipas ekspertëve një ''pikturë të vërtetë që jeton në përjetësi'", ka pohuar drejtori Rexha. Më tej ai ka thënë se mozaikët kanë histori tërheqëse kulturore të veprave të artit. Mozaiku mund të përkufizohet si arti i zbukurimit të një sipërfaqeje, siç mund të jetë dyshemeja, muri ose një kube, me figura që bëhen me copëza guri, xhami ose qeramike, të cilat ngjiten afër njëratjetrës. Mozaikët janë përdorur që në lashtësi për të zbukuruar dyshemetë dhe muret. 

Vërejtjet për menaxhmentin

Kurse eksperti Qazim Namani ka thënë se Mozaiku i Gllamnikut është zbuluar në një lokalitet (qytet) antik të quajtur Vendenis, nëpër të cilin kalonte rruga antike Nish - Lezhë. Ai ka thënë se gjatë hulumtimeve janë zbuluar fragmente të shumta të enëve nga argjila, enë qelqi, sarkofag, struktura të themeleve të objekteve, trase të rrugëve, monedha të periudhës romake dhe mozaiku i Orfeut . "Mozaiku i Orfeut konsiderohet si gjetja më e rëndësishme në territorin e Kosovës dhe së bashku me mozaikun e Nerodimës ishin veprat me vlerat më të larta monumentale të zbuluara në Kosovë dhe ruheshin të konservuara në Muzeun e Kosovës", ka thënë Namani. Namani ka potencuar faktin se pjesa kryesore, ku paraqitet edhe Orfeu, është marrë së bashku me shumë artefakte në janar të 1999-s për t'u ekspozuar në Beograd dhe nuk janë kthyer më. Pjesa tjetër e Mozaikut të Gllamnikut dhe Mozaikut të Nerodimës të konservuara në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit XX, kishin mbetur në depot e Muzeut të Prishtinës. 

Planet e menaxhmentit

Në anën tjetër, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj ka thënë se për gati dy vjet Mozaiku i Gllamnikut dhe ai i Nerodimës kanë qenë të vendosur në Muzeun e Kosovës, për ekspozitë, dhe meqë muzeu po bëhet gati për shënimin e 10- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, mozaikët janë vendosur në dollapë të bërë gati për ta. Sipas tij, këta dy mozaikë janë dy perla të trashëgimisë sonë së bashku me mozaikun e Dresnikut dhe atë të Ulpianës. "Këta e bëjnë një thesar të mozaikëve, të cilët tregojnë edhe një mënyrë të jetesës në shekujt e parë të antikitetit, dhe shënojnë edhe një informacione për statusin e lokaliteteve ku janë gjetur këto perla", ka thënë ai. Boshtrakaj ka shtuar se duhet të thuhet së është se nga një pjesë e secilit prej këtyre dy mozaikëve janë pjesë e koleksionit arkeologjik, i cili ende nuk është kthyer nga Beogradi. "E kam fjalën për Orefeun, pjesa qendrore e Mozaikut të Gllaminkut dhe për një pjesë që quhet mendimtarët apo filozofët që është pjesë e mozaikut të Nerodimës", ka pohuar ai, duke shtuar se për vendin ku planifikohet të vendosen këto dy perla planifikohet një proces dhe debat, pasi dy sipërfaqe që janë me rëndësi dhe publikut duhet dhanë qasje, pasi hapësirat e brendshme të Muzeut janë të limituara për të akomoduar sipërfaqe të tilla.

(Kosova Sot)