Koncertet e Filarmonisë, në kushte tmerrësisht të këqija

  • 30 January 2018 - 09:22
Koncertet e Filarmonisë, në kushte tmerrësisht të këqija

FILARMONIA NISI PERFORMACËN E PARË ME PROBLEMET TË VJETRA

Filarmonia e Kosovës ka nisur koncertin e parë për vitin 2018 me probleme të vjetra. Në një sallë të ftohtë me akustikë si mos më keq dhe aspak të përshtatshme për performime çfarë duhet për një institucion si Filarmonia, ky institucion të hënën në mbrëmje, për publikun kosovar ka sjellë tri vepra të kompozitorëve të njohur botërorë në drejtimin dirigjentit amerikan, Gregori Sharet dhe solisti Artur Klasens, veprën, "Finlandia", të finlandezit Jan Sibelius, veprën "Koncert për obo dhe orkestër", të çekut Bohusllav Martinu dhe "Simfonin 5", të kompozitorit rus, Dimitri Shostakovic. Pavarësisht nivelit të lartë të përgatitjes dhe interpretimit profesionist, salla e papërshtatshme ku po interpreton Filarmonia e dëmton shumë koncertin në aspektin artistik. Por, pavarësisht problemeve dhe sfidave drejtuese të Filarmonisë kanë thënë se ky institucion do të vazhdojë edhe për një kohë në kushte të tilla, ndërsa kanë thënë se gjatë këtij viti Filarmonia ka plane të shumë dhe ka bërë gati një program të ngjeshur dhe me shumë risi. 

Akustika, jashtë çdo niveli

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kushtet në të cilat Filarmonia i realizon koncertet janë të këqija dhe dëmtojnë dukshëm nivelin artistik të institucionit, pasi, siç ka thënë ai, edhe Filarmonitë më prestigjioze botërore, por të interpretonin në të tilla kushte do të dilnin keq dhe të tmerruar. "Pavarësisht se dirigjenti amerikan Sharet ka nxjerrë limitet e mundësive të institucionit, salla dhe kushtet që ofrohen këtu e dëmton Filarmonisë deri nën 50 për qind në aspektin artistik. Ky nuk është një mendim 'ad hok', por i provuar, pasi akustika këtu është jashtë çdo niveli. Besoj koncerti i mbrëmshëm po të ishte zhvilluar në një sallë me akustikë adekuate, siç e kërkon kjo lloj muzike, pa frymë do të mbeteshin edhe kritikët më të ashpër të muzikës ", ka pohuar ai, duke shtuar se Prishtina nuk ka hapësirë tjetër për performim, përveçse ato të hoteleve të ndryshme, apo edhe kishave. Ndërsa ka vënë në pah edhe një herë nevojën për një sallë adekuate për koncerte të muzikës artistike. Më tej, Jashari ka thënë se, përveç koncertit të mbrëmshëm, Filarmonia ka përgatitur edhe një program artistik të ngjeshur për 2018, dhe nëse miratohet nga Ministria e Kulturës, ajo do të ketë edhe disa paraqitje jashtë shtetit. "Ne presim konfirmimin e buxhetit të përgjithshëm për realizimin programit për 2018, por nëse ajo miratohet sipas projektit të menaxhmentit dhe Këshillit Drejtues, përveç koncerteve të rregullta mujore me orkestër dhe atyre të veçanta, korit të Filarmonisë, janë paraparë edhe disa lëvizje jashtë shtetit, fillimin në kuadër të Kalendarit Kulturor me Shqipërinë. Kemi edhe një ftesë nga partnerët britanikë për një prezantim të korit të Filarmonisë dhe një varg koncertesh ku Filarmonia është në bashkëpunim me festivale vendore me karakter ndërkombëtar", ka thënë drejtori Jashari, duke pohuar se agjendat për këtë vit përfshijnë diku rreth 20 koncerte. 

Interesimi i publikut po rritet vazhdimisht

Ndërsa, në anën tjetër, për muzikantët tanë, Filarmonia e Kosovës paraqet një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend ku interesimi i publikut për koncertet e saj po rriten vazhdimisht, pavarësisht kushteve aspak të mira për shfaqje të koncerteve. Kompozitori Naser Dula, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Filarmonia e Kosovës është institucion qeveritar i kulturës dhe nga ky institucion zhvillohet kultura muzikore profesionale. "Pra, muzika klasike është që çdo shtet e ka këtë institucion. Në Filarmoninë e Kosovës interpretohen vepra të muzikës klasike të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Po ashtu, orkestra e Filarmonisë pasurohet me ndonjë koncert të përbashkët me Filarmoninë e Tiranës dhe Shkupit", ka pohuar ai. Ndërsa pedagogia e muzikës Dafina Smajli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se koncertet e Filarmonisë, të cilat aktualisht realizohen në kushtet të mjerueshme në hapësirat e Pallatit të Rinisë, ku çatia e të cilit gjatë dimrit pikon nga shiu njëkohësisht, siç është shprehur ajo, ndihmon muzikantët të mbajnë ritmin e shpeshtë. E, siç ka thënë më tej ajo, ndodh që koncertet të mbahen edhe nëpër hapësirat fetare, duke kërkuar akustikë sa më të mirë, për të nxjerrë tingullin e duhur. Këto gjëra, në një formë apo tjetrën, ka potencuar Smajli, ndikojnë edhe në punën e Filarmonisë së Kosovës, ku koncertet e saj janë duke u ndjekur me shikueshmëri të lartë . Duke kujtuar koncertin e fundit të Filarmonisë, ajo shprehet se salla ishte e mbushur plot, por, sipas saj, në një mënyrë krijon edhe ndjenjën e respektit të publikut karshi sukseseve të Filarmonisë. 

(Kosova Sot)