As shuplaka dhe as ledhatime patetike ndaj Skënderbeut

  • 27 January 2018 - 13:10
As shuplaka dhe as ledhatime patetike ndaj Skënderbeut

ME SHKAS SHPALLJEN E VITIT 2018 SI VIT PËR SKËNDERBEUN (2)

Në secilin variant, mbetet ndër personazhet më interesante në historinë tonë

SHKRUAN: AVNI RUDAKU 

Skënderbeu dhe Nëna Terezë janë dy figurat që kanë pasur ndikim edhe jashtë hapësirës shqiptare, madje kjo e dyta, edhe më shumë jashtë e fare pak brenda, prandaj edhe me të drejtë mund të llogariten si figura të përdorshme të diplomacisë kulturore-historike të shteteve shqiptare kundrejt Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera të Perëndimit. Nuk po themi se kanë kushedi se çfarë ndikimi, sepse po të kishte aq ndikim, ja do të na njihte Vatikani si shtet, ja asnjë shtet tjetër, por jo, nuk është ashtu sa dhe si thuhet rëndësia e ikonave historike në diplomacinë e interesave ekonomike e tregtare! Pra, ka kufizime në përdorime, por nuk janë të parëndë- sishme dhe prej tyre nuk shohim asnjë sherr, madje diplomatikisht vetëm përfitojmë si komb e shtete! Këto dy figura gjatë viteve të '90-ta të shekullit të kaluar shërbenin edhe për "arratisje nga Lindja" dhe "kthimin te Perëndimi", nga filozofia pacifiste e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Gjersa Serbia akuzonte Kosovën si "çerdhe të fundamentalizmit islamik", fotoja e Nënë Terezës, Papa Gjon Palit dhe Skënderbeut ishin edhe mesazhe se "ne nuk jemi ata që po na përshkruan Serbia"! Pas luftës, shoqëria u bë e hapur, prania e evropianëve dhe amerikanëve u bë edhe më e ngulitur dhe shoqëria ishte më e lirë, më pak e frikësuar nga Serbia, sesa ishte dikur. Kjo rehati psikologjike se "e kemi këtu NATO-n, KFORI-in, Amerikën", bëri që njerëzit të mos ndjejnë frikën se Serbia do të thotë për ne "islamistë". Me kalimin e viteve të pasluftës së fundit, shqiptarët u bënë përdorues të rreptë të medieve sociale dhe të pasionuar ndaj teknologjisë së informacionit. Debatet mbi historinë, fenë, figurat si Skënderbeu e të tjera, u bënë pjesë e shpeshtë e diskutimeve. Disa filluan ta sulmonin Skënderbeun nga perspektiva të ndryshme. Mediet sociale u fuqizuan me propaganda, konspiracione, fakte e pseudofakte të reja, të cilat bënë që të krijohen "antiskënderbasit" dhe "pro-Gjergjët", të nxitura edhe nga portale, me logjikën në radhë të parë të klikimeve dhe centëve! Madje, edhe vetë emërtimi nga disa "Vit i Gjergjit", sikur edhe "Vit i Skënderbeut", mënyra se si përzgjidhet njëri apo tjetri, tregon për qasjet e dyja palëve. Skënderbeu në secilin variant, mbetet ndër personazhet më interesante në historinë tonë, qoftë si histori faktike, qoftë si strateg i fortë i sulmeve e mbrojtjeve, e sidomos, qoftë në raportet aq interesante diplomatike që i zhvillonte aso kohe me Napolin e vendet e tjera, dëshmia e të cilave janë edhe letrat nga arkivat! Po ashtu, është edhe shembull i mirë njohjes së disa gjuhëve të huaja! Ndoshta një ditë historia e diplomacia e realpolitikës do të thotë se, "më keq është të luftosh me më të fortin e kohës dhe Skënderbeu ishte i tillë"; ndoshta se "nuk krijoi diplomaci, por të tipit të klasës politike kosovare, ku vendet evropiane e shfrytëzonin si kryengritës lokal për t'i ruajtur qytetet e okupuara bregdetare nga Venediku dhe po ashtu nga frika e invadimit osman në Evropë", etj. Sidoqoftë, përparimet e historisë dhe të riaktualizimeve interpretuese, janë të mirëseardhura!

'ANTISKËNDERBEASIT'

'Antiskënderbeasit' e përmendin emrin Skënder, plus titullin 'beu' ose 'bej', për të treguar se ai ishte konvertuar në mysliman dhe sulltani osman e kishte privilegjuar nga duart e tij Skënderbeun, sakaq ia kishte dhënë titullin "Sundimtar i Krujës" dhe me bazë statusin e lartë, se ishte 'bej'! Kryesisht antiskënderbeasit janë me 'prirje ekstreme islamiste', të cilët besuakan se Skënderbeu nuk do të duhej t'ia kthente shpatën një perandorie që e kishte sjellur islamin në trojet ballkanike në mënyrë masive; se Skënderbeu ka vrarë myslimanë, se ishte kalorës i krishterimit, i lidhur ne Vatikanin, Napolin, Venedikun, papallarët(!); se Skënderbeu nuk ka luftuar për arbërit, apo shqiptarët e sotëm, por për fenë katolike; herë se ishte ortodoks nga nëna, ishte me prejardhje serbe, etj., duke e luftuar figurën e Skënderbeut në mënyrën më propaganduese, sepse nacionalistëve shqiptarë, janë duke i thënë se, Skënderbeu nuk ishte as për shqiptarët e kombin e vet të vonshëm, ndërsa anëtarëve brenda komunitetit aktiv mysliman, se ishte antimysliman dhe pro-katolik. Pra, antiskënderbeasit u bënë edhe brutalë, sakaq e rrahën në mënyrën më të dobët (sikur të ishte performancë e një artisti bashkëkohor, do të dilte art i rebelimit, pro jo, baza ishte fetare-ideologjike!), edhe simbolikisht, duke e goditur edhe bustin e tij. Kjo ishte rrahja më brutale, sepse edhe sikur të ishte hero i një populli tjetër, ai duhej të respektohej si një vlerë kulturore-historike, nëse të paktën nuk ka asnjë dëshmi për viktimat e 100 vjetëve të fundit e që do të ndiheshin të tronditur apo të traumatizuar nga figura e tij, por jo, askush nuk ndihet i tillë, ose të paktën nuk është ndjerë i tillë, i traumatizuar nga 'vrasjet e Skënderbeut'. Sulmet ndaj Skënderbeut janë edhe një lakmi për përvetësim të figurave dhe dëshirë që edhe ato me sfonde islame të ishin pjesë e hapësirës publike dhe institucionale të Kosovës, Shqipërisë e më gjerë. Po të ishin myslimanë, edhe myslimanët radikalë pakicë, 's'do të duroheshin duke u vetëlavdëruar'!Antiskënderbeasit po ashtu janë rritur me rritjen e islamofobisë, eurocentrizmit dhe uesternocentrimit, herë diplomatik, herë naiv, herë me fshehje simpatie ndaj krishterimit, ose krijim të rremë se janë 'më evropianë' se shumica e kosovarëve, diçka që nuk është fare e vërtetë. Islamofobia, sulmet ndaj islamit dhe paragjykimet ndaj Lindjes, botës arabe dhe myslimane, Azisë e kështu me radhë, e kanë rritur skajshëm brutalizimin simbolik të një grupi 'islamistësh politikë'. Po ashtu, u bë modë ky sulm, sakaq anëtarë të partisë islamiste fitonin edhe vota në grupin e gjasave prej 10 mijë qytetarësh, duke u paraqitur sa më 'mbrojtës i islamit' dhe 'heroit të pasluftës për të mbrojtur myslimanët nga diskriminimi', vetëm me sharje e ndonjëherë me artikulime korrekte, për Skënderbeun. Por ka pasur edhe aq shumë raportime amatore, me tendenca politike dhe tejkalimit të vëmendje jo të temave që i shqetësojnë qytetarët, duke u bërë secili mendim e veprim, i çdokujt, edhe lajm e debat mbarëkombëtar nga mediet. Po ashtu, antiskënderbeasit i ka nxitur edhe loja dogmatike e politikanëve. Më kujtohet se kur u hoq fotografia e Nënës Terezë nga një ish ministër i PDKsë nga objekti i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, kjo krijoi edhe 'aleancë' me islamistët, sepse u 'gëzuan' për këtë gjest! Po ashtu, me rritjen e 'erdoganizmit' në Kosovë, është rritur edhe sulmi ndaj Skëndërbeut! Kur mundohen ta bëjnë Skënderbeun serb, i përmendin emrat e djemve të tij si sllavë, pa vënë ndonjë dyshim se, kjo automatikisht nuk jep siguri për origjinë etnike. Ja për shembull, mund të ndodh që edhe emrat e shqiptarëve të jenë të sllavizuar sikur ka ndodhur përgjatë feudalizmit të zhvilluar edhe me emra të tjerë. Ja një citim i bazuar në një libër interesant për këtë temë: "Njëri ndër shembujt e zgjerimit me prapashtesa sllave të emrave personalë ndër shqiptarë është mbiemri i të vejës Gergovica në rrethina të Shtipit në gjysmën e parë të shek. 14 gruaja do të jetë e quajtur në bazë të emrit të bashkëshortit Gerg (o) të saj - emri i të cilit është zgjeruar në këtë rast me prapashtesën sllave -ica. Sado që nuk kemi ndonjë trajtesë të veçantë për këtë prapashtesë sllave në gjuhën dhe në onomastikën shqiptare, megjithatë mund të thuhet se në gjithë Malësinë e Tetovës, në katundet shqiptare të rrethinës së Kërçovës dhe tjetërkah nëpër Maqedoni dhe në pjesën më të madhe të vendbanimeve në Serbinë e Jugut gruaja e martuar quhet në të folmet popullore sipas emrit të burrit, të zgjeruar me prapashtesën sllave - ica. Kështu p.sh., e shoqja e Hasanit, e shoqja e Stefanit Stefanica, ajo e Muratit Muratica e kështu me radhë."( Dr. Skënder Gashi "Kërkime onomastike II - Emrat e shqiptarëve në shek. XIII-XV në dritën e burimeve kishtare serbe", Prishtinë, 2014, f.98) Po ashtu, në të njëjtin burim informacioni, përmenden edhe emri Gerg/Gergo: "Duke u nisur nga supozimi se emri Gerg/Gergo ishte emër i shqiptarëve në Maqedoni në shek. 14, emri Gergovica do të mund të konsiderohej së këndejmi formim shqiptar me prapashtesë sllave."(po aty) Nuk mund të jenë aq të thjeshta, aq të qarta dhe aq të lehta për t'i kuptuar ato zhvillime historike të shekullit XV, pa pasur edhe shumë perspektiva, si ajo e gjuhës. Mund të merret shembulli i prapashtesës -ica: "Prapashtesa -ica ndeshet kryesisht tek shqiptarët në Maqedoni. Në shqipen ka hyrë edhe prapashtesa serbe -sin(shq.-shin), e cila ndeshet t'i jetë shtuar madje edhe ndonjë emri me prejardhje shqipe, siç është rasti me emrin Ukë (nga shq. dial. Uk, -u "ujk,-u"), kështu që emri Ukshin,-i del si korelat semantik i emrit serb. Vukasin dhe i emrit turk Kurtes."(po aty, f.99).

PROSKËNDERBEASIT PATETIKË

Është fatkeqësi kur historiani nuk shpjegon shkencë, por përpiqet të bëhet sa më 'shqiptar' kur flet për ikonat historikenacionale. Sidoqoftë, ekziston një tendencë e disa figurave katolike, të jenë egocentrikë, duke dashur që ta identifikojnë Skënderbeun me katolik, e jo si figurë e të të gjithë shqiptarëve, si simbolikë pan-nacionale. Kjo ka bërë që edhe ta stërtheksojnë se nuk është "Skënderbeu skënderbe", por "Skënderbeu ishte Gjergj", duke luajtur me emrin, për stërtheksim të elementeve kristiane. Kjo ka bërë që duke u marrë në mbrojtje në emër të fesë, pjesëtarët e fesë tjetër ta sulmojnë atë. Një historian kishte refuzuar një punëtori historianësh në një shkollë katolike si "Don Bosko", për të folur për Skënderbeun, sepse nuk donte të flitej shkencërisht për Skënderbeun, në një shkollë të fesë katolike, duke e identifikuar gabimisht Skënderbeun, si figurë krishtere, e jo si figurë nacionaleshqiptare, e të gjithëve pa dallim feje. Shumica e proskënderbeasve patetikë janë ose katolikocentristë, katolikofilë, eurocentristë, uesternocentritë; po ashtu, janë nacionalistë romantikë, duke mos bërë shkencë, por histori romantikenacionale; ose paraqiten neoliberalë kundrejt konservatorizmit islam! Dekonstruktimi shkencor le të ndodh dhe është vlerë e lartë edhe e kombit, nëse përparojmë në shkencën e historisë, ndërsa kujtesa kolektive mbi disa figura, tek e fundit, është krejt diçka tjetër, e rrugëtim tjetër. Ka pasur edhe proskënderbeas patetikë, të cilët në fakt kanë qenë ideologjikë. Kështu ka qenë me historiografinë e Enver Hoxhës, duke e instrumentalizuar Skënderbeun. "Historiografia zyrtare shqiptare, edhe në qoftë se nuk e paraqet si themelues, sidoqoftë e mabn si personin më me ndikim në traditën e bashkëpunimin me popujt ballkanas, sllavët dhe grekët, heroin kombëtar të shqiptarëve: Skënderbeun (Me këtë historiografia zyrtare enveriste hyrë në garë me themeluesit e banballkanizmit). Mbas betejës së Kosovës në të cilën krahas serbëve morën pjesë edhe familjet shqiptare të Balshajve, Kastriotëve, Muzakëve etj., me historiografinë shqiptare, Skëndërbeu paraqitet me rëndësi të veçantë në krijimin e traditës së bashkëpunimit të shqiptarëve me popujt e Ballkanit." E ka fjalën për panballkanizmin, ose identitetin e përbashkësisë kolektive të rajonit të Ballkanit kundrejt 'osmanëve si të jashtëm'."(Hysamedin Feraj, "Skicë e mendimit politik shqiptar", f.119).

SHUMICA JANË 'PROSKËNDERBEAS' DHE NJË 'KOMUNITET SHKENCOR'

Pavarësisht dy grupimeve të vogla, minore, ekstreme, dogmatike, shumica shqiptare janë 'skënderbease', e pranojnë si një ikonë e rëndësishme e kujtesës kolektive. Në medie i ndeshim më shumë dyja grupet, por më rrallë shumicën proskënderbease dhe një pakicë po ashtu të rrallë individësh, apo 'komunitet shkencor', si pjesë e të cilit ndihemi mirë sikur të ishim, grup i vogël, që ngulmojnë në njohjen shkencore të historisë së Skënderbeut, pa u brengosur për 'ndonjë patetizëm romantik nacionalist', pa u brengosur për 'islamizëm radikal e përjashtues', pa u brengosur për 'katolikocentristët, uesternocentristët e eurocentristët', por thjesht si dekonstruktim shkencor, i pavarur nga rrugëtimet kulturore. Pra, as me shpullaxhinjët islamistë pakicë, as me islamofobistët e eurocentristët, ledhatues e patetikë, po ashtu pakicë! As me pakicën e nacionalizmit patetik shqiptar, i frikësuar nga kërkimet e arkivave, krejt panevojshëm! Larg brutalizmit me shpulla e injorant, por edhe larg përkëdheljeve patetike po ashtu injorante! 

(Kosova Sot)